Harry Kane. Erling Haaland. Romelu Lukaku. Mateo Retegui. Moise Kean.
Në Evropë dhe Serie A qendërmbrojtësi i Interit, Francesco Acerbi, nuk ka lejuar asnjërin prej këtyre sulmuesve të shënojë gola këtë sezon, shkruan “AP” të enjten.
Paraqitja e fundit mbresëlënëse e Acerbit ishte në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve në udhëtim te Bayern Munichu të martën. 37-vjeçari, i cili e fitoi betejën me kancerin, bëri që Kane ta ketë vetëm një gjuajtje drejt portës – kur sulmuesi anglez e qëlloi shtyllën në minutën e 26-të.
Njësoj siç bëri me Kanen, Acerbi kishte bërë me Haalandin në ndeshjen hapëse që Interi e luajti ndaj Manchester Cityt në muajin shtator. Ajo ndeshje ishte mbyllur 0:0.
Acerbi nuk e kishte lejuar Haalandin të shënonte gol as në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2023.
Në të gjitha ndeshjet, Interi ka pësuar tre gola në 11 ndeshje të Championsit, por vetëm dy me Acerbin në fushë, pasi mungoi në humbjen 1:0 nga Bayer Leverkuseni në muajin dhjetor.
Acerbi, karriera e të cilit ishte ndalur për një kohë për shkak të kancerit në testikuj para një dekade, ka qenë efektive në ligën italiane.
Ai e ka ndalur Lukakun dhe golashënuesin më të mirë të Serie A, Reteguin, dy herë – në dy barazime 1:1 me Napolin e Lukakut, dhe në fitoret 4:0 dhe 2:0 ndaj Atalantas së Reteguit. Këto ishin ndeshje vendimtare që Interi ta mbajë vendin e parë në tabelë me 68 pikë, tri më shumë se Napoli, e dhjetë më shumë se Atalanta.
Në fakt, Acerbi nuk e ka lejuar Lukakun të shënojë në katër ndeshjet përballë njëri-tjetrit qëkur belgu u largua nga Interi, përfshirë këtu dy ndeshjet kur Lukaku ishte pjesë e Romës në sezonin e kaluar.
Retegui në Serie A i ka 22 gola të realizuar gjithsej, ndërsa Kean i ka 17 gola.
Kean shënoi dy herë kur Fiorentina e befasoi 3:0 Interin në Serie A, në ndeshjen në të cilën mungoi Acerbi. Kur mbrojtësi u kthye për ndeshjen tjetër ndaj Fiorentinas pas katër ditësh, Kean u ndal dhe Interi fitoi 2:1.
Derisa Acerbi mund të pushojë të shtunën për ndeshjen e ligës ndaj Cagliarit, ai pa dyshim se do të përdoret për të luajtur kundër Kanet në ndeshjen kthyese ndaj Bayernit në “Giuseppe Meazza” në javën e ardhshme.
Nëse Interi arrin që ta mbajë avantazhin 2:1 nga ndeshja e parë me Bayernin, një tjetër sulmues shumë i fortë i qendrës mund të arrijë në gjysmëfinale apo në finale.
Më pas, Italia e hap kampanjën kualifikuese të Botërorit ndaj Norvegjisë së udhëhequr në sulm nga Haalandi në muajin qershor, ndonëse mbetet të shihet nëse sulmuesi i Manchester Cityt do të kthehet nga lëndimi. Nëse kthehet, Acerbi do të jetë aty duke e pritur.