Superliga

Malisheva e Dukagjini marrin nga një pikë

Drilon Hazrollaj

Drilon Hazrollaj sërish kyç për Malishevën

Malisheva dhe Dukagjini kanë marrë nga një pikë nga ndeshja e xhiros së 28-të e elitës së futbollit kosovar që u zhvillua të shtunën pasdite.

Malisheva dhe Dukagjini barazuan me rezultatin 1:1, në ndeshjen që u luajt në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.

I pranishëm në këtë ballafaqim ishte selektori i Kosovës, Franco Foda.

Malisheva nga minuta e 41-të mbeti pa qendërmbrojtësin Agon Xhaka, që bëri ndërhyrje të palejuar në Bujar Shabanin e Dukagjinit. Gjyqtari kryesor Mervan Bejtullahu e përjashtoi nga loja Xhakën.

Në pjesën e dytë u shënuan të dy golat e ballafaqimit.

Altin Merlaku në minutën e 53-të shënoi për Dukagjinin, kurse Drilon Hazrollaj realizoi nga penalltia në minutën e 77-të.

Penalltinë e fitoi vetë, pas ndërhyrjes që ia shkaktoi mbrojtësi i krahut të majtë, Arbër Shala.

Për të dyja skuadrat ishte barazimi i dytë i njëpasnjëshëm në Superligë.

Pas 28 ndeshjeve, Malisheva zë vendin e katërt me 49 pikë, kurse Dukagjini i gjashti ka 36 pikë.