Futboll

2 Korriku synon fitore ndaj skuadrës irlandeze

Ekipi i te rinjve te 2 Korrikut

Pas kalimit me sukses të raundit të parë në “UEFA Youth League”, tek ekipi U19 i 2 Korrikut të  Prishtinës synojnë ta kalojnë edhe skuadrën irlandeze, UCD FC. Të rinjtë e 2 Korrikut, ndeshjen e parë të raundit të dytë të Ligës së të Rinjve të UEFA-s e zhvillojnë të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri”. 
Ndeshja 2 Korriku – UCD nis në orën 18:00. 

Futbollistët Venis Havolli e Daris Gashi thonë se janë gati për kundërshtarin e  radhës, pas kalimit të raundit të parë.  2 Korriku në raundin e parë të garës kontinentale për të rinj e eliminoi Bylisin e Shqipërisë me rezultatin e përgjithshëm, 4:2.

Deri në këtë edicion skuadrat kosovare nuk janë paraqitur në UEFA Youth League. Ndeshja kthyese luhet më 6 nëntor në Dublin.

UEFA Youth League i ka dy rrugë, përkatësisht dy grupe. Në grupin e parë janë skuadrat e të rinjve të klubeve që paraqiten në Ligën e Kampionëve. 22 prej tyre kalojnë në fazën nokaut.

Në rrugën e dytë janë skuadrat kampione nga 52 vende. Skuadrat kampione nuk kanë fazë grupore, por tri raunde eliminuese. Dhjetë ekipet më të mira pas tri raundeve kalojnë në 1/16 e finales. 28 klubet që përfaqësojnë vendet më të ranguara e nisin garimin prej raundit të dytë.