EXPRESS

Shkurte Fejza feston gjysmë shekulli karrierë si zë i lirisë

Gjysmëshekulli në skenë i këngëtares Shkurte Fejza është festuar me vargjet e këngëve që u janë thurur lirisë e atdhedashurisë. Koncerti “Shkurte Fejza – 50 vjet, zëri i kombit” i mbajtur në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve e ka sjellë artisten në interpretimin e atyre që konsiderohen himne të skenës muzikore.

Pos si zë magjik i këngëve me të cilat thirrej liria, shfaqeshin vuajtjet e popullit i cili ftohej në përbashkim në kohë të vështira, koncerti që ka shënuar jubileun pesëdekadësh të Fejzës ka qenë edhe zbulim i  figurës së saj shumëdimensionale sa i përket kontributit për vendin. Shfaqja e një dokumentari të përgatitur nga televizioni publik ka qenë një pjesë e ilustrimit. Fejza është vlerësuar si heroinë e gjithëkohëshme.

Muret me blozë të sallës së djegur të Pallatit të Rinisë janë mbuluar edhe njëherë tjetër pas edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës vjeshtën e kaluar. Salla ishte zhbërë. Mungesa e një hapësire koncertale ka çuar drejt improvizimeve në sallën pa kushte për koncerte. Estetika ka qenë një lloj maskimi i defekteve në akustikë e avarisë me zërimin.

Por mjeshtëria e një prej këngëtareve ikonike të skenës shqiptare ka bërë që këngët e saj të kenë jehonë. Fejza ka përcjellë emocione të veçanta në interpretimin e secilës. E ka nisur me “E kam emrin kosovar”- për të vazhduar me këngët “Kthimi i Skënderbeut”, “Mbahu nëno mos ke frikë se ke djemtë në Amerikë”, “Kosovë oj nëna ime” e “Pa duvak s'kam me u ba nuse”.

Të pranishmit shumë herë janë ngritur në këmbë e kanë kënduar njëzëri me të. Fejza ka thënë se admirimi i publikut e shtyn drejt viteve të ardhshme të karrierës.

“Kam filluar shumë herët të punoj dhe si të gjithë fëmijët e talentuar që veçohen nga mësuesit, qoftë edhe një anëtar i familjes, nuk e kam menduar këtë sukses. Por tani jam shumë e lumtur që preka 50 vjet dhe më lumturon edhe më shumë, sepse ishte një publik i mrekullueshëm që të shtyn të vazhdosh. E sheh se je e dashur, e mirëpritur, e admiruar me gjithë ato duartrokitje. Mendoj se mbase duhet të vazhdoj, sepse mendoja të pushoja, por po më duket se jo”.

Programi i koncertit ka qenë veç një mostër e opusit të këngëtares Fejza. Gjatë karrierës së saj ka realizuar 45 albume me mbi 500 këngë, nga to 400 origjinale. Ka thënë se pjesa më e vështirë ka qenë përzgjedhja e këngëve për t’i interpretuar.

Këngëtari Kastriot Tusha është shprehur krenar për gjithë bashkëpunimet që ka pasur me Fejzën.

“Më vjen jashtë mase mirë që mbështeten artistë që kanë ADN shqip. Shkurta është ajo me të cilën krenohet e gjithë shqiptaria. Besoj edhe të ftuarit sonte kishin përgjegjësi të madhe, sepse janë këngë karakteristike dhe janë orkestruar me aq shije dhe nuk e kanë humbur atë karakteristikë”.

Këngëtari Nikollë Nikprelaj e ka quajtur legjendë të gjallë të këngës derisa është shprehur i privilegjuar që i është bashkuar në skenë në koncertin e së shtunës mbrëma.

“Shkurten e kam të gjeneratës dhe ka decenie mund të them që bashkëpunojmë. Kisha kënaqësinë dhe privilegjin që sonte të isha një nga pak mysafirët e saj në këtë koncert jubilar. E falënderoj shumë që ma dha këtë mundësi dhe privilegj. Shkurta është një legjendë e gjallë e këngës dhe me të vërtetë u ndjeva i nderuar dhe i respektuar”.

Me interpretim krejtësisht aty për aty, bashkë me ansamblin e instrumentistëve nën përcjellje me muzikë, kanë bërë që koncerti të jetë krejt origjinal.

Orkestra është udhëhequr nga Valton Beqiri. Ka thënë se janë munduar të sjellin edhe këngë më të hershme.

“Duke pasur parasysh një opus të gjerë të këngëve që ka pasur Shkurta, përzgjedhja ka qenë pak e vështirë pasi të gjitha këngët kanë qenë të mira. Jemi munduar t’i prezantojmë edhe ato që ndoshta janë kënduar më herët, tek një gjeneratë që nuk i ka dëgjuar pasi ‘Xhamadanin...’ dhe ‘Mora fjalë’ i dinë të gjithë. Ka pasur këngë edhe nga krijimtaria e hershme nga folklori, muzika popullore, e lehtë”.

Koncerti është organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës në kuadër të ngjarjeve që shënojnë Ditën e Çlirimit të Kosovës.