Futboll

Ballkani synon ta mbajë fronin edhe pas duelit me Dukagjinin

Ballkani

Ballkani dhe Dukagjini të dielën do të përballen në Suharekë.

Ky ballafaqim ka synime krejtësisht të kundërta. Ballkani e kërkon fitoren për ta bërë një hap para në garën për titull të kampionit, kurse Dukagjini synon mbetjen në elitën e futbollit të Kosovës.

Ndeshja mes këtyre dy skuadrave luhet nga ora 15:00 dhe i takon xhiros së 32-të.

Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u luajtur në elitën e futbollit kosovar. 

Ballkani i drejtuar nga trajneri Ilir Daja është lider me 63 pikë, ndërsa Dukagjini i Armend Dallkut është i gjashti me 39 pikë. 

Përfshirë edhe ndeshjet e Kupës së Kosovës, kampioni i dy edicioneve të fundit në Kosovë është në ecuri prej tetë ndeshjeve pa humbje. Ka katër fitore e po aq barazime. 

Qendërmbrojtësi i Ballkanit, Gentrit Halili, synon që me bashkëlojtarë të marrin tjetër fitore për të qenë më të qetë, të paktën edhe për një xhiro.

“Ne presim ndeshje shumë të vështirë. Por e kemi përparësinë e terrenit vendës. E kemi edhe përkrahjen e madhe nga ‘Xhebrailat’ dhe nga qytetarët e Suharekës, prej të cilëve nuk na mungon asnjëherë mbështetja. Besoj se do të kemi ndeshje të vështirë. Por ne kemi punuar shumë mirë dhe shpresojmë të kemi paraqitje të mirë e të marrim pikët e plota”, ka thënë Halili të shtunën për KOHËN. 

Ndryshe nga Ballkani, Dukagjini ka rreshtuar barazimet në xhirot e fundit të Superligës. Është në seri prej pesë barazimeve të njëpasnjëshme, ndërsa e ka edhe një fitore.  

Por për kapitenin e Dukagjinit, Elton Basriu, ato i përkasin së kaluarës, dhe ka theksuar se tani duhet shikuar kah ndeshjet që e presin skuadrën nga Klina. 

“Të them të drejtën, jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë duke e ditur se luajmë mysafir kundër kampionit në fuqi të Kosovës. E vlerësojmë ndeshjen si të rëndësishme pasi që edhe neve na duhen pikët. Do të udhëtojmë për një rezultat pozitiv, por besoj se do të jetë ndeshje e vështirë”, është shprehur qendërmbrojtësi Basriu. 

Të dielën, po nga ora 15:00, zhvillohen edhe ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje të Superligës. 

Një gabim të Ballkanit do të mundohet ta shfrytëzojë skuadra e Llapit që është në vendin e dytë me 61 pikë, dy më pak se lideri. 

Llapi në fundjavë në “Zahir Pajaziti” e pret Feronikelin 74. Skuadra nga Drenasi është në vendin e tetë, që dërgon në plejaut. Ka 34 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në vendin e shtatë. 

Pas gabimeve në xhirot e fundit, Drita ka mbetur me 59 pikë, por ende me gjasa reale për të triumfuar në fund. 

Drita luan me skuadrën e parafundit, Fushë Kosovën, që ka 20 pikë dhe është në prag të largimit nga elita. 

Malisheva luan kundër Gjilanit, ndërsa Liria e pret Prishtinën.

Superliga – Java 32

E diel (15:00) 
Ballkani – Dukagjini
Llapi – Feronikeli 74 
Malisheva – Gjilani 
Drita – Fushë Kosova 
Liria – Prishtina