Liria e Prizrenit është në garë për ta fituar titullin e kampionit në Superligën U21 të Kosovës në futboll, që këtë edicion u organizua për herë të parë. Por ekipi U21 i klubit prizrenas dhe ai i Fushë Kosovës, edicionin e ardhshëm nuk do të paraqiten në Superligën e kësaj grupmoshe. Do të shuhen si ekipe.
Disa lojtarë do të mbesin pjesë e skuadrave të Lirisë, përkatësisht të Fushës Kosovës, në Ligën e Parë, e disa do të kalojnë në klube të tjera.
Liria U21 dhe Fushë Kosova U21 vuajnë pasojat e rënies së ekipeve të para nga Superliga.
Liria U21 është në vendin e dytë me 45 pikë, kurse në vendin e parë është Prishtina U21 me 54 pikë. Në pozitën e tretë është Gjilani U21 me 42 pikë, derisa Llapi U21 në vendin e katërt me 41 pikë. Katër vendet e para do të paraqiten në plejof.
Fushë Kosova U21 zë vendin e shtatë me 33 pikë.
“E kemi ditur nga fillimi se do të jetë ashtu. Ky vit ka qenë si provë, por për mendimin tim ka shkuar mirë. Është e dhimbshme se kemi dhënë shumë mund dhe jemi angazhuar të vijmë deri këtu. Por është mirë për këta lojtarë që kanë treguar rezultate dhe kanë mundësi të shkojnë në ekipe të ndryshme dhe ta tregojnë veten. Sepse realisht këta lojtarë kanë qenë të demoralizuar dhe kanë mundur shumica e tyre ta lënë futbollin. Por edhe në këtë situatë shuhet si ekip”, ka thënë trajneri i ekipit U21 të Lirisë, Robert Gjeraj.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk e dinë nëse Rregullorja do të ndryshojë. Por konfirmojnë se Liria U21 dhe Fushë Kosova U21 nuk do të paraqiten edicionin e ardhshëm në Superligën U21.
Superligës U21 do t’i bashkohen ekipi U21 i Suharekës dhe Ferizajt, që tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen në Superligë për edicionin 2024/2025.
“Duhet të mendohet një zgjidhje për ekipin U21. Liga e Parë është më e vështirë ta ketë ekipin U21, sepse në Ligën e Parë duhet të luajnë 21-vjeçarët pa problem. Kështu që është pak e komplikuar a të ndahet apo jo liga prej ekipeve të para. Lojtarët këtë gjë do ta vuajnë më së shumti, pasi qysh tash janë duke menduar se ku do ta kenë mundësinë për ta treguar veten. Por ne deri në fund do ta ndjekim titullin. Fillimisht ta sigurojmë plejofin e më pas titullin për të na mbetur si gjenerata e parë që fitojmë titullin e Superligës U21”, ka theksuar Gjeraj.
Plejofi i Superligës U21 do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali. Kanë mbetur edhe tri xhiro të edicionit të rregullt.
Shumë prej klubeve dhe njohësve të futbollit e kanë mbështetur krijimin e Superligës U21. Ka pasur dyshime nëse organizimi i ndeshjeve do të ishte sfidë për klubet. Por, në fakt doli krejt e kundërta, ndonëse ka rritur obligimet e klubeve si në aspektin financiar ashtu edhe organizativ.
Shumë lojtarë që janë pjesë e ekipeve U21 janë përfshirë edhe në disa ndeshje të ekipeve të para. Por edhe lojtarët që kanë gjetur pak hapësirë në ekipet seniore, mundësinë për t’i treguar vlerat e tyre e kanë në ekipet U21.
LEXO EDHE: