FASHIONISTA

Të gjithë disenjatorët në katër qytete të modës

“Sa jom n’Paris, sa jom n’Milano” është definicioni perfekt për këto ditë që kanë kaluar vajzat dhe djemtë që i përkasin botës së modës. Si çdo vit, u mbajt “Muaji i modës”, ku për katër javë blogerët, gazetarët e modelet e ndryshme vizituan katër qytetet më me influencë në këtë fushë. New Yorku, Londra, Milanoja dhe Parisi janë qytetet ku shfaqen sfilatat e brendeve më me zë në industri.

Pa diskutim se gjatë këtyre ditëve kemi parë trendët e ardhshëm. Nga sfilatat e mbajtura vërejmë se eleganca e klasikja nuk dalin asnjëherë nga moda, kësaj here iu dha më shumë zë këtyre pikave.

Nga koleksionet e prezantuara dukej se disenjatoret ishin mbledhur në një dhomë të përbashkët dhe njëzëri kanë vendosur që sakot, këmishët me kravata, fundet e gjata dhe fustanet me shkëlqim do të jenë veshjet e këtij viti.

Duke filluar nga “Prada” e “Michael Kors” në New York e deri te “Saint Laurent” në Paris, koleksionet kishin një lidhshmëri mes vete.

Disenjatorët ishin frymëzuar nga gra të forta, të cilat duan të ndihen joshëse, elegante, por edhe komode me veshjet e tyre.

Brendi që hapi “Javën e modës” në New York ishte “Rodarte” , dy disenjatoret e markës prezantuan koleksionin vjeshtë/dimër 2023.

Por, pavarësisht koleksioneve të ndryshme që u shfaqën gjatë kësaj jave, shfaqja që pritej me padurim ishte ajo nga “Michael Kors”. Brendi shfaqi koleksionin e vjeshtës për këtë vit. Gloria Steinem, Jane Fonda e Tina Turner ishin inspirim për brendin që krijoi një homazh për to. Koleksioni u titullua “Urban Bohemia” dhe disenjatori e përshkruan si njërin nga koleksionet më personale për të.

Brendi “Luar” e mbylli javën e modës në New York.

Nga New Yorku shkojmë në Londër, qyteti i radhës ku shumë disenjatorë shfaqën krijimet e tyre.

Një nga ngjarjet që e filloi “Javën e modës” në Londër ishte shfaqja e organizuar në kujtim të ikonës së modës, Vivienne Westwood.

Marka “Burberry” prezantoi koleksionin e parë debutues të kreatorit Daniel Lee. Nga kritikët e modës ky debutim cilësohet si “epoka e re” e markës. Ky është një ndryshim i madh për brendin, i cili u krijua 167 vjet më parë nga Tomas Burberry, i cili ishte vetëm 21 vjeçar atëkohë.

Pa diskutim që Nensi Dojaka është një nga emrat më të fuqishëm në industrinë e modës, shqiptarja edhe një herë i tregoi botës që ka bërë revolucion në stile. Duke mos u larguar nga vetvetja, ajo vendosi trendin e ri të fustaneve, mbulimi i gjoksit vetëm me lule.

Koleksioni që mori vëmendjen më të madhe në Londër ishte ai i realizuar nga “Diesel”. Në hyrje të sfilatës vërehej një mal i madh me 200.000 kondomë. Koleksioni ishte bashkëpunim me “Durex”. Ky ishte një sensibilizim për kujdes ndaj sëmundjeve seksuale.

“Javën e modës” në Milano e hapi brendi “Max Mara”, brend ky i krijuar në vitin 1951.

“Prada or Nada”, kjo është shprehja e famshme për brendin, i cili kishte krijuar një libër prej 560 faqeve si ftesë për të parë shfaqjen. “Bukuria e reciklimit” titullohet sfilata në të cilën u rikthye në pasarelë supermodelistja Gigi Hadid.

“Gucci” gjithashtu shfaqi koleksionin e fundit vjeshtë/dimër 2023 në Milano. Sfilatën e “Guccit” e hapi një modele e veshur nga një fund i gjatë i zi.

“Ferragamo” kishte përdorur disa ngjyra në sfilatë, të cilat i ka kombinuar me të zezë si ngjyra bazë e koleksionit. Ngjyrat dominuese ishin e kuqja, e kaltra dhe e verdha.

Pas disa koleksioneve të shfaqura në Milano ishte koha që të gjithë të ishin sy e vesh për brendin “Bottega Veneta”. Marka i kishte përdorur çorapet si këpucë për sfilatë. Shumë aksesorë në sfilatë ishin të pikturuar nga pikstori Umberto Buccioni.

Nga Milano në Paris. “Dior” është brendi që i mblodhi të gjitha fytyrat më të rëndësishme të modës në një ambient. Brendi kishte krijuar një ambient magjik për ta shfaqur koleksionin të cilin e titulloi “Valyrie Miss Dior”. Sfilatën e hapi një modele e veshur me një fund të zi sateni dhe këmishë të bardhë, aspak për t’u habitur.

Pas “Dior” radhën e kishte “Saint Laurent”. Hapësira ku u shfaq sfilata e brendit YSL ishte inspirim nga dhoma e ballove të organizuara në hotelin internacional të Parisit. Marka atë dhomë e kishte shfrytëzuar për t’i shfaqur koleksionet në vitet 1975 deri tek viti 2001. Të gjitha modelet në sfilatë kishin syze.

“Off-White” shfaqi një koleksion tërësisht ndryshe nga ajo se çka kemi parë deri më tani. Modelistja Naomi Cambell parakaloi në sfilatë në mbështetje të brendit dhe disenjatorit IB Kamara.

Isabel Marant befasoi shikuesit duke sjellë një imitim të “US Vogue 2009” në pasarel.

Loewe është njëri nga brendet më të pëlqyera të momentit, i cili sfilatën e filloi me një fustan të bardhë. Loewe kishte krijuar disa lloje të këpucëve për sfilatë, të cilat u komentuan pozitivisht nga kritikët.

Victoria Beckham për koleksionin e saj u inspirua nga filmi i saj i preferuar “Grey Garden”.

Marka “Coperni” kishte bërë një miks të klasikes dhe teknologjisë së fundit. Pjesë e sfilatës ishin edhe disa robotë.

Sfilatën e krijuar nga Alexander McQueen e filloi supermodelistja Naomi Cambel me një korset të zi dhe pantallona të zeza. Koleksioni ishte krijuar nga Sarah Burton, e cila kishte realizuar një punë fantastike.

Pas dramës së krijuar muaj më parë, “Balenciaga” rikthehet në pasarelat e Parisit. Demna shprehu falënderimin e tij për pjesëmarrësit, disenjatori edhe një herë i tregoi botës se ai ka lindur për këtë punë.