Organizimi i “Verës Kulturore” nga Drejtoria e Turizmit e Komunës së Prizrenit po kritikohet nga opozitarët, por edhe aktivistët e shoqërisë civile. Opozita konsideron se me këtë projekt është rritur kaosi në qendrën historike, derisa shoqëria civile ka shprehur qëndrimin se për vendosjen e shtëpizave të drurit nuk është marrë pëlqimi nga organet e trashëgimisë kulturore. Drejtuesit e Komunës kanë thënë se niveli i organizimit mund të përmirësohet, porse kontestimi i tërë projektit nuk është i bazuar.
opozitar, Ilir Gashi, të enjten në seancën e Kuvendit ka thënë se ky projekt krahas zhurmës po pengon edhe qarkullimin e lirë të njerëzve.
“Projekti "Vera Kulturore", që ka filluar në Sheshin e Lidhjes, përveç kaosit ekzistues, ka shtuar edhe më tepër kaos në qendër të qytetit, në qendrën historike”.
Drejtoresha e Turizmit, Lirije Xhemaj-Bytyqi, ka vlerësuar se kritika e asamblistit të Vetëvendosjes është personale, meqë ai është njëri ndër organizatorët e Panairit të Librit në këtë zonë të qytetit. Sipas saj, “Vera Kulturore” është mirëpritur nga qytetarët e vizitorët.
“Të gjithë ata përfituesit e shtëpizave, bizneset janë të kënaqura me punën; edhe turistët, të gjithë qytetarët, po i shoh reagimet se janë të kënaqur me këtë aktivitet”.
Gjatë ditës ka reaguar edhe OJQ “EC Ma Ndryshe”, duke theksuar se aktivitetet e institucioneve publike në Qendrën Historike të Prizrenit po vijojnë të realizohen pa koordinimin e duhur me autoritetet e trashëgimisë kulturore. Sipas kësaj organizate, për “Verën Kulturore” nuk është marrë pëlqimi paraprak nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren.
u bën thirrje organeve komunale që në rastet e tilla të koordinohen më mirë me autoritetet e trashëgimisë kulturore ashtu që të respektohet legjislacioni përkatës për trashëgiminë kulturore. EC përkujton se të gjitha aktivitetet që realizohen në Qendrën Historike të Prizrenit duhet të kenë parasysh edhe rëndësinë e monumenteve të mbrojtura, dhe se në këtë aspekt është më se i nevojshëm dhe i rëndësishëm edhe konsultimi me autoritetet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, me qëllim të aplikimit të kujdesit të shtuar për integritetin e kësaj zone të mbrojtur me ligj”.
Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit, ka pohuar se ka hapësirë për përmirësime në organizim dhe ka shtuar se "Vera Kulturore" synon një agjendë më dinamike dhe mikpritëse në Prizren për mërgimtarët.
“Në qoftë se themi se a ka mundësi që të organizohet më mirë, gjithmonë ka mundësi të bëhet më mirë, mirëpo nuk mendoj se duhet të kontestohet si projekt, sepse qëllimin e ka te dinamizimi i jetës, dhe krijimi i një agjende për me i pritë bashkatdhetarët tanë”.
“Vera Kulturore 2023” në Prizren ka filluar më 15 korrik dhe ka për synim ka përkrahjen e bizneseve dhe produkteve vendore, tërheqjen e vizitorëve dhe argëtimin e mërgimtarëve gjatë stinës së verës.