Prokuroria ka kërkuar që drejtori sportiv të Dritës Valon Zymberi, dhe dy të tjerëve t’u ndalohet afrimi të persona të caktuar dhe të ju caktohet masa lajmërim në stacionin policor në Gjilan.
Ata të enjten janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për pjesëmarrje në përleshje në një kafiteri të qytetit të Gjilanit.
KOHA ka mësuar se për kërkesën e Prokurorisë, gjyqtari i procedurës paraprake, pritet të vendosë sot pas mbajtjes së seancës për këtë çështje. Seanca pritet të mbahet në orën 15:00.
Humbja e Dritës nga Prishtina në gjysmëfinale të Kupës të mërkurën nuk është përballuar lehtë te skuadra gjilanase. Tifozët “Intelektualët” kanë shprehur zemërimin e tyre pas ndeshjes. Ka pasur edhe tensione të shumta brenda fushës, ndërsa ka ndërhyrë policia.
Por me kaq nuk përfundoi e gjitha. Pas ndeshjes u konfirmua se Zymberi ka pasur konflikt fizik me njërin prej drejtuesve të tifozëve “Intelektualët” në një kafiteri të qytetit, për çka edhe u arrestua bashkë me F.R dhe I.SH..