Futboll

Reagon Taulant Byqmeti i “Intelektualëve”

Taulant Byqmeti - Sport

Anëtari i “Intelektualëve”, Taulant Byqmeti ka dalë të enjten me një reagim pas sulmit fizik nga siç ka thënë ai, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, Faton Ramadani, Fatos Ramadani, Ilaz Shkodra dhe Flakrim Aliu.

“Të lartpërmendurit më kanë sulmuar mua personalisht me mjetet (karrige dhe thika) si dhe familjarët dhe klientët të cilët kanë qenë të pranishëm në lokal dhe po ashtu kanë shkaktuar dëme fizike dh materiale. Të gjitha fotot/videot të cilat po qarkullojnë në media janë dorëzuar nga unë në policinë e Kosovës në Komunën e Gjilanit dhe rasti është në proces nga organet kompetente”, ka shkruar Byqmeti të enjten në “facebook”. Ai pretendon edhe për fakte tjera. Ka thënë se edhe një zyrtar i njësitit policor të Kosovës e ka sulmuar fizikisht. “Në bashkëpunim me të lartpërmendurit është edhe polici i njësitit policor – Fidan Kurtalani (edhe ky anëtar i kryesisë së klubit) ku më ka fyer dhe sulmuar fizikisht në zhveshtoren e klubit pas ndeshjes dhe ka qenë në dijeni për sulmin që do të bëhet ndaj meje dhe familjes”, ka shkruar Byqmeti.

Drita ende nuk ka dalë me reagim.

Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi dhe dy të tjerë të enjten janë ndaluar për 48 orë mbi dyshimet për pjesëmarrje në përleshje në një kafiteri të qytetit të Gjilanit. Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës në Gjilan të enjten për KOHËN.