Futboll

Te Drita thonë se janë sulmuar, Ballkani mohon

Ballkani - Drita

Pamje nga ndeshja Ballkani - Drita (Foto: Facebook FC Drita)

Te klubi i Dritës kanë thënë pas ndeshjes të së shtunës se ka pasur tentim-sulmi nga zyrtarë të klubit të Ballkanit. Por, te suharekasit e kanë mohuar një gjë të tillë. 

Tollovia, sipas drejtorit të Dritës, Feti Murseli, ka zgjatur rreth 10 minuta, por që situata është qetësuar nga Policia e Kosovës dhe gjithçka ka përfunduar pa ndonjë incident. 

“Deri në fund të ndeshjes ishte mirë. Duke hyrë në zhveshtore, drejtori Idriz Hajrizi dhe dy zyrtarë tjerë të Ballkanit, deshën ta sulmonin trajnerin, pastaj filloi tollovia. E çuditshme. Vetëm ata e dinë se pse. Rezultati me siguri nuk u konvenonte dhe pastaj deshën të sulmonin. Ne ishim pak në numër të stafit, ishin edhe lojtarët tanë. Ndërhyri policia mirëpo presioni i tyre vazhdoi 10 minuta. Donin ta kalonin edhe Policinë për të na sulmuar. Se për ofendime e banalitet për këtë mos të flasim, nuk diskutohet çfarë kanë bërë. Turp i Zotit. Të lënduar nuk ka pasur, fatmirësisht Policia ndërhyri në mes. E çuditshme, turp. I thonë vetes ekip evropian, dalin në Evropë luajnë lojë dhe nuk mund ta pranojnë barazimin e as humbjen. Po, fatmirësisht Policia, njësia speciale, ka ndërhyrë aty, ata e kanë bërë të pamundurën që të mos ketë më shumë telashe. Ne nuk e kemi pritur këtë sulm. Unë shkova t’i përgëzoj lojtarët për angazhimin, për të gjitha dhe e pash çfarë po ndodh. Ne i presim të gjitha klubet, jo vetëm Ballkanin, e kanë si në shtëpi të tyre. Po të na kthehet në këtë mënyrë, e çuditshme”, ka thënë Murseli të shtunën për KOHËN. 

Ballkani dhe Drita luajtën 2:2 në ndeshjen e rëndësishme për titull kampioni. Me barazim, Ballkani mbeti lider në tabelë, me dy pikë më shumë se Drita. 

Zyrtari i Ballkanit, Idriz Hajrizi, ka theksuar se nuk ka asgjë të vërtetë dhe i ka mohuar akuzat e gjilanasve. 

“Duhet t’i pyesni ata se a dëshirojnë vetëm të flasin apo kanë ndonjë fakt se e kemi sulmuar dikënd. Është mirë të argumentohet. Kur flet diçka publikisht dhe e përmend një person zyrtar të ndeshjes, shpalosi edhe dëshmitë dhe jemi në rregull. Nëse vetëm dëshminë më të vogël e kanë që unë e kam sharë dikend, kam tentuar ta godas apo i kam sulmuar, po ta jap besën edhe ty edhe të gjithëve se kurrë në një terren sportiv nuk do të shkelë. Nuk shkoi loja, nuk fitova tash po dua të bëj një rrugë tjetër për këto matrapazllëqe. Nuk u vjen turp. Ma kanë terrorizuar edhe familjen, kam shumë mesazhe fyese e kërcënime. Kush e merr këtë përgjegjësi? E merr Fetiu apo kush e merr?”, është shprehur Hajrizi.