EXPRESS

“The Flamenco Thief” i sjell Prizrenit energji në lojë ritmesh

Sezoni i koncerteve në Kino “Lumbardhi” të Prizrenit është hapur me performancën energjike të muzikantit britanik, Craig Sutton, i njohur si “The Flamenco Thief”. Muzika e tij, që vjen si një përzierje e kitarës me gypsy-swing, me rumba dhe ritme ballkanike, duke përdorur teknika flamengo, kanë mundësuar krijimin e një atmosfere ritmike për audiencën e pranishme nga të gjitha grupmoshat

Craig Sutton, i njohur si “The Flamenco Thief”, me performancën e tij njëorëshe ka hapur sezonin e koncerteve në “Lumbardh”. Moti me shi ka shtyrë organizatorin që këtë ngjarje ta zhvendosë nga ambienti i hapur te holli i kinemasë, duke krijuar një ambient më intim mes artistit dhe audiencës, të dielën mbrëma. Muzikanti britanik, i cili ndërthur teknikat e stilit të gishtave dhe atë të goditjes së kitarës, për të prodhuar tinguj klasikë-bashkëkohorë mesdhetarë, të rrahur me substancën amerikano-jugore, është shprehur i kënaqur që pas një dekade rikthehet për një takim energjik me publikun në Prizren.

“Më vjen shumë mirë që jam këtu! Kam qenë në Prizren dhjetë vjet më parë, dhe kjo është paraqitja ime e parë në Kosovë që prej atëherë. Ndihem shumë mirë që jam këtu, pas një udhëtimi të gjatë...Jam shumë i lumtur që jam në mesin e njerëzve të bukur”, ka thënë Sutton.

Muzika e tij, që vjen si një përzierje e kitarës me gypsy-swing, me rumba dhe ritme ballkanike, duke përdorur teknika flamengo kanë mundësuar krijimin e një atmosfere ritmike për audiencën e pranishme nga të gjitha grupmoshat. Para tyre Sutton ka sqaruar se si ka ardhur deri te ky lloj i muzikës, që përfshin akustikë latine, rumba dhe bosa nova me hip-hop dhe elektronikë.

“Jam rritur duke dëgjuar muzikë elektronike, hip-hop dhe zhanre të tjera të shumta, dhe pastaj aty e kam përzier flamengon, stilin e kitarës me disa gjëra shtesë”, ka thënë ai.

Muzika e tij përmban një gamë unike hibride të tingujve instrumentalë klasikë dhe elementeve digjitale që thurin kultura të ndryshme. Madje gjatë interpretimit të tij ka dhënë shpjegim edhe për procesin e krijimit të këngëve, bazuar në përvojën jetësore, respektivisht në kohën kur ka punuar edhe si postier.

një ditë të zakonshme, keni pirë shumë çaj, dhe shkoni në punë. Gjithçka është mirë, dhe e sheh një qen, qoftë i vogël apo i madh do të të sulmojë, sepse i tillë është ligji i universit, dhe unë ikja duke qarë dhe e kam shkruar këtë këngë që quhet ‘The Walker’”, ka thënë ai.

Ky stil i muzikës, me ritmet perëndimore, lindore dhe afrikane, i ka mundësuar “Flamenco Thiefit” që të krijojë miqësi afatgjata në të gjithë botën, duke argëtuar publikun në vende unike, si parqet turke, kuzhinat gjermane, spitalet holandeze, ku me mbi një mijë performanca muzikore që nga viti 2013, ai është bërë një interpretues me përvojë që di të krijojë një atmosferë të shkëlqyer. Me paraqitjet e fundit në “Glastonbury”, “Farmfestival”, “Bath International Music Festival”, “Boomtown”, “Lestailleurs Festival” dhe “Zorofest” ka krijuar mbresa të shumta.

Paraqitja në Prizren është pjesë e turit të tij aktual nëpër Evropë.

në një turne të madh që ka filluar dy javë më parë. Mendoj se kjo është shfaqja e 15-të me radhë dhe kanë mbetur edhe 20 sosh që të realizohen, në 14 vende të ndryshme...Është një shëtitje e gjatë, por deri më tani ka qenë përvojë e shkëlqyer, dhe në Kosovë do të qëndroj për 4 ditë, që është shumë mirë”, ka thënë ai.

Koncerti i “The Flamenco Thief” është organizuar nga fondacioni “Lumbardhi”, me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit.