Në 27 fotografi, Fahredin Spahija me art fotografik sjell lidhjen shpirtërore të njeriut dhe gjendjen e tij totalisht të shkëputur nga bota. Janë portrete bardhezi të shkrepura gjatë riteve fetare. Procesi 20-vjeçar për ekspozitën “Shpirti dervish”, kuruar nga Fahredin Shehu, është finalizuar me shfaqjen e fotografive në kafe-galerinë “KultPlus” në kryeqytet.
Ecja nga njëra fotografi te tjetra ngjan në të njëjtin imazh, por aty ka shumë më shumë. Esenca është përjetimi shpirtëror i atij momenti. E ky përjetim duket unik në secilin protagonist në fotografitë e artistit Spahija.
Në fotografi shihen njerëz duke praktikuar ritualet si këngë e vallëzim. Veshjet janë shënjuese për përkatësinë fetare. Imazhet janë veshur në bardhezi si një ngjyrim dramatik nga artisti.
Ka treguar se ato i ka shkrepur nëpër hapësirat fetare në Kosovë e në Shqipëri dhe se me këtë tematikë ka nisur të merret para 20 vjetësh dhe ka zgjatur deri në vitet e fundit.
“Janë portrete të dervishëve gjatë ritualeve të tyre, të cilat quhen zikër apo si ziqër në popull. Kjo për dervishët është tubimi kulmor vjetor. Çdoherë ato mbahen më 21 mars, në ditën e pranverës”.
Ka treguar se fotografitë janë shkrepur çdo 21 mars në atë që njihet si Dita e Sulltan Nevruzit dhe se është përqendruar në ritualet e tri tarikateve të ndryshme.
“Varësisht prej tarikatit, pasi ka tarikate të ndryshme, zikrat janë ndryshe prej secilit. Mua më ka interesuar Rufai, Mevlevi dhe Saadi. Këto tri tarikate i kam përcjellë, jam munduar të përcjell këto rite, sepse brenda tyre ka shumë ndodhi mandej. Ajo kryesorja është kur ata me disa gjilpëra shpohen në vende të ndryshme të trupit. Ajo është goxha dramatike, por edhe shumë interesante. Interesimi im ka qenë jo religjioz, por artistik”.
Ndonëse imazhet me raste zmadhojnë subjektin e shpesh edhe e përgjithësojnë atë, duket se qëllimi i artistit ka qenë të kapet emocioni i përbashkët i turmës.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e “KulPlusit”, siç quhet edhe portali i kulturës, ka vlerësuar se artisti Spahija veçse e ka ndërtuar stilin e tij të punës artistike.
“Duke e vendosur ekspozitën e tij në galerinë ‘KultPlus’ e mendova që edhe nëse nuk do të ishte emri i tij, paralajmërimi për ekspozitën e tij, e pata ndjesinë se ata që e njohin punën e tij, sidomos në portrete, mund ta njohin punën e tij për shkak të ndërtimit të këtij stili. Ne jemi të nderuar për këtë ekspozitë, për faktin se për ne të tjerët ndoshta është një ekspozitë e radhës, por në momentin kur m’u dërgua përmbajtja, ato 20 vjet në 27 fotografi tregojnë shumë”.
Një lloj ftese për ikje nga materialja e realiteti i rëndomtë, është ndjesia që lë ekspozita “Shpirti dervish”.