Barcelona do të udhëtojë në fundjavë në San Sebastian për të luajtur ndaj Real Sociedadit në ndeshjen e xhiros së 13-të të La Ligas.
“Blaugrana”, e drejtuar nga trajneri Hansi Flick, do të hyjë në këtë ballafaqim pas fitores së thellë 5:2 në Ligën e Kampionëve në Beograd ndaj Crvena Zvezdës.
Kjo nuk ishte fitorja e vetme e thellë së fundmi nga Barcelona.
Lojtarët e udhëhequr nga trajneri gjerman kanë shënuar plot 16 gola në katër ndeshjet e fundit. Ndaj Realit, Barça fitoi 4:0.
Së fundi kanë shkëlqyer Raphinha dhe Robert Lewandowski.
36-vjeçari Lewandowski ka 19 gola e dy asistime në 16 ndeshjet e këtij edicioni, ndërsa Raphinha ka 12 gola e 10 asistime.
Real Sociedadi u mposht në Ligën e Evropës në udhëtim nga Viktoria Plzeni, 2:1.
Ndeshja Sociedad – Barcelona zhvillohet të dielën nga ora 21:00 e mbyll këtë fundjavë të kampionatit spanjoll.
Barcelona është e para me 33 pikë, ndërsa Sociedadi ka 15 pikë.
Kampioni në fuqi, Real Madridi, ka mbetur me 24 pikë, por e ka një ndeshje më pak të luajtur. Osasuna ka tri pikë më pak.
Real Madridi të shtunën nga ora 14:00 luan pikërisht ndaj Osasunas.
Madrilenët në mesjavë pësuan humbje 3:1 nga Milani. Ajo humbje e pasoi disfatën turpëruese 4:0 në “Bernabeu” nga Barcelona.
Real Madridi është kritikuar shumë për mënyrën e lojës. Është vlerësuar se Reali po luan i paorganizuar në mbrojtje e sulm, ndërsa kjo ka ngritur dyshime nëse trajneri Carlo Ancelotti duhet të jetë ende në krye të ekipit.
Skuadra tjetër nga Madridi, Atletico, në edicionin aktual po shfaq futboll të mirë. Atletico Madridi luan në udhëtim te Mallorca të dielën nga ora 16:15.
Atletico ka 23 pikë, kurse Mallorca ka 18 pikë.