Larg prej formës tradicionale të të bërit art, teknologjia vihet në veprim në ekspozitën e artistes italiane S()fia Braga. Sikur arti të zhvillohej në të ardhmen, ku mjetet e zakonshme nuk ekzistojnë më, ajo provokon njeriun dhe mendimin e tij duke synuar që të arrijë mirëqenie emocionale tek ata që e shohin. Për krejt këtë ka vënë në funksion mjete digjitale, duke e bërë të pranishme në “Galerinë 17” këtë formë arti. “Forehead Vulva Channeling Research” është titulli i ekspozitës që u hap të martën mbrëma.
Afrimi e provimi i mjeteve teknologjike e përballin vizitorin me vetveten. Duket sikur efektet më interesante të rrjeteve sociale të mblidheshin në një dhomë. Shikimi i vetvetes e vë qenien njerëzore në një tjetër dimension. Vizitorët zhvendosen para qëllimit fillestar që artistja ka pasur gjatë krijimit të tyre: ta sjellë trupin në gjendje të lirë dhe në këtë mënyrë ta transformojë atë, duke rizbuluar potenciale të reja për të cilat njerëzit ende nuk janë të vetëdijshëm.
“Mund të them se më pëlqen të transformoj këtë në një përzierje laboratori, sepse kjo është një lloj hulumtimi, por edhe lloj relaksi. Pra, kur vizitoni ekspozitën ju mund të shtriheni në shtroja dhe mund të gjeni në tableta një realitet argumentues, mund të shikoni ‘Forehead Vulva’ në ballin tuaj dhe ju duhet të fokusoheni, të relaksoheni dhe të mundoheni të ndieni një tjetër perspektivë të trupit tuaj. Është një ndër mjetet që unë kam krijuar për ‘Forehead Vulva’ dhe sigurisht që është shumë e rëndësishme të praktikosh me ushtrime trupore”, deklaroi artistja italiane.
Për S()fia Bragan kjo është hera e parë në Kosovë. Ky realizim erdhi si rrjedhojë e festivalit “Art Electronica”, që i themeluar në Linc, më 1979, punon në kryqëzimin e artit, teknologjisë dhe shoqërisë.
“Si një vizitor është një ndërveprim i papritshëm që mund të gjesh këtu, sepse gjëja e parë është se mund të shtrihesh dhe të lidhesh me artin dhe teknologjinë. Të lejon të hysh në pjesë të ndryshme të trupit tënd dhe mendoj se kjo është e bukura, të mund të relaksohesh dhe të lejosh veten të hysh në një tjetër dimension që teknologjia të hapë në fytyrë. Është shumë emocionuese. Kosova është një shtet i ri në nivele të ndryshme dhe me popullsi të re dhe teknologjia mund të jetë një ndër mjetet që do të përdorin për të treguar historitë e tyre. Ky është një inspirim i madh që ne duam të trajtojmë këtu”, tha Laura Welzenbach.
Kontakti me veprat e tilla artistike duket se pati impakt pozitiv tek vizitorët, të cilët i bëri kuriozë për t’i provuar këto efekte teknologjike. Ato i ka testuar edhe artistja Laureta Hajrullahu, e cila është po ashtu artiste e veprës digjitale “Flat Options” të ekspozuar në bienalen nomade “Manifesta 14” verën e kaluar, e në mars të këtij viti në ekspozitën “Ato”.
“Po më duket interesante, sepse shumica e tyre janë filtra, të cilët ne i përdorim edhe në rrjete sociale. Mirëpo ne ato i përdorim për me ndryshu ose me u përshtat me atë se si duam të dukemi në shoqëri. Çka ka bërë artistja është se i ka marrë këto gjëra të vogla që ne i përdorim çdo ditë dhe i ka shndërruar në diçka që mund ta ndryshojnë emocionalisht dikë. I ka shndërruar në mjete që bëjnë ndryshim emocional”, shtori tutje Hajrullahu.
“Forehead Vulva Channeling Research” është njëra nga katër ekspozitat në “Galerinë 17”, në kuadër të serisë “Techne”. Do të jetë e hapur deri më 22 qershor.