Enigmat shumëpjesëshe të pikturave mjaft komplekse për disa vjet janë zgjedhur nga Jon Thaqi, 16-vjeçari me autizëm. Zgjedhja e tyre ka plotësuar një tjetër mozaik, atë të ekspozitave me “puzzle”. Një ekspozitë me vepra të tilla është hapur në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë. Qëllimi është vënie në pah të aftësisë së tij, sensibilizimi për autizmin e motivimi i të gjithëve që kanë talent në një fushë të caktuar.
14 vepra nga shumë të tilla që i ka realizuar ndër vite, janë përzgjedhur për ekspozitë.
“Ideja fillimisht ka ardhur nga talenti i Jonit, e pastaj edhe promovimi i talenteve dhe puna që dikush mund ta bëjë në mënyrë perfekte. Ideja e krejt kësaj është se si ne si individ dhe si persona kemi talent në diçka të caktuar. Joni bën gjëra që të tjerët s’mund t'i bëjnë dhe qëllimi ka qenë që të promovohen gjërat që dikush arrin t’i bëjë”, deklaroi Hatixhe Zogaj.
Ekspozita shpalos aftësinë e artistit për të bashkuar pjesët e servuara. Është edhe nga aspekti i përmbajtjes dhe realizimit.
Luljeta Muçaj, profesoreshë e artit në këtë shkollë, e cila këtë vit u zgjodh edhe profesoresha e vitit, ka thënë se të tilla ekspozita ndryshe nga forma tradicionale janë të dobishme për artistët, sidomos kur ata janë fëmijë.
“Në përgjithësi në pjesën e artit unë e kisha shti edhe pjesën e artit puzzle për shkak se gjeneratat e reja që janë duke ardhur janë shumë të gjallë dhe kreativë, por ndonjëherë i duhet edhe durimi. Për me u dhënë atyre mundësinë që të kenë durim puzzle është një detyrë e shkëlqyeshme. Përpos individualisht, me puzzle mund të zhvillojmë edhe idenë e grupacionit, që i shtin ata me u ul në grup edhe me bashkëpunu për të krijuar forma dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin”.
Ekspozita qëndroi e hapur për dhjetë ditë.