Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

18 vjet shtet, futbolli i Kosovës në momentin më të ndritur

Kosova

Kosova po e feston 18 vjetorin e Pavarësisë. Dhe për promovimin e shtetit nëpër botë kontribut të madh vlerësohet se kanë dhënë sportistët.

Futbolli mbetet i pakrahasueshëm kur bëhet fjalë për famën ndërkombëtare. Dhe futbolli i Kosovës në 18-vjetorin e Pavarësisë është në momentin më të ndritur deri më tani.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sukseset në nivel të ekipeve nacionale dhe sukseset e Dritës janë më të mëdhatë e futbollit të Kosovës deri më tani.

Menjëherë muajin e ardhshëm Kosova luan në plejof për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Do të luajë në Bratisllavë ndaj Sllovakisë më 26 mars. Nëse fiton ndaj Sllovakisë, Kosova luan në finale të plejofit, në Prishtinë më 31 mars, me Turqinë apo Rumaninë. Dhe në rast të dy fitoreve, Kosova do të jetë pjesë e ngjarjes më të madhe sportive – Kampionatit Botëror të futbollit.

Arritja në plejof dëshmon rritjen e Kosovës. Në kualifikimet e rregullta për Botërorin 2026, Kosova ishte në një grup shumë sfidues me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë. Derisa para fillimit të kualifikimeve Kosova ishte autsajdere e plotë, kampanja solli suksesin historik. Pas humbjes së thellë nga Zvicra në ndeshjen e parë, “Dardanët” shënuan dy fitore ndaj Suedisë, një fitore e një barazim ndaj Sllovenisë dhe një barazim ndaj Zvicrës për vendin e dytë në grup. Dhe vendi i dytë solli plejofin.

Për më tepër, Kosova vjet për herë të parë e siguroi edhe kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. Shorti i tërhequr ditë më parë vendosi Kosovën në grup me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.

“Ekipi nacional nuk impresionoi vetëm në fushë gjatë vitit të kaluar. Solli edhe emocione të forta, si në fushë ashtu edhe në tribuna. Unë dhe i gjithë vendi mund të jemi vërtet krenarë me këtë ekip nacional”, ka thënë selektori i Kosovës, Franco Foda.

U kualifikua apo jo në Botëror, Kosova është në moment shumë pozitiv. Edhe pozita e lojtarëve është e mirë si asnjëherë më parë. Fakti që shumë lojtarë luajnë në top-liga evropiane është dëshmi. Golat e Vedat Muriqit në La Liga, sukseset e Amir Rrahmanit në Serie A dhe ngritja e vazhdueshme e Leon Avdullahut, Albian Hajdarit e Fisnik Asllanit në Bundesligë, ndër të tjera, janë shpresë për optimizëm edhe më të madh.

Edhe në vend vlerësohet se futbolli ka bërë pëparim të madh. Suksesi i Dritës së Gjilanit shihet si dëshmi për këtë. Drita luajti në fazën e ligës në “Conference League”. Kishte fushatë të suksesshme dhe tani do të jetë në plejof të fazës nokaut. Ndeshjen e parë të plejofit e ka menjëherë të enjten nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Përballë skuadrës gjilanase do të jetë Celje e Sllovenisë.

UEFA të hënën shkroi për suksesin e Dritës dhe për synimin për sukses edhe më të madh.

“Ne kemi histori të gjatë që përfshinë disa kohëra të vështira. E gjithë kjo është si shpërblim për sakrificën e njerëzve që kanë kaluar këto kohëra”, ka thënë portieri i Dritës, Faton Maloku.