Për shumë vjet ishin shtresëzuar në kujtesë personale, pa gjetur forcën të thuhen në publik. Ishin rrëfime të nënave të dy artisteve Renea Begolli dhe Luiza Thaqi, të dyja të lindura më 1998-n. Nuk ndaheshin me të tjerët dhe kësisoj i mungonin mozaikut të narracionit për luftën. Por dy rrëfimet e tyre do të shërbenin si pikënisje. “Thuaje për të më kujtuar, që të mos harrojmë”, thyen heshtjen por jo vetëm. Bashkon dhjetë zëra.
Në një ekspozitë të ndjeshme dhe unike për nga tema e trajtuar, Qendra për të Drejtën Humanitare në Kosovë prezantoi veprën “Thuaje për të më kujtuar, që të mos harrojmë” nga Renea Begolli dhe Luiza Thaqi. E përzgjedhur nëpërmjet thirrjes për projekte artistike nga “DwP Creations”, ekspozita vjen si e fundit me radhë e këtij cikli me fokus te ballafaqimi me të kaluarën si një depërtim në thellësinë e përvojave të shumanshme të grave gjatë periudhës së luftës më Kosovë. E kjo është ana teknike e kësaj ekspozite, e prezantuar të premten mbrëma në Fondin për të Drejtën Humanitare në Prishtinë. Ekspozita e kthen vitin 1998, kur janë lindur të dyja artistet. Gjenealogjia e thirrjes, për ta thënë që të kujtohet që të mos harrohet, janë rrëfimet e nënave të tyre dhe grave të tjera që ndajnë eksperiencat e tyre rreth të qenit shtatzëna në prag të lindjes në mjegull lufte si një ndjesi që krijon përplasje fatesh kolektive.
Vizitori e gjen veten në errësirën e luftës, atë figurativen dhe literalen. Me perdet e zeza që mbyllin ambientin ekspozues, artistet ndërtojnë një ambient të errët, që përkon dhe me errësirën që i ka mbuluar këto rrëfime që prej vitit 1998.
Artistet e kanë të qartë se pozicionimi i gruas në luftë do një trajtim sa të veçantë e të bazuar në kontekste specifike, aq edhe universal, kur vjen puna te fati, të cilin rëndom e ndajnë të gjitha njësoj. Në kohë lufte jeta ironikisht vazhdon. Zhvillohet në mes të një kaosi kompleks. Në shpjegimin më të thjeshtë quhet mbijetesë. Shpirti i një gruaje shtatzënë në mes të këtij kaosi del në pah si damari i mbijetesës e qëndrueshmërisë, udhëheq simfoninë e çmendurisë me shkënditë e jetës së re, e cila harmonizohet krejt natyrshëm me disonancën e luftës. Nën hije të pasigurisë, ajo i jep frymë ekzistencës, ku kompleksiteti i krijimit vallëzon me realitetet e vrazhda të një kohe lufte. E të fshehura pas narrativave të betejave, këto histori të tyre mbesin gjithnjë nën perden e të parëndësishmes a të turpit. Përvojat e tyre të shënuara nga përputhja e vulnerabilitetit dhe forcës shpesh mbeten të pakomunikuara. E këtë heshtje, së paku në Kosovë, mundohet ta thyejë arti, siç bën zakonisht duke rrënuar mure e barriera të tjera.
Luiza Thaqi ka folur mbi idenë e konkretizimit të punës hulumtuese dhe procesit deri te zgjedhja e këtij mediumi për ta paraqitur atë vizualisht.
“Jemi nisur nga fakti se në bazë të asaj që kemi gjetur gjatë hulumtimit, pastaj me vendos se si me e ndërtu dhe punën vizuale. Është një material që e ndërton një reliev duke u bazuar prej idesë që shumica prej tyre kanë tregu që kanë qenë të mbyllura në kohën kur kanë qenë duke kaluar nëpër këto përjetime në luftë. Ideja e mbylljes në shtëpi, por dhe e një bote jashtë së cilës nuk e kanë ditur se çka po ndodh, po e kanë ditur që është luftë”.
Renea Begolli dhe Luiza Thaqi të lindura të dyja në vitin 1998 në Kosovë ndajnë tregimet personale të nënave të tyre dhe të një brezi që shërbejnë si dëshmia e gjallë e këtyre rrëfimeve, ato e pasurojnë hulumtimin me dëshmi të përjetimeve të luftës, nga gratë shtatzëna që u përkasin moshave, komuniteteve, besimeve e përkatësive sociale të ndryshme. Kështu, ato u japin këtyre grave mundësinë dhe zërin për të treguar përjetimet e tyre.
“Ideja ka qenë me i zgjeru tematikat dhe grupet e njerëzve kur diskutohet për luftën, sidomos gratë, sepse nuk janë të trajtuara sa duhet. Mënyra se si jemi rritë, duke i dëgju këto rrëfime vetëm brenda shtëpisë, kemi dashur që ky lloj diskutimi me dal përtej familjeve tona dhe me tregu për përjetimet e grave ne atë periudhe”.
Veprën ua kanë dedikuar nënave si mirënjohje e sakrificave të tyre, projekt ky i nisur me një qasje personale, por që në konkretizim merr tjetër formë. Kjo është edhe fuqia e artit. Përmes punës së tyre, ato e vokalizojnë ndër të tjera, dhe rëndësinë që bart trupi i gruas në kohë lufte, herë si jetëdhënës e herë si shënjestër i dhunës. E nisur nga kjo dhe ideja se ky trup shpesh është hyjnizuar duke i veshur role morale, shoqërore e biologjike, artistet bëjnë një kthesë në fokusin e këtij diskursi duke e rivendosur theksin në përjetimet e atyre grave, në pritje për t’u bërë nëna në kohë pa kohë.
“Thuaje për të më kujtuar, që të mos harrojmë”, siç përshkruhet në konceptin e ekspozitës, inkurajon komunikimin e këtyre kujtimeve në mënyra të ndryshme edhe pse përmes kësaj ekspozite u zgjodh ai vizual. Komunikimi i ndërsjellë, si fëmijë të luftës dhe si protagonistë të këtyre ngjarjeve synon të sigurojë që këto kujtime të mos zbehen me kalimin e kohës dhe të bëhen pjesë e një narrative më të gjerë të luftës në Kosovë.