Dy klube të Ligës së Parë janë përjashtuar nga garat për kurdisje të rezultatit. Ndërkohë dy persona janë arrestuar për sulm ndaj arbitrave të hendbollit.
Kurdisjet dhe dhuna assesi nuk po i ndahen sportit kosovar. Dhe kjo u vërteta edhe këtë javë.
Bëri bujë vendimi i Federatës së Futbollit të Kosovës, përkatësisht i organeve të saj për t’i larguar nga garat e Ligës së Parë, Ulpianën e Lipjanit dhe Vllazninë e Pozheranit. Sipas Komisionit të Garave dhe atij Disiplinor, Ulpiana dhe Vllaznia kanë kurdisur rezultatin e ndeshjes mes tyre. Vllaznia fitoi 4:3 në Lipjan, më 7 prill.
Duke u bazuar në raportin zyrtar, FFK-ja ka konstatuar se ekipi vendës tregoi mungesë të qartë të angazhimit në lojë. Ka lejuar qëllimisht hapësira të shumta për kundërshtarët dhe ka lehtësuar punën për ekipin mysafir. Madje, sipas vendimit të Disiplinorit, Ulpiana ka refuzuar të shënojë gol, ndonëse ka mundur ta bëjë këtë.
Vendimi është bazuar edhe në xhirimet televizive, komunikimet e lojtarëve me mesazhet telefonike “dhe të dhënat nga raportet konfidenciale”.
Sipas vendimit, Ulpiana e Vllaznia në edicionin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Dytë.
FFK-ja nuk ka marrë ndonjëherë vendim më të fuqishëm për të luftuar kurdisjet. Por akuza të tjera janë shfaqur. Të dy klubet kanë akuzuar se vendimi ka të bëjë me favorizimin e një klubi të tretë, përkatësisht të Flamurtarit të Prishtinës. Pritet të ketë të përfshirë të tjerë, ndërsa mbetet të shihet nëse FFK-ja do të veprojë me kriter të njëjtë edhe ndaj klubeve të tjera.
Të dy klubet insistojnë se janë të pafajshme. Vllaznia ka dorëzuar ankesë, duke vlerësuar se vendimet ishin të pabazuara, pa argumente dhe tendencioze.
“Ne presim vendim meritor dhe kërkimfalje ndaj nesh nga të gjithë ata që po tentojnë të prishin imazhin e klubit tonë, i cili ekziston më shumë se gjysmë shekulli”, ka shkruar Vllaznia.
Futbollit pos kurdisjeve nuk i ndahen edhe akuzat për punën jo të duhur të arbitrave. Akuza të tilla kishte edhe në fundjavë, madje edhe në garën për titull të kampionit në Superligë.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se skuadra e tij është dëmtuar rëndë në ndeshjen ndaj Dukagjinit në Klinë. Sipas tij, Dukagjini ka dirigjuar arbitrin. Llapi barazoi dhe humbi hapin me Ballkanin dhe Dritën.
Kishte tensione në ndeshjen mes Dukagjinit dhe Llapit.
Por jo të nivelit që kishte të shtunën mbrëma në Mitrovicë pas një ndeshjeje hendbolli. U takuan Trepça e Besa Famgas, ndërsa fitore shënoi skuadra pejane. Pas fundit të ndeshjes në terrenin e lojës janë futur persona të paautorizuar. Dy prej tyre kanë realizuar sulm fizik ndaj arbitrave, njofton Federata e Hendbollit e Kosovës.
Dy persona janë arrestuar për atë incident, ka konfirmuar Policia e Kosovës për KOHËN, të dielën.
“Lidhur me incidentin në palestrën ‘Minatori’, dy persona të dyshuar janë arrestuar dhe u është caktuar masa e ndalimit. Rasti është iniciuar ‘lëndim i lehtë trupor’”, kanë njoftuar nga Policia e Mitrovicës.
Sipas Federatës, dyshohet se sulmi është realizuar nga dy ish-hendbollistë.
“Me të përfunduar takimi, në fushën e lojës kanë hyrë persona të paautorizuar. Dy prej tyre kanë realizuar sulm fizik ndaj arbitrave të lojës. Dyshohet që bëhet fjalë për ish-hendbollistë dhe kjo e bën më të papranueshme ngjarjen. Federata e Hendbollit e Kosovës e dënon fuqishëm dhunën e shfaqur, ndërsa organet e Federatës gjatë javës së ardhshme do të marrin vendimet meritore lidhur me atë që ndodhi”, shkruan në njoftimin e FHK-së.
Në fazën finale të kampionatit, akuza e dyshime për kurdisje e ndikim në garë do të ketë thuajse rregullisht. Dhe dhuna, bazuar në edicionet e kaluar dhe shenjat e deritashme, nuk përjashtohet po ashtu.