Komedia romantike “Tatuazhi i trëndafilit” nga autori Tennessee Williams, që mbetet një simbol i dashurisë, seksit, cenueshmërisë emocionale dhe riprodhimit, është vënë në skenë nga teatri i qytetit “Bekim Fehmiu”, nën regjinë e regjisores Zana Hoxha. Drama është realizuar në skenën ‘black box’ të vendosur në Qendrën Kulturore Boshnjake duke integruar në lojë dhe publikun, i cili në fund të shfaqjes me duartrokitje të gjata ka shprehur mirënjohjen për performancën gati dyorëshe të aktorëve. Aurita Agushi, Rifat Smani, Liridona Shehu, Alban Krasniqi janë pjesë e kastës së aktorëve, sikurse edhe Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyqi, Valmira Hoti dhe Zana Duraku.
Ngjarja në këtë dramë është e vendosur në një komunitet të vogël siciliano-amerikan. Aty Serafina delle Rose, që interpretohet nga Aurita Agushi, është një grua dhe nënë e zjarrtë dhe e pasionuar. Pas vrasjes së burrit kontrabandues, mbyllet nga jeta dhe dashuria. Përplaset shpesh edhe me rrethin e saj, ndërkohë që edhe vajza e saj Rosa përballet me barrierën e vendosur nga ajo. Por situata ndryshon kur rastësisht një shofer kamioni arrin në shtëpinë e Serafinës.
Shfaqja sipas përshkrimit të dhënë nga teatri i qytetit është një përrallë pasionante e besëtytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer.
Me këtë rast ofron një komedi të zgjuar dhe interaktive me publikun. Adreson temën e represionit seksual si një temë e fortë dhe e vazhdueshme, mirëpo duke e kthyer historinë e saj në një pasion, romancë dhe shpresë.
Për aktoren Aurita Agushi ky projekt ka shënuar bashkëpunimin e radhës me teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren.
ka qenë edhe shumë e lehtë. Pjesën e njoh shumë moti, edhe Tennessee Williams është njëri prej autorëve të preferuar për mua. Ka qenë pak sfiduese kjo puna e akcentit italian, aty është dashtë të koncentrohem më shumë. Edhe me bë analizë pak më të thuktë personazhit të Serafinës, sepse është një personazh kompleks, shumëdimensional, që varion gjatë gjithë performancës, tragjedia që i ka ndodhur, pastaj e rigjen dashurinë, paragjykimet dhe gjykimet që ia bën rrethi, edhe këtu është dashtë me u ndalë me bë një analizë më të thuktë edhe po besoj që bashkë me Zanën, regjisoren, me kolegët e mi, posaçërisht me Rifatin (Smani), partnerin tim në skenë, kemi punuar shumë ngushtë dhe po besoj që kemi bërë një punë shumë të mirë”.
Aktori Xhevdet Doda, i cili ka interpretuar rolin e atë De Leos ka vlerësuar se ambienti i krijuar me ‘black box’ i ka afruar me publikun, dhe njëherësh është shprehur i kënaqur me punën ekipore në këtë projekt.
i kënaqur me realizimin e rolit tim. Është një rol, që jam përpjekur me i dhënë disa 'mëlmesa' artistike, natyrisht me sugjerimet e regjisores. Jam shumë i kënaqur me ekipin, jam shumë i lumtur për këtë premierë edhe shpresoj që kjo shfaqje ta gjej rrugën tek publiku ynë”.
Regjisorja Zana Hoxha ka vlerësuar se bëhet fjalë për projekt të punuar me dashuri të ndërsjellë dhe për këtë edhe realizimi ka ecur me lehtësi.
“Dhe gati si shfaqja që ta jep njëfarë realiteti pak më roze, pak më ndryshe, më optimist, dhe ka qenë një lloj ngadhënjimi do të thosha, sepse ne fillimisht duhej të punonim në ndërtesën origjinale të teatrit të Prizrenit dhe për shkak të renovimit u vendosëm këtu. Mirëpo çdo gjë është mirë kur përfundon mirë, si shfaqja sonte që filloi me momente më dramatike pastaj u zhvillua, dolën në pah edhe ngjyrat tjera të jetës, sepse jeta ka ngritje, ka ulje, ka sfida por ka edhe shumë dashuri nëse dëshirojmë të shohim”.
Në audiencë ka qenë i pranishëm edhe profesori universitar dhe regjisori e dramaturgu Fadil Hysaj, i cili ka vlerësuar lojën e aktorëve, punën e regjisores dhe reagimin e publikut.
filloj prej aktorëve vërtetë një lojë jashtëzakonisht e bukur, një regjisore brilante, Zana Hoxha, një lexim i një kryevepre dramaturgjike e Tennesee Williamsit që në kuptimin gati autorial e zbërthyer në një dimension, që një dramë të thellë të një gruaje e shndron, i jep jetë, e kthen kah komedia edhe në njëfarë mënyrë një lloj çlirimi që e përcjellë, për të cilin ne kemi nevojë. Edhe kuptohet ajo lufta kundër të keqes, kundër vuajtjes fillon edhe fitohet brenda vetes, jo jashtë vetes. Edhe është një shfaqje shumë e bukur e ndërtuar me finesë, me një aktrim brilant që mendoj se është e rrallë si e tillë dhe uroj që të ketë jetë të gjatë në skenë dhe ta shohin shumë, shumë njerëz”.
Kjo shfaqje është premiera e tretë pas fillimit të rinovimit të objektit të teatrit. Premiera e parë ka qenë shfaqja "Fausti", një koproduksion midis teatrit "Bekim Fehmiu", Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit të Gjilanit. Ndërsa premiera e dytë ka qenë shfaqja për fëmijët “Afërdita përsëri në shkollë”. Sivjet teatri “Bekim Fehmiu” ka realizuar edhe ciklin e parë të leximeve skenike të dramës bashkëkohore të Kosovës.