Pas shtatë ditësh maratonë filmash të animuar, festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar” i erdhi fundi, mirëpo jo edhe thirrjes së edicionit “Shembe patriarkatin”.
Animacioni nga Polonia “Zima”, me autorë Tomek Popakul dhe Kasumi Oz, ka marrë Çmimin kryesor të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar” në Pejë.
“Zima” përdor kafshët si metafora për mbajtjen e traditave mizore që gjithashtu dëshirojnë një jetë ndryshe
Në mbrëmjen e së dielës në “Kino Liqe”, në parkun “Karragaq” të Pejës, pjesëmarrës e mysafirë janë bërë bashkë për të finalizuar edicionin e sivjetmë, të 15-in me radhë të “Anibarit”.
Pjesa e ndarjes së çmimeve është njëfarë ceremonie më vete. Sipas jurisë së Garës Ndërkombëtare, filmi fitues “Zima” paraqet të rinjtë që kërkojnë lirinë, ndërsa përjetojnë një konflikt pritshmërie nga gjeneratat e vjetra.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, sikurse ajo e hapjes, është moderuar nga aktorja Zana Berisha.
Hapja ka nisur me dy video ku janë përmbledhur ditët e “Anibarit”.
Në këtë edicion Çmimin e Audiencës e ka marrë “Our Uniform” të Yegane Moghaddam, kurse ai për të rinjtë “Aeaker” të Filip Divjak. Në Garën e të rinjve ka triumfuar “The Sprayer”, është shpallur më i miri.
Te Gara e Studentëve ka triumfuar filmi “BunnyHood”, nën regji të Mansi Maheshwari. Filmi britanik, sipas jurisë, vjen me montazh, dizajn të zërit dhe estetikë vizuale të krijuar në një mënyrë freskuese punk.
“Perceptimi i personazhit kryesor për rrethinat e saj ndihet si një ëndërr e ethshme e pafund. Ajo jo vetëm që po humb kontrollin mbi trupin e saj, por Bobby po humb edhe besimin te nëna e saj”, deklaroi anëtari i jurisë Sander Joon.
Juria e Garës Ndërkombëtare ka vlerësuar edhe filmat e Ballkanit në garën e dominuar nga kroatët.
“The Family Portrait” me autore Lea Vidakoviq është shpallur filmi fitues i kësaj kategorie.
“Një portret i një shoqërie në rënie, rënia e një perandorie të errët, zbrazëtia e klasës së lartë, mungesa e dashurisë, një familje e thyer, ndarje dhe mjerim, vendime që çojnë në katastrofa sociale vetëm për pushtet dhe para”, tha Armanda Bonajuto, një tjetër anëtare e jurisë.
Në Garën e Filmave për të drejtat e njeriut, e njëjta juri ka vlerësuar edhe video-animacionet muzikore ku me Mirënjohje Speciale është nderuar ekipi i filmit "Stop the Music" i Weronika Anna Mariannas.
Te Gara për të Drejtat e Njeriut, “Kissing Day” me autore Ligebita Libera ka marrë Mirënjohje Speciale
“Si të shprehësh dashurinë? Një prekje? Një puthje? Por çfarë nëse do të rrezikoje jetën kur puthesh? Një ekip guximtar ka krijuar një histori shqetësuese dhe informuese për aktivizimin LGBTQI+ në Rusi, që na la pa qetësi”, deklaroi Waltraud Grausguber.
“Anibar” sivjet as në konkurrencë e as në programe të veçanta nuk ka pasur asnjë film të animuar vendor. Për këtë edhe ka pasur kritika.
Këto ditë nën temën “Shembe patriarkatin!” në katër lokacione – përfshirë atë ku filmat janë dhënë në “VR” – audienca ka parë 158 filma në 10 kategori.
Prej orës 10:00, kur janë shfaqur animacionet për fëmijë e deri në 23:00, kinematë kanë qenë në dispozicion të atyre që duan filmat e animuar. Pothuajse të gjitha rrëfimet direkt ose indirekt i kanë shkuar për shtati temës së sivjetme. Patriarkati është telash global. Bëhet edhe më i rëndë në vendet si Ballkani. Por arti mbetet armë kreative për të prekur mendësitë.