EXPRESS

Shfaqja e Kosovës në Sarajevë, nën presion e me masa sigurie

Sarajeva është ngritur në këmbë pak orë para se të jepet shfaqja nga Kosova “Të gjashtët kundër Turqisë”, të cilën autoritetet turke me ngulm kërkojnë ta anulojnë, duke e konsideruar si “propagandë kundër këtij shteti dhe presidentit të saj”. 

Teatri Kombëtar i Sarajevës nën presion e me masa të shtuara sigurie është i vendosur që shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, të jepet ashtu siç është paraparë. Ajo tashmë ka nisur.  

Të hënën paradite kundër saj kanë dalë edhe veteranët e luftës në Bosnjë-Hercegovinë që kanë kërkuar “urgjentisht anulimin e saj”, përderisa janë kërcënuar edhe me “protesta masive”.

Ai që njihet si Koordinimi i Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës ka dalë me një komunikatë për media, në të cilën thekson se u drejtohet opinionit dhe institucioneve përgjegjëse, Qeverisë së Kantonit të Sarajevës dhe Ministrisë së Kulturës me një kërkesë të qartë: që këtë shfaqje ta largojë menjëherë nga repertori i Teatrit Kombëtar të Sarajevës.

“Në notën diplomatike të dërguar nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Sarajevë thuhej qartë se shfaqja është ofenduese për Republikën e Turqisë, sepse përmban 'propagandë në favor të organizatës terroriste FETO kundër Turqisë dhe presidentit të saj të zgjedhur ligjërisht’”, shkruhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se kërkesa është e qartë dhe urgjente.  Koordinimi i Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që urgjentisht të marrin masa dhe ta largojnë këtë shfaqje nga repertori i Teatrit Kombëtar të Sarajevës.  

“Nëse autoritetet përgjegjëse nuk ndërmarrin hapa konkretë, u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të shoqatave të veteranëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, luftëtarëve të demobilizuar dhe të gjithë patriotëve të Bosnjë-Hercegovinës që t’u bashkohen protestave masive, të cilat do të organizohen në ditët në vijim. Bosnjë-Hercegovina është atdheu ynë dhe ne do ta mbrojmë atë me të gjitha mjetet, sepse liria që na dhanë mbi të gjitha dëshmorët tanë dhe luftëtarët e Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës është jashtëzakonisht e vlefshme”, shkruhet aty.  

Thirrjet për anulim e ato në mbështetje të shfaqjes e të lirisë artistike kanë shpërthyer prej të premtes së kaluar, kur Ambasada e Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë doli me notën “urgjente” diplomatike.

Ekipi i shfaqjes sot ka mbajtur edhe një konferencë për media në Teatër sa i përket produksionit të qendrës “Multimedia”, që jepet në kuadër të programit “Teatri regjional”. 
Të dielën mbrëma, me të arritur në Sarajevë, dramaturgu Jeton Neziraj i ka thënë KOHËS se janë të gatshëm ta japin shfaqjen.

“Vërtet ka qenë inkurajuese mbështetja e parezervë e Teatrit Kombëtar të Sarajevës, e komunitetit artistik, intelektualëve dhe e një pjese të madhe të mediave”, ka thënë Jeton Neziraj.

Zërat e disa politikanëve kundër dhënies së shfaqjes kanë vazhduar. Anëtari i Kuvendit të Kantonit të Sarajevës, Jasmin Shaljiq, u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës që, si themelues dhe financues, të ndikojnë te menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Sarajevës që të anulohet shfaqja që ai e ka cilësuar “fyese për autoritetet turke, e cila po arsyetohet me pretendimin se është liri artistike”.
Të shtunën për këtë çështje ishte deklaruar edhe ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez. Ai kishte porositur se të gjithë ata të cilët veprojnë në hapësirën publike duhet të kenë kujdes që të mos cenojnë raportet me Turqinë mike. 
Por menaxhmenti i Teatrit ka qenë i prerë.  Një ditë pasi u bë publike nota, drejtori i Teatrit, regjisori Dino Mustafiq, në një deklaratë zyrtare ka shkruar se institucioni që ai udhëheq “nuk njeh asnjë formë të censurës ideologjike”.

“Artistët, mysafirë e vendorë mund të shqyrtojnë në mënyrë kritike rrethanat shoqërore dhe kohët në të cilat jetojmë. Arti në shoqëritë e lira dhe demokratike, vlera që ne i mbrojmë, nuk njeh kufizime tematike për lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Kemi luftuar për vlera të tilla në çdo kohë dhe rrethana dhe kjo nuk mund të shembet me asnjë presion politik”, ka thënë Mustafiq.  

Në fakt shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë” janë autoritetet turke që e cilësojnë si propagandë kundër këtij shteti dhe presidentit të saj. E kanë cilësuar kësisoj tërthorazi qysh në premierë në tetorin e vitit të kaluar në Prishtinë, e tash zyrtarisht edhe me notën diplomatike drejtuar BH-së. Ambasada e Turqisë nëpërmjet notës shpreh “kundërshtimin e ashpër” për këtë shfaqje, duke konstatuar se ajo është “propagandë në favor të FETO-s, organizatës terroriste kundër Turqisë dhe presidentit të saj”.