I njohur tashmë në nivele botërore, kori i Kosovës “Siparantum” është ngjitur në skenës e “ReMusicas” me magjinë e interpretimit vokal dhe jo vetëm. Përderisa ka një agjendë të ngjeshur e po përgatitet për ngjarje deri në Korenë e Jugut, të martën e ka rezervuar për Prishtinë. Koncerti në kishën “Shën Ndou” në Prishtinë ka qenë i veçantë. Se publikun e pret një i tillë u paralajmërua qysh në tingullin e parë kur prapa publikut u dëgjua daullja e Fidan Strumcakut. Performanca nisi me “Fire” të Katerina Gimon. Përveç lojës me vokalet e ndryshme, anëtarët e korit kanë fuqizuar performancën edhe me goditje me këmbë e duar. Për gati dy orë sa zgjati koncerti, ambienti ka ndërruar ngjyra disa herë, e kjo për t’i dhënë efekt edhe më të madh tematikës së këngëve.
Nga veprat e gjeni botërorë të muzikës klasike, si Bach, Sandberg e të tjerë, “Siparantum” e shëtiti publikun edhe nëpër tingujt e koloritin shqiptar. Interpretoi vepra të Lorenc Antonit, Baki Jasharit, Rafet Rudit, Rexho Mulliqit e të tjera. Një këngë ia dedikuan luftës në Ukrainë. Interpretuan veprën “Moltiva” të kompozitores ukrainase Anna Gavrilets, e cila u vra në fillim të luftës në Ukrainë. Përveç këngëve e koreografisë, në kuadër të “ReMusicas”, “Siparantum” solli edhe dy premiera: “Hajde, Hajde” të kompozitorit Vasil Tole dhe “Elegji për viktima e koronës” të Memli Kelmendit, njëherësh dirigjent e udhëheqës i Korit, i cili ka marrë disa çmime botërore.
Kelmendi është shprehur i lumtur që pas pjesëmarrjes nëpër koncerte të ndryshme ndërkombëtare arriti që të realizonte koncert edhe në vendin e vet. Ka bërë të ditur se momentalisht janë duke u përgatitur për Olimpiadën e Koreve Botërore.
“Ka qenë tepër kënaqësi dhe paralelisht do të thosha edhe emocion, sepse ato sukseset tona që po ia sjellim vendit tonë kemi dashur ta ndanim të njëjtën energji edhe me njerëzit të cilët na duan dhe na përcjellin. Po më vjen shumë mirë që publiku sonte e shijoi magjinë, edhe pse do të thosha që ne jemi duke punuar me një program paralel, sepse jemi duke punuar për Olimpiadën e Koreve Botërore që do të mbahet në Kore. Programi për atje është tepër i vështirë, por megjithatë assesi as unë, as prej anëtarëve të korit nuk kemi përtuar të kthehemi në repertorin të cilin duhet t’ia sjellim publikut këtu”.
Në koncert ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Teksa ka përmendur sukseset ndërkombëtare të “Siparantumit”, ministri Çeku ka thënë se ndihet krenar dhe i lumtur me punën e korit.
“Një mbrëmje shumë e bukur në katedralen “Shën Ndou” këtu në Ulpianë. Me ‘ReMusica’ nga festivalet më të mira të Kosovës me një performancë të jashtëzakonshme të korit ‘Siparantum’, një formacion edhe pse relativisht i ri por me shumë suksese edhe vendore, edhe ndërkombëtare. Ishte një program i gjatë, por shumë i bukur. Publiku e priti shumë- shumë mirë dhe besoj që do të ketë edhe më shumë aktivitete të tjera. E di që kori ‘Siparantum’ vazhdon me një aktivitet shumë të shtuar ndërkombëtar por ne jemi shumë me fat që nganjëherë i shohim edhe këtu në Kosovë e në Prishtinë. Për ne si ministri është gjithmonë kënaqësi me pa kaq shumë aktivitete dhe kaq shumë cilësi në artin dhe kulturën e Kosovës dhe unë jam shumë i lumtur që ne kemi mundësi që përmes formave tona të jemi pjesë e këtyre aktiviteteve dhe të ofrojmë mbështetjen tonë.”
Anëtarja e korit, Donika Rushiti, ka thënë se të gjithë kanë bërë një punë të madhe për të arritur deri këtu. Inkuadrimi i koreografisë ka thënë se është ajo çka e dallon këtë kor prej të tjerëve.
“Unë kam pasur shumë emocione. Zakonisht kam shumë emocione kur këndoj muzikë klasike, por sonte më duket se e kam tepruar ama jam munduar ta bëj më të mirën dhe ne të gjithë jemi munduar ta bëjmë më të mirën. Mendoj se kjo ka qenë karakteristika e korit ‘Siparantum’ që nuk bëhet ‘bajat’ përderisa secila vepër është ndryshe-ndryshe, nuk është koncert klasik me vepra me partitura, ka koreografi, është atraktive. Nuk është e lodhshme. Më e lodhshme është pjesa tjetër, këndimi, kështu që po mundohemi të bëjmë një miks dhe me ia dalë për publikun”.
Deri në mbylljen e këtij edicioni “ReMusicas” do të ketë edhe një koncert. Më 23 maj, në Sallën e Kuqe, do të performojë Orkestra e të Rinjve e BE-së.