Konsiderohet si një prej kryeveprave teatrale e cila i ka mbijetuar kohës me shekuj. “Tartufi” i Molierit satirizon hipokrizinë, dilemat morale dhe manipulimin e besimit. Drama e Molierit u dha premierë të hënën mbrëma në skenën e teatrit të qytetit të Gjilanit. Shfaqja nën regji të Qëndrim Rijanit, duke i qëndruar besnik thelbit të origjinalit, gërsheton mjeshtërisht çështjet bashkëkohore, duke krijuar një eksperiencë klasike teatrale.
Në skenë aktorët veçse kishin zënë vendet fillestare. Publiku fillojë të hyjë dhe brenda pak minutave nuk mbeti asnjë vend i lirë. Çdonjëri gati për të qenë dëshmitarë të inskenimit të një klasiku siç është “Tartufi”.
Në shfaqje, komploti qendror sillet rreth personazhit Orgon të luajtur prej Ernest Zymberit, një burrë i pasur që e konsideron Tartufin e portretizuar nga Kushtrim Qerimi, njeri të devotshëm dhe të shenjtë, dhe e fut në shtëpinë e tij. Orgoni bëhet verbërisht i magjepsur me Tartufin dhe planifikon të martojë vajzën e tij Marianan me të, pavarësisht kundërshtimeve të saj. Familja e Orgonit sheh përtej mashtrimit të Tartufit, duke e njohur atë si hipokrit dhe mashtrues, por Orgoni mbetet i palëkundur në besimin e tij. “Tartufi”, i shkruar në shekullin e 17-të, mbetet një koment i ashpër mbi mashtrimin dhe manipulimin e besimit për përfitime personale. Në versionin e inskenuar në Teatrin e qytetit të Gjilani flet edhe për inatin.
Regjisori Rijani e ka vlerësuar sukses mbrëmjen e premierës së “Tartufit”. Duke e arrë parasysh numrin e madh të shikuesve dhe shitjen e të gjitha biletave edhe për reprizat, rijani është shprehur i lumtur.
“Është vepër e vështirë realisht. Është një prej veprave më të dhëna në botë. Me Ersonin vendosëm t’i rrekemi një klasiku edhe të përpiqemi që me trupën e Gjilanit të sjellim një vepër klasike por në formën e teatrit të përzier e cila në një formë apo tjetrën vjen në kohën tonë. E kam zhveshur veprën e Molierit prej gjërave që i thonë asaj kohe duke e vëshur me gjërat dhe ngjarjet që i flasin kësaj kohe. Besoj që ia arritëm qëllimit dhe që do të ketë jetë të gjatë dhe them që i flet kësaj kohe, sidomos në kontekstin e marrëdhënies me hipokrizinë, marrëdhënies njerëzore, raportit me njëri-tjetrin ku gjithmonë na shoqëron akoma më tepër hipokrizia, tradhtia që i bëjmë njëri tjetrit dhe në fund fare dimensioni i pushteti i cili na nxjerr edhe nga shtëpia jonë vetëm pse e ka fuqinë”.
Anëtarët e tjerë të familjes hartojnë skema për të ekspozuar natyrën e vërtetë të Tartufit. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, Orgoni mbetet i pavëmendshëm ndaj dinakërisë së Tartufit.
Trupa e aktorëve japin një paraqitje të përkushtuar dhe intensive. I japin frymë dramatike situatave të shfaqjes e për disa momente gjatë shfaqjes edhe këndojnë. Sipas regjisorit, ky rezultat është arritur pas 35 ditë provash përballë kompleksitetit të veprës edhe për nga ana teknike.
“Kanë qenë orë të gjata provash, realisht është bërë shumë shpejt, është bërë me 35 ditë prova një vepër e kësaj përmase edhe në aspektin teknik është e vështirë. Besoj se kemi kaluar mirë, ajo adrenalinë që na ka shoqëruar në prova do t’i shoqërojë vazhdimisht në çdo reprizë të kësaj shfaqje në të cilën e shoh se aktorët ndihen mirë kur luajnë”.
Pika e kthesës në shfaqje vjen kur Tartufi përpiqet të joshë gruan e Orgonit, Elmire, dhe Orgoni më në fund e kupton mashtrimin. Në fund, zbulohen ngjyrat e vërteta të Tartufit dhe një lloj drejtësie mbizotëron. Shfaqja satirizon hipokrizinë fetare, besimin e verbër dhe mendjemprehtësinë e individëve, duke ofruar një koment komik por therës mbi marrëzinë njerëzore dhe normat shoqërore e ato politike.
Aktori Kushtim Qerimi, i cili e portretizon rolin e Tartufit është shprehur se për ta dhënë këtë shfaqje është dashur guxim. E ka vlerësuar punën e Rijanit mbi shpërfaqjen e anës dramatike të veprës.
“Kemi pasur pak drojë. Është dashur të kemi pak guxim. Është një vepër shumë e njohur kështu që unë e kam pasur hezitimin tim që nëse vendosja bëhet tipike klasike ashtu siç e ka shkruar autori, ju kam treguar që nuk e di se sa do të mund të themi diçka. Kur kam parë që qëndrimi i Qëndrimit ka qenë që të nxirret ana dramatike e kësaj vepre e cila shquhet për një komedi shumë klasike, më ka pëlqyer dhe kam nisu më shumë më shumë vullnet se sa potë vendosej në një prizëm realisti”.
Premiera e fundit për këtë vit në Teatrin e qytetit në Gjilan i dha jetë të re shfaqjes duke integruar sfidat aktuale sociale, politike dhe kulturore. Vizioni i regjisorit për ta veshur shfaqjen në numrat e sotëm shtoi shtresa kompleksiteti te personazhet dhe ngjarja në tërësi. Eksplorimi i besimit dhe manipulimit gjeti një pikëpamje të re pasi tërhoqi paralele me skandalet dhe polemikat e sotme. Skenografia nga Bekim Korça dhe kostumet nga Yllka Brada, erdhën të ndërthurura me elemente nga të dyja epokat, duke krijuar një spektakël vizual që përforcon përjetësinë e temave të veprës.
Qerimi ka krahasuar edhe rrethanat e kohës kur Moliere e ka shkruar “Tarturfin” me ato tani. Ka theksuar se në këto kohë duart janë të lira për ta zhveshur veprën në mënyrë që e vërteta të vihet në pah.
“Kjo është me veprat klasike. Nëse i vendosë në realizëm thuajse nuk kanë kuptim sepse i kemi parë e stërparë dhe stërlexuar kështu që nëse nuk themi diçka të re atëherë nuk e di ku është arsyeja e vendosjes së tyre në skenë. Jam i lumtur që e kemi bërë dhe do t’i ftoja të gjithë që të vijnë dhe ta shohin një anë tjetër të ‘Tartufit’ meqenëse edhe vet autori ka fshehur anën dramatike dhe protestën e tij përmes komedisë brenda veprës për shkak të regjimit të asaj kohe dhe ne i kemi duar e lira ta zhveshim në mënyrë që ta shohim të vërtetën që ka dashur ta thotë ai”.
Përtej vlerës argëtuese, ky adaptim i “Tartufit” shërbeu si një pasqyrë për shoqërinë, duke e shtyrë shikuesin të vënë në dyshim vërtetësinë e atyre që kanë ndikim dhe pushtet.
Udhëheqësi i teatrit të qytetit të Gjilanit është shprehur i lumtur rreth përmbylljes së programit për këtë vit me një premierë të një shfaqjeje të tillë.
“Gjendemi pas dhënies së premierës për shfaqjen ‘Tartufi’ ku edhe unë si udhëheqës i institucionit jam me emocionet akoma pas shfaqjes por që jam shumë i lumtur në mënyrën se si është punuar shfaqja dhe me konceptin e regjisorit, me punën që e ka bërë me aktorët dhe me kualitetin që e ka ansambli i teatrit të qytetit të Gjilanit të cilët arritën ta sjellin në këtë format “Tartufin” që e pamë sonte”.
Reprizën e parë shfaqja “Tartufi” do ta ketë më 1p9 dhjetor për të vazhduar me të tjerat në shkurt të vitit 2024.