Në një shkrirje të talentit dhe nostalgjisë, “Bibera Trio” shembi muret e qendrës “7 Arte” me tingujt e pafundmë të jazzit, duke rikthyer magjinë e sinergjisë muzikore. Arian Randobrava në saksofon, Enes Bajramliqi në bateri dhe Ilir Bajri në sint u ngjitën në skenë për një natë improvizimi dhe standarde klasike të këtij zhanri muzikor në ngjarje të titulluar me vend “Tue pa, tue ba”, e cila edhe e ka përcaktuar tempin e koncertit, por njëkohshëm zbërthen filozofinë e jazzit.
Rikthmi i treshes pas një pauze së cilës as vetë anëtarët e “Bibera Trio” nuk mund t’ia vënë një datë të caktuar, nuk ishte asgjë më pak se mbresëlënës. Energjia mes anëtarëve kishte mbetur e palëkundur. Lidhja e pandërprerë dhe respekti i ndërsjellë në nivelin muzikor ishin të dukshme, duke krijuar një atmosferë krijimtarie të përbashkët. Mbrëmja nisi me “Little Sunflower” duke përgatitur terrenin për një natë përplot me mjeshtëri muzikore. Treshja përshkoi repertorin e muzikës jazz me tingujt e këngëve si “Softly” e “Maiden Voyage”.
Pianisti Ilir Bajri ka theksuar se “Bibera Trio” vjen si një formacion më i veçantë në shumë aspekte. Ka thënë se çdonjërën performancë bashkë me Randobravën dhe Bajramliqin e vlerëson si një udhëtim më vete.
“Sonte jemi këtu me ftesën e qendrës kulturore ‘7 Arte’. Mua natyrisht më ka marrë shumë malli që të bëj muzikë në Mitrovicë, sepse ka tash e një kohë që nuk kam bërë muzikë në Mitrovicë. Sidomos me këtë formacion të cilin unë e kam shumë për zemër, është ‘Trio Bibera”, një prej formacioneve më të ‘trenta’ që unë kam pasur ndonjëherë, në shumë aspekte. Kam shumë qejf të bëj muzikë me këta dy shokët e mi. E kemi njëfarë koncepti, njëfarë kimie pak më specifike, ndoshta”.
‘7 Arte’ ka ofruar sfondin e përsosur për këtë takim muzikor, duke krijuar një ambient që i lejoi audiencës të zhytej plotësisht në përvojë. Dialogu muzikor i treshes u shtri përtej skenës, pasi interpretuesit dhe publiku u angazhuan në një shkëmbim reciprok energjie, duke krijuar një atmosferë unike dhe interaktive.
Bajri ka zbuluar një shtresë shtesë të performancës së tyre, duke ndarë përpjekjet për t’i bërë pjesë të përvojës ata të cilët mund të mos jenë përshtatur fillimisht me muzikën. Angazhimi i tyre ndaj përfshirjes shtrihej përtej notave të luajtura në skenë. Ky përkushtim për zgjerimin e bisedës muzikore përtej entuziastëve të zakonshëm nënvizon aftësinë transformuese të jazzit për t’u lidhur me audienca të ndryshme.
“Është gjithmonë kombinim i të dyjave. Do të thotë ne natyrisht se krejt pjesët i kemi ushtruar për vete, por kur dalim t’i luajmë, prej momentit të parë kur kemi dalë bashkë e kemi pasur një qasje pak më të lirë. I lejojmë vetes edhe bendit të shkojë kah të na çon muzika. Shpeshherë edhe publiku na çon dika krejt tjetër. Varësisht prej emocioneve ose sjelljes që e kanë atë natë ajo ndikon shumë në mënyrën se si bëjmë muzikë. Edhe mua më pëlqen kjo, sepse pothuajse secila performancë është unike, çdo natë është diçka e re, nuk është monotone, edhe pse mund të jenë pjesët e njëjta gjithmonë qasja edhe interpretimi është më specifik, më origjinal”.
Arian Randobrava, saksofonisti i “Bibera Trios”, artikuloi një perspektivë tjetër për performancën e tyre, duke theksuar se futja e notave të jazzit është një akt i përsëritur i rritjes së ndërgjegjësimit për thelbin e muzikës cilësore. Kjo qasje nënvizon edhe përkushtimin e treshes ndaj zanatit të tyre.
“Është njëfarë forme e përsëritur e vetëdijesimit sepse në Mitrovicë ka traditë sa i përket jazz-muzikës e rockut dhe muzikës në përgjithësi. E ka vendin e pazëvendësueshëm, kontributin e njerëzve, artistëve dhe muzikantëve që vijnë prej Mitrovicës kështu që kjo nuk është diçka e re në Mitrovicë por kohëve të fundit ka pasur më pak paraqitje. Megjithatë, nga vera e këndej ka filluar Jazz Festivali i Mitrovicës që ishte një indikator goxha domethënës”.
Performanca e “Bibera Trio” ishte pjesë e rëndësishme në programin vjetor të “7 Arte” duke pasuruar aktivitetet kulturore të organizuara nga qendra alternative kulturore në Mitrovicë.
Lulzim Hoti, përfaqësues i “7 Arte”, ka theksuar se duke qenë pjesë e programit vjetor, nata e jazzit solli një shije unike ndër ngjarjet e ndryshme kulturore në qytetin e Mitrovicës.
“’7 Arte’ është mbështetur nga Ministria e Kulturës për programin vjetor në kuadër të cilit ne kemi paraparë aktivitete të ndryshme kulturore e në mesin e tyre normalisht që i japim rëndësi edhe muzikës jazz në këtë rast. Jazzi është një zhanër më specifik dhe kjo natë është e bukur me improvizime që harmonizohen shumë mirë dhe audienca po i vëren ato momentet e bukura”.
Duke e mbyllur natën me “Bibera Trio”, programi kulturor i “7 Arte” do të vazhdojë me një mbrëmje tjetër muzikore nën tingujt elektronikë të “Shkodra elektronike” më 1 dhjetor.