Mjeshtëria teknike dhe thellësia emocionale, të përforcuara nga atmosfera dramatike e krijuar prej ndriçimit të sallës në të kuqe, do të ishin veç një përshkrim i thjeshtë i koncertit të tretë në kuadër të edicionit të 14-të “Chopin Piano Fest”.
Kryefjala qe Kosti Deti, pianisti virtuoz nga Shqipëria.
Në koncertin e së premtes së kaluar, i pari në Kosovë për instrumentistin e shquar, ai ka sjellë vepra muzikore nga literatura klasike evropiane, por u ka bërë vend edhe dy kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë. Veprat nga Feim Ibrahimi dhe Aleksandër Peçi u luajtën për publikun me një lojë brilante.
Si mysafir special në koncert ishte i ftuar ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj i cili i parapriu performancës së Kosti Detit. Ka folur për rolin që kanë festivalet e tilla në shkëmbime ndërkulturore.
“Ky festival do të thosha është një shembull i shkëlqyer i fuqisë së muzikës për të kapërcyer kufijtë dhe për të ndërtuar ato urat e nevojshme mes kulturave. Jo vetëm që e nderon trashëgiminë e madhe të njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm botëror por promovon dhe talentet e reja dhe nxit dialog kulturor të pasur dhe të shumëllojshëm”.
Recitali me piano filloi duke krijuar hije që thekson çdo lëvizje dhe shprehje të veprës “Fryn veriu” nga Aleksandër Peçi.
Me “Sonatën nr. 32” të Beethovenit, edhe pasioni i Detit është vënë më shumë në pah.
Kryevepër për piano, por po aq sa edhe performanca e virtuozit nga Shqipëria, i cili i ndërronte faqet e partiturave, i flakte ato me shpejtësi sikur të ishin pjesë e performancës.
Që nga viti 2021, Kosti Deti studion nën mentorimin e njërit prej pianistëve më të vlerësuar në botë, Dimitri Alexeevit.
Pas përmbylljes së suksesshme të koncertit, festivali “Chopin...” i dhuroi kopjen e “Hyjneshën në fron”, e cila njëherësh do ta shënojë takimin e parë të tij me publikun në Kosovë. E për ketë i ka kushtuar rëndësi përzgjedhjes së repertorit.
“Në fakt përzgjedhja e këtij repertori ishte me tendencë sepse repertori ishte i ndarë në dy gjysma: në muzikën klasike të literaturës pianistike botërore dhe asaj shqiptare duke u fokusuar te dy kompozitorë të mëdhenj si Feim Ibrahimi dhe Aleksandër Peçi. Nuk mund të lija pa i futur në repertor dy kompozitorë kaq të mëdhenj shqiptar, sidomos për t’i luajtur në Kosovë. Veprat e tyre më të rëndësishme ‘Tokatën’ e Feim Ibrahimit dhe e ‘Sonatën’ e Aleksandër Peçit e cila ishte projektuar për t’u luajtur disa vjet më përpara këtu, nuk u bë e mundur dhe si të thuash... e kisha si borxh për publikun kosovar që ta interpretoj”.
Kosti Deti bën pjesë te kuadrot e piketuara nga drejtoresha artistike e “Chopin...”, Lejla Pula, e kjo për drejtoreshën organizative Besa Luzha është fat dhe krenari që emra të tillë të bëhen pjesë e këtij festivali.
“Profesoresha Lejla Pula si pianiste dhe anëtare e jurive të shumta nëpër gara të shumta botërore, ka njohur performues të tillë qysh nga vegjëlia, kur kanë fituar çmime dhe i përcjell vazhdimisht ata. Pastaj ne tentojmë që t’i ftojmë ata para publikut të Prishtinës. Kështu që kur arritëm ta sjellim këtu ishim shumë të kënaqur dhe e dinim se do të jetë i pranishëm me virtuozitetin e tij edhe veprat qe ishin të zgjedhura, ishin shumë të guximshme sikur karakteri i tij. Gjithçka që solli, e solli me një mjeshtri dhe emocion me një karakter dhe temperament tamam qysh e kemi pritur”.
“Chopini Piano Festi” sapo ka marrë vrull. Janë të tjerë instrumentistë virtuozë që presin të ngjiten në skenë.