EXPRESS

Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës” triumfon në festivalin e Ferizajt

Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës” është shpallur fituese e edicionit të 53-të të Festivalit të Teatrove të Ferizajt, që është mbyllur të hënën mbrëma. Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, nën regjinë e Iliriana Arifit dhe me tekst të Eugene O’Neil, është vlerësuar si më e mira nga juria në përbërje prej regjisorit e aktorit Mentor Zymberaj, regjisorit Iliran Himaj dhe dramaturges e gazetares Getoarbë Mulliqi. Sivjet tetë shfaqje kanë konkurruar për çmimin kryesor, ndërkaq një ka qenë jashtë garës.

Si në krejt shfaqjet e tjera që u prezantuan në Ferizaj, edhe më 2 shtator kur u luajt shfaqja fituese salla ishte e mbushur. “Udhëtimi i gjatë drejt natës” shpalos rrëfime interesante të pesë personazheve të saj.

Këto personazhe kryesore të cilat i bashkon dhoma, por asnjëherë të vetme mendimi, në shfaqje erdhën interpretuar nga Ernest Malazogu, Arta Selimi, Allmir Suhodolli, Don Shala dhe Florie Bajoku. Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës”, që e fut publikun brenda një familjeje gati të shkatërruar, ishte dhënë premierë në Kosovë në fillimqershor.

“Ky çmim sigurisht që i takon ekipit, Artës, regjisores dhe të gjithë njerëzve që punojnë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ndërsa më lejoni që në vazhdën e këtyre dedikimeve që këtë çmim sivjet Teatri Kombëtar i Kosovës t’ia dedikojë ish-aktorit të vet Xhevat Qorraj”, deklaroi Sheremeti.

Çmimin për regjinë më të mirë e ka marrë regjisori Ilir Bokshi për shfaqjen “Gënjeshtari”, produksion i teatrit “Adriana” të Ferizajt. Aktori Shkumbin Istrefi ka marrë çmimin “Aktori më i mirë” për rolin e tij në shfaqjen “Arbri” me tekst dhe regji të Lirak Çelajt, produksion i teatrit “Oda”. Teksa ka pranuar çmimin ka thënë se me kënaqësi kanë marrë ftesën për të qenë pjesë e FTF-së sidomos sivjet, kur nuk është financuar nga Ministria e Kulturës.

“Mirë që shfaqja e Adrit nuk ka qenë në konkurrencë sepse ky çmim do t’i shkonte Adrit sigurisht. Është kënaqësi e veçantë dhe nder për mua që të pranoj çmim nga ky Festival me traditë të madhe kështu që e falënderoj fillimisht Festivalin i cili e ka ftuar shfaqjen ‘Arbri’ këtu, pastaj edhe jurinë që më ka nderuar me këtë çmim” tha aktori Shkumbin Istrefi.

Ndërkaq çmimi për aktoren më të mirë ka shkuar te Aurita Agushi për rolin e saj në shfaqjen “Tatuazhi i trëndafilit” nën regji të Zana Hoxhës, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit.

“Dua ta falënderoj shumë Zana Hoxhën që vazhdimisht më ka besuar në punët e saja dhe dua t’i them që të mos m’i japë rolet kryesore. Fatkeqësisht njerëzit e mi më të dashur që do t’i gëzoheshin këtij suksesi tim, nuk janë më me mua, njëri ndër ta është edhe shumë i nderuari, profesori im Haqif Mulliqi dhe shumë i dashuri mik i imi, sepse e di që pas kësaj do të më jepte një përqafim sepse do t’i gëzohej sukseseve të mija si çdoherë, por e di që sonte atë përqafim do të ma japë Shpresa”.

Për rolet dytësore me çmime janë vlerësuar Mumin Abdullahu për rolin e tij në shfaqjen “Krokodili” dhe aktorja Arta Selimi për rolin e saj në shfaqjen fituese “Udhëtimi i gjatë drejt natës”.

Sivjet organizatorët kanë vendosur për themelimin e çmimit “Yll në Ardhje” që prej sivjet do t’u jepet artistëve të rinj të teatrit, qoftë regjisor, aktor, kostumograf, skenograf apo kompozitor, që i sjell veçanti kreative apo performuese dhe që premton të jetë yll teatri në ardhje. Fituese e parë e këtij çmimi është aktorja Zhaneta Xhemajli për rolin e saj në shfaqjen “Sober” që sivjet regjisori i saj, Butrint Pasha, ka fituar çmimin “Regjisori më i mirë”. Kjo shfaqje është produksion i “Artpolis”.

Aktori ferizajas Arben Marevci ka fituar çmimin “Roli më i mirë episodik” për shfaqjen “Gënjeshtari”, ndërkaq çmimin për skenografinë më të mirë e ka marrë Bekim Korça për shfaqjen “E vërteta” nga Teatri i Gjilanit. Çmimin për kostumografinë më të mirë e ka marrë Njomëza Luci. Unike janë kostumet e saj për “Gënjeshtarin”.

Ceremonisë së ndarjes së çmimeve në natën e nëntë dhe të fundit të Festivalit – në sallën e mbushur plot, siç ka ndodhur në të gjitha shfaqjet e sivjetme në teatrin “Adriana Abdullahu” – i ka paraprirë shfaqja “Unë jam vetë grua”, me tekst të Doug Wright, nën regji të Kushtrim Koliqit. Me mjeshtërinë e tij si aktor i rryer në dërrasat e skenës, aktori Adrian Morina ka shkëlqyer me rolin e tij të transgjinores Sharlotte Von Mahlsdorf.

Duke ndarë njërin prej çmimeve, Morina ka thënë se problemet që Festivali i Teatrove të Ferizajt pati me financat, ka bashkuar komunitetin artistik edhe më shumë dhe se pati kënaqësinë të jetë në skenën e Teatrit të Ferizajt.

“Kur Festivali nuk gjeti mbështetje nga Ministria e Kulturës për këtë vit dhe besoj që këtë gabim nuk e përsërisin më, ka ndodhur një gjë shumë e mirë për shkak se krejt komuniteti artistik i është ofruar edhe më shumë këtij festivali. Këtij festivali më shumë i duhen artistë se sa politikanë”.

Një ulëse bosh, por me emrin e tij, qe shenjë kujtimi për dramaturgun e profesorin universitar Haqif Mulliqi, i cili vdiq më 25 korrik, në moshën 65-vjeçare.

Sivjet Ministria e Kulturës nuk i ka dhënë asnjë cent Festivalit teksa ka pasur përplasje dhe akuza me organizatorët e Festivalit që ia refuzuan Memorandumin e bashkëpunimit me të cilin zotohej ta financonte edicionin e sivjetmë. Si në hapje ashtu edhe në mbyllje të Festivalit, ministri Hajrulla Çeku nuk ka marrë pjesë.