Futboll

Fushë Kosova befasohet nga Liria

Liria

Liria në xhiron e kaluar u bë skuadra e parë që ra nga elita e futbollit të Kosovës në këtë edicion.

Por, Liria të shtunën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, shkaktoi befasi duke e mposhtur 2:0 në udhëtim Fushë Kosovën, në ndeshjen e xhiros së 31-të.

Edhe Fushë Kosova rrezikon rënien nga Superliga.

Supergol për Lirinë shënoi Aldi Gjumsi në minutën e tretë për 1:0.

Pas gjysmë ore lojë, Ubong Ekpai e dyfishoi epërsinë për prizrenasit.

Liria e shënoi edhe golin e tretë në minutën e 76-të me Valmir Berishën, por që u anulua për pozitë jashtë loje.

Kjo fitore nuk i ndihmon Lirisë së vendit të fundit që i ka 14 pikë pas 31 ndeshjeve.

Por, ia vështirëson punët Fushë Kosovës, që ka 20 pikë në vendin e parafundit, përkatësisht të nëntin.

Për Fushë Kosovën ishte humbja e pestë rresht, ndërsa Liria fitoi pas 27 ndeshjeve rresht, duke e llogaritur edhe ndeshjen për Kupë. 

Liria e shënoi vetëm fitoren e dytë të edicionit.

Në xhiron e 32-të, Fushë Kosova udhëton te Drita, kurse Liria e pret Prishtinën.