Kur u fikën dritat e kinemasë dhe ekrani reflekton ngjarje, nisin emocionet, shtohet kureshtja e shpesh triumfon adrenalina. Pranë cilit do që të jesh, në çfarë do momenti, karriget e kuqe të sallës së kinemasë rrisin bashkëveprimin pa komunikim.
Por forma tradicionale e shfaqjes së filmave nëpër ekranet e kinemasë tashmë nuk është e vetmja që të bën të bashkëndjesh me protagonistët.
Koncepti i realitetit virtual ose shkurt “VR” dhe shikimi i filmave me anë të një palë syzeve jo fort të zakonshme gjatë 7 ditëve të “Anibarit” ka dëshmuar ndikimin e teknologjisë në krijimin e emocioneve të përbashkëta.
Vendosja e pajisjeve “shkyç” shikuesin nga realiteti në të cilin jeton, e për pak minuta bënë që hapësira jetësore e tij bashkë me një sërë ngjarjesh interesante të ndryshojë. Në Pejë kjo ka ndodhur me katër filma të animuar që u shfaqen me programet e realitetit virtual për shtatë ditë radhazi.
“Çka e bën të veçantë këtë kategori është që perspektiva prej të cilit e sheh filmin është prej karaktereve që gjenden brenda në film. Në disa prej filmave je observues. Në disa prej filmave ti je në lëvizje brenda krejt ngjarjes që ndodh në film. Është një koncept krejt tjetër i asaj se qysh e kupton filmin ai që e sheh”, deklaroi Timur Urcan.
Galeria e Artit në Pejë me këtë program në kuadër të Anibarit u shndërrua në një pikë tjetër promovuese për filmat e animuar.
Kush e vizitoi atë, kishte rastin të hyjnë në botën e tjetrit, të zhyten në një histori dashurie mes një vajze të vogël dhe një zombi, të sfidojnë gravitetin e të hyjnë në vende krejt abstrakte, si për shembull një pikturë.
“Këtë vit kemi filmat “Gloomy Eyes” me tri episode, “Strands of Mind”, “Marco & Polo Go Round” dhe “The Scream”, që janë filma të produksioneve franceze dhe gjermane. Ka interesim shumë më të madh se vitin e kaluar, për shkak se prej vitit të kaluar e kanë mësuar njerëzit edhe vendin dhe po kanë dëshirë që të vijnë t’i shohin. Po vijnë zakonisht tri ditë radhazi që t’i shohin të gjithë filmat. Ndonjëherë po kemi vështirësi që të menaxhojmë edhe numrin e njerëzve që po vijnë të shohin filmat me VR. Në të njëjtën kohë për ne është shumë sukses i madh sepse është teknologji e re dhe një formë shumë interesante për të shikuar filma. Shumë njerëz po thonë që pasi po i shohin filmat me VR, filmi në ekran nuk po e ka ndjenjën e njëjtë. Jemi duke parë nga jashtë shumë reagime të njerëzve se si po zhyten në botën e realitetit virtual”.
Por pos rolit të kinemasë virtuale, Galeria e Pejës për ditët e festivalit “Anibar” qëndroi edhe në rolin e vet. “Frame by Frame” quhet ekspozita e hapur në të, e cila i mundëson publikut të përballet me prapaskenat e asaj se çka sheh në ekranet e kinemasë.
Me “Anibarin” audienca përballet përtej produktit final, edhe me procedurën e punës, dhe kjo rikthen çështjen te njëra ndër pikat e forta të festivalit: zhvillimin çdo ditë e më të madh të animacionit.
“Njëjtë edhe si vitin e kaluar po në një numër shumë më të madh të filmave e kemi sivjet ekspozitën “Kornizë për Kornizë” ose “Frame by Frame”. Ne u kërkojmë filmave që bëhen pjesë e festivalit të na dërgojnë foto gjatë procesit të punës që të bëjmë një ekspozitë. Kemi skica të filmave, foto nga pika kur kanë filluar t’i ndërtojnë skenat e deri te produkti final. Është një ekspozitë që pak a shumë u tregon njerëzve që vijnë ta shohin krejt procesin e filmave që shfaqën në “Anibar”, në mënyrë që ata ta kenë edhe një kuptim tjetër të atij filmi. Mund ta kuptojnë edhe anën teknike të filmit dhe jo vetëm anën kreative”.
Për shtatë ditë të javës së kaluar, ata që kanë mësyrë hapësirën ku animacionet i kanë shikuar në 3D kanë përjetuar një tjetër botë. E të rinjve që ishin pjesë të punëtorive, ky format ua ka ngacmuar edhe më kreativitetin, duke ua rritur dashurinë për animacionin.