EXPRESS

“Sikur kjo të ishte shfaqje”, 11 vjet në skenë

“Sikur kjo të ishte shfaqje” e ka dëshmuar veten si shfaqje e cila nuk zbehet edhe pas më shumë se një dekade. Ka qenë 13 marsi i 2012-s kur u dha premierë për të qëndruar në repertor të rregullt të “Odës” për dy vjet radhazi. Ishte shfaqur edhe nëpër disa vende të rajonit, pastaj në një numër të madh të qyteteve të Evropës e edhe në Amerikë. Tash është rikthyer para publikut në teatrin prej ku e nisi rrugëtimin. Punëtorëve teknikë u ka dalë punë shtesë edhe me shtimin e ulëseve. Kjo nuk është hera e parë që shfaqja përsëritet. Ka disa vjet që ajo reprizohet së paku një herë në vit dhe përherë salla ka qenë plot.

Sikurse edhe bëhet e ditur nga titulli i saj, “Sikur kjo të ishte shfaqje” luan me atë që njihet si ‘thyerja e murit të katërt’. Në skenën e parë, aktorët i shpjegojnë publikut mënyrën se si bëhet teatër. Me anë të kësaj, ata krijojnë lidhje edhe më të ngushtë.

Shfaqja luan me ripërsëritje e së njëjtës histori, veçse të ritreguar nga personalitete të ndryshme. Ndonëse rrëfehet për kohën e luftës, vrasjen e një djali të ri, për shkak të mënyrës se si tregohet, ajo shkakton të qeshura të pafundme. Megjithatë kulmi i dramës përbën një përmbysje të fortë e cila ngjall te publiku, atë që ngjallë një shfaqje e mirë: katarsisin. Teksa gjatë gjithë kohës publikun dëgjohet duke qeshur, në fund ai vihet përballë një tragjedie. Për ta rritur edhe më tej dozën e tragjikes, aktorët futen në publik dhe i dhurojnë secilit ca fleta me të dhëna të luftës së fundit në Kosovë.

Regjisori i shfaqjes, Agon Myftari, është shprehur i kënaqur me jetëgjatësinë e kësaj shfaqjeje të bazuar në dramën e Allmir Imshireviq.

“Kjo shfaqje karakterizohet prej disa cilësive që e bëjnë këtë shfaqje të veçantë si produksion, një prej tyre është fakti që edhe pas 11 vjetëve luhet në teatrin e njëjtë ku ka pas premierën. Ka shëtitë kjo shfaqje në shumë vende të rëndësishme të Evropës e deri në Amerikë. Në rajon po se po nëpër shqiptari e teatro të ndryshme. Këtu ka qenë në repertor të rregull të teatrit “Oda”. Nuk e di a ka mbet kush pa e pa prej miqve dhe të afërmve që i njohim. Ka njerëz që vijnë e shohin nga katër-pesë herë. Por ndjenjë e veçantë me pas një shfaqje që zgjat kaq shumë në repertor dhe ka këtë jetëgjatësi”.

Pas përfundimit të shfaqjes, aktori Armend Smajli ka kujtuar momentet e para të krijimit të kësaj shfaqjeje.

“Është njëfarë ndjenje e veçantë. Është edhe çuditshëm me të thënë të drejtën sepse 11 vjet nuk janë pak dhe mu në këtë vend u patëm mbledh në atë kohë, me entuziazëm me vet iniciativë, ‘hajde po e bëjmë një shfaqje’ pa e ditë se çka po bëjmë. Qe disa vjet e kemi bërë që ta luajmë së paku njëherë në vit. Aq shumë e duan këtë shfaqje. Plot na thërrasin neve dhe teatrin për të pyetur se kur doni me luajt. Nuk është lehtë që një shfaqje të jetojë kaq gjatë por është edhe kënaqësi mi nda 11 vjet edhe me publikun dhe me kolegët. Emocione të ndryshme”.

Aktorja e vetme e shfaqjes, Rebeka Qena ka folur për vitet e para pas premierës dhe sukseset e shumta të kësaj shfaqjeje

“Kemi qenë pothuajse në tërë Evropën. Kemi qenë në Suedi, Itali, Francë, Angli, Gjermani, Zvicër Sarajevë dhe e kisha cekë se edhe vet autori e ka parë shfaqjen- ne kur e kemi gjete tekstin kemi komunikuar me ta – dhe për të ka qenë interesant sepse kjo shfaqje ka qenë kult në Sarajevë pas lufte dhe ka pasur një shikueshmëri shumë të madhe. I vetmi tekst është inskenuar edhe në Beograd mirëpo vet autori kur e ka pa shfaqjen tonë – sepse ne kemi ndryshuar shumë në tekst – ai na tha se megjithatë e keni mbajte një sinqeritet dhe qasja juaj është e njëjtë sikur se e kam menduar kur e kam punuar këtë tekst. Dhe thoshte se duhet ta kesh një mentalitet të viktimës në kuptimin se duhesh me përjetuar diçka dhe me bashkëndie me këndo që është viktimë dhe ne në shumë forma kemi qenë dhe jemi dhe nuk është që shumë shpesh e përkujtojmë këtë”.

Edhe pse kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet, publiku vazhdon të ndiejë shfaqjen me të njëjtën mënyrë. E këtë e kanë hetuar edhe aktorët.

“Këta të kthejnë e ke njëfarë mënyre një ndjenjë të së kaluarës dhe ndoshta nuk e lejmë njëri- tjetrin me kuptuar që: hej s’po ka kuptim sepse tani po del që gjyshja është tu fol për atë çka mund mi ndodh cikës saj. Por publiku po e pranon në kuptimin e asaj po e bëjmë një pakt po merremi vesh edhe pse 11- 12 vjet it’s okay. Po me duket diçka e bukur. Ka shumë vende në teatër të ndryshme ku ka shfaqje që jetojnë deri në 50 vjet. Është vetëm diçka që duhet me fillu me kultivu me mëndu në këto aspekte. Diçka që mundemi, duam. Sonte janë kthyer shume e shumë njerëz. Nuk u ndalke telefoni për shkak të kësaj. Krijohet një kult, krijohet një ide por në fund të fundit ka publik”, tha Qena.

Për gazetarin Uranik Emini, “Sikur kjo të ishte shfaqje” ka qenë premierë. S’e ka parë më herët.

“Mu duk një shfaqje tepër e mirë. Unë e pashë këtë madhështinë e Agon Myftarit dhe mënyrën se si një shfaqje që është bërë para njëmbëdhjetë viteve në teatrin “Oda” është rikthyer përsëri dhe e kanë paraqitë realitetin tonë përmes komedisë, që përmes mendimit tim është shumë e vështirë mu bë një gjë e tillë por aktorët sikurse Rebeka Qena, Adrian Morina, Armend Smajli, Besnik Krapi i japin kuptim shumë të madh teatrit dhe kulturës në Kosovë dhe jam shumë i lumtur që e kam parë këtë shfaqje”.

“Sikur kjo të ishte shfaqje” e ka shënuar rikthimin me vetëm një reprizë. Ani pse kërkesat janë të shumta, ende nuk është e prerë nëse do t’u përgjigjen atyre.