Bahri Misini kur ecën sheshit të qytetit të Mitrovicës në çdo vend ka nga një histori për ta rrëfyer.
Përtej kujtimeve të tij, ai brenda vetes ruan edhe historitë familjare. Tradita familjare në veprimtari hotelerie e gastronomie kapërcen nëpër dy shekuj.
Babai i tij, Ali Misini i cili e kishte trashëguar zanatin e të parëve gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore në qendër të Mitrovicës, hapi “Kafe Albania”. Këtë e dëshmon fotografia e shkrepur në vitin 1943 para kësaj kafeneje.
“Katragjyshi, babagjyshi, baba dhe mandej unë dhe kushëriri im Fatmiri me të shoqen jemi marrë me këtë punë. Pasi që e kam përfunduar ushtrinë, unë jam punësuar si referent për furnizim në të ’70-at, drejtor komercial dhe në fund drejtor. Kemi pasur lokale këtu në Mitrovicë dhe kemi qenë të parët për organizimin e festave, si 8 Marsi dhe Viti i Ri”, ka treguar Misini.

Ai e vazhdoi veprimtarinë e vet deri në vitin 1956, kur regjimi i kohës ia mbylli lokalin. Për shkak të presionit familja detyrohet të shpërngulet në qytetin e Shkupit. Atje hapi një restorant në Teatrin Shqiptar të Shkupit.
“Atje punuam deri në vitin 1963 kur ndodhi tërmeti dhe ne u kthyem në Kosovë. Këtu në qendër të Mitrovicës e hapëm një qebaptore dhe pasi që unë shkova ushtar babai e mbylli atë dhe e hapi një restorant te Stacioni i Autobusëve”, ka rrëfyer Misini.
Bahri Misini tashmë 73-vjeçar, kur shkon te fabrika e ëmbëlsirave, ndihet krenar për traditën e vazhduar. Ai ka vepruar në një mori hotelesh të Ndërmarrjes Hotelerike Ibër, e cila në vitin 1973 i bashkohet Ushqimit Shoqëror që njihet si Ndërmarrja Turistike Hoteliere Trepça. Ai ka ushtruar pozitën e drejtorit komercial deri në vitet ’90-ta.
Tradita shekullore e familjes vazhdoi nën brendin kompania “Missini”, e cila sot është e shpërndarë në 17 pika të qyteteve të Kosovës.
“Po mundohemi ta bëjmë punën si është më së miri me e trashëgu emrin që e kanë lenë të parët tanë. Sekreti i ëmbëlsirave këtu janë duart e arta të nënës. Ajo është thuajse kryesorja në kompaninë tonë”, ka thënë Astrit Misini.
Bahri Misini ndien nostalgji për kohën që ia kishte kushtuar fushës së hotelerisë andaj emocione të veçanta krenarie e përcjellin sa herë kalon nëpër lokalet e trashëguara nga familjarët e tij.