Joselu ka shpërthyer në fundin e ndeshjes për t’ia siguruar Real Madridit finalen e Ligës së Kampionëve.
“Mbretërit” fituan 2:1 ndaj Bayernit në gjysmëfinalen e dytë, të mërkurën mbrëma në “Santiago Bernabeu”.
Reali e Bayerni kanë luajtur superndeshje, ndërsa ishin madrilenët që festuan në fund. Rikthimi ishte më shumë se dramatik.
Joselu, që hyri në lojë në minutën e 81-të, shënoi për 1:1 në minutën e 88-të. Pas një goditjeje të Vinicius Juniorit, Manuel Neuer intervenoi dobët dhe topi erdhi te Joselu që nuk fali nga afërsia.
Në minutën e 91-të, Joselu shënoi golin për 2:1. Në fakt fillimisht u dha pozitë jashtë loje, por pas rishikimit të VAR-it u pranua goli i 34-vjeçarit. Asistues ishte Antonio Rudiger.
Në fund të kohës shtesë, topin në rrjetë e dërgoi edhe Bayerni. Por, arbitri më herët sinjalizoi për ofsajd. Kishte reagime të shumta lidhur me këtë nga lojtarët e trajnerët e Bayernit. Por, arbitri vendosi të mos e rishikonte situatën në VAR. Dhe rezultati mbeti 2:1 për Realin.
Kështu Real Madridi u kualifikua në finale me rezultatin e përgjithshëm 4:3. Ndeshja në Munih kishte përfunduar 2:2.
Por Bayerni ishte shumë, shumë pranë. Alphonso Davies kaloi në epërsi 1:0 Bayernin në minutën e 68-të. Ai shënoi supergol me goditje të fuqishme nga zona.
Real Madridi në finalen e 1 qershorit në “Wembley” do të përballet me Borussia Dortmundin. Dortmundi në gjysmëfinale e eliminoi PSG-në.
Reali kërkon titullin e 15-të evropian, ndërsa Dortmundi të dytin.
Ashtu si pritej, ritmi i ndeshjes në “Bernabeu” ishte shumë i lartë. Skuadrat nuk janë ndalur duke kërkuar golin. Në pjesën e parë vendimtarë me pritje ishin portierët Neueri i Bayernit dhe Andriy Lunini i Realit.
Real Madridi i kishte 19 raste gjithsej, ndërsa Bayerni tetë. Goditje në kornizë të portës madrilenët i kishin shtatë e bavarezët pesë.
Më i miri i ndeshjes u shpall Vinicius Junior. Përzgjedhjen e ka bërë një panel i ekspertëve të UEFA-s.
“Loja e tij direkte ishte një kërcënim që ia dha Real Madridit besimin në fitore. Situatat e tij një kundër një ndihmuan në shënimin e golit të parë, shumë të rëndësishëm për ekipin vendas”, shkruan në arsyetimin e vendimit që Viniciusi të shpallet më i miri.
VIDEO:
Someone explain to me why this was an offside against Bayern and the goal getting ruled out?👀 https://t.co/ODGIE8tfFN pic.twitter.com/Aj8jVXBevM
— Ölele | DTS👨🏾🍳🇬🇭 (@OleleSalvador) May 8, 2024
Çfarë rikthimi, Real Madridi në epërsi
Real Madridi ka rikthyer rezultatin në ndeshjen ndaj Bayernit.
Për 2:1 shënoi Joselu në minutën e 91-të.
Goli u pranua vetëm pas rishikimit të VAR-it për pozitë jashtë loje. Fillimisht u dha ofsajd, por më pas u pranua goli.
Mbretërit barazojnë
Real Madridi ka barazuar në 1:1 rezultatin në ndeshjen ndaj Bayernit.
Joselu shënoi në minutën e 88-të. Manuel Neuer, që shkëlqeu gjithë ndeshjen, reagoi dobët dhe Joselu shfrytëzoi dhuratën.
Shënon Real Madridi, por VAR-i reagon
Real Madridi ka dërguar topin në rrjetë në minutën e 71-të.
Por pas rishikimit të VAR-it, arbitri dha faul për Bayernin.
Supergol nga Davies, Bayerni në epërsi
Bayerni po udhëheq 1:0 ndaj Real Madridit.
Alphonso Davies ka shënuar supergol në minutën e 68-të.
Pa gola në pjesën e parë në “Bernabeu”
Real Madridi e Bayerni po luajnë ndeshje shumë të fortë, por që deri më tani nuk ka prodhuar gola.
Pjesa e parë e ndeshjes në “Santiago Bernabeu” ka përfunduar 0:0.
Të dy skuadrat kishin raste të mira për gol, por pa konkretizuar. Edhe portierët kanë shfaqur nivel të lartë.
Real Madridi dominon në fillim të ndeshjes
Real Madridi ka nisur me dominim ndaj Bayern Munichut në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.
Madrilenët ishin të pafat në minutën e 14-të kur e qëlluan shtyllën me Vinicius Juniorin.
Nga topi i kthyer nuk shënoi Rodrygo.
Merita të mëdha që bavarezët nuk pranuan gol pati portieri Manuel Neuer.