Lokaliteti arkeologjik në qendër të Prizrenit, që ishte lënë pas dore nga shteti për disa vjet, është vënë në dispozicion të vizitorëve, duke e bërë atë pjesë integruese të sheshit të Lidhjes falë rigjenerimit të bërë. Bartësit e projektit që e prezanton këtë lokalitet arkeologjik kanë vlerësuar se ky thesar i trashëgimisë kulturore dëshmon qytetërimin që ka ekzistuar prej shekujsh në Prizren dhe që njëherësh plotëson edhe mozaikun e atraksioneve turistike në qytetin e vjetër.
të këtij projekti i ka paraprirë aktiviteti me fëmijët, ku të vegjlit përmes vizatimit kanë paraqitur lokalitetin ashtu siç e imagjinojnë të jetë dukur në të shkuarën.
Ndërkaq profesionistët e angazhuar në jetësimin e këtij projekti kanë përkujtuar se si lokalitet arkeologjik është hasur rastësisht gjatë punimeve për rregullimin e sheshit të Lidhjes në vitin 2014, me ç’rast janë ndërprerë punimet dhe janë bërë hulumtime arkeologjike nga dr. Shafi Gashi në atë vit dhe në vitin 2015.
Zana Rama, arkeologe, ka sqaruar se në shtatë vjetët në vijim ka pasur intervenime të vogla, të mirëmbajtjes, dhe se pak a shumë gjendja në këtë lokalitet ka qenë jashtë kontrollit, deri në krijimin e grupit punues ndërinstitucional në vitin 2022, gjë që ka hapur rrugën për konservimin e lokalitetit këtë vit.
“Sipas raportit të kolegut tim këtu kemi të bëjmë me një vilë, supozohet se është një vilë e periudhës romake të shekullit III-IV, ndërsa kjo strukturë e ndërtuar prej tullave, e cila është struktura kryesore e ekspozuar këtu, është e ndërtuar prej tullave edhe është e bërë me lidhje të lloçit dhe horasanit. Ne i kemi përdorë metodat e njëjta, të cilat janë përdorë edhe 16-17 shekuj më parë”.
Vesel Hoxhaj, arkeolog në kuadër të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë në Prizren, ka thënë se bashkëpunimi i institucioneve, profesionistëve dhe komunitetit ka mundësuar realizimin e këtij projekti, që plotëson mozaikun e trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër.
“Në zemër të Prizrenit është zbuluar një lokalitet arkeologjik i periudhës romake që është një ndër gjetjet më të rëndësishme arkeologjike të Prizrenit, që i shton Prizrenit një pikë ose një pjesë në mozaikun shumë të pasur të trashëgimisë kulturore të Prizrenit”.
Edhe zyrtarët e lartë të pushtetit qendror dhe atij lokal kanë vënë në pah rëndësinë e prezantimit të këtij lokaliteti për komunitetin dhe vizitorët e Prizrenit.
Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, e ka cilësuar këtë hap si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin kulturor, i cili dëshmon trashëgiminë e lashtë të vendit dhe që plotëson mozaikun e destinacioneve turistike. Sipas tij, kjo është arritur falë bashkëpunimit institucional dhe përkushtimit të profesionistëve.
“Kur ka profesionalizëm, kur ka bashkëpunim mes institucioneve rezultatet nuk mungojnë. Ta gëzojë Prizreni këtë lokalitet, por jo vetëm Prizreni, krejt Kosova! Ashtu siç e tha edhe Veseli, ky zbulim është shumë i rëndësishëm edhe për disa beteja tona të tjera, jo vetëm për një hapësirë për vizitorë dhe për qytetarë”.
Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka theksuar se kjo pasuri arkeologjike është dëshmia më e qartë për lashtësinë e qytetit të Prizrenit.
“Jam shumë i bindur që ky lokalitet do t’u hyjë në punë shumë arkeologëve, shumë historianëve, studiuesve dhe hulumtuesve dhe po besoj që Prizreni përmes këtij lokaliteti po e dëshmon që është vatër e trashëgimisë kulturore”.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, është shprehur i kënaqur që kjo hapësirë e trashëgimisë kulturore e integruar në një hapësirë publike është vënë në shërbim të komunitetit, të grupmoshave të ndryshme.
Projekti është realizuar në kuadër të “Programit për integrimin e trashëgimisë̈ kulturore në planifikim hapësinor” të financuar nga MKRS-ja, i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë.
Sipas arkeologëve, gjatë gërmimeve me karakter shpëtimi, të zhvilluara vite më parë, në këtë lokalitet është hasur në dy shtresime kulturore, përkatësisht rrënojat e periudhës klasike romake, të cilat besohet se janë struktura të një vile të shekullit III-IV, si dhe rrënojat e periudhës osmane, të cilat prezantojnë muret e pazaret e bulmetit, të cilat kanë ekzistuar deri në mesin e shekullit XX.
Lidhur me mbetjen jashtë kontrollit të këtij lokaliteti në vitet e shkuara ka pasur reagime nga aktivistët e shoqërisë civile, sikurse edhe nga Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit që pati kërkuar mbrojtjen e këtij aseti të trashëgimisë kulturore, me ndërmarrjen e masave adekuate drejt konservimit dhe prezantimit të tij. Këshilli në vitin 2020 kishte konstatuar se mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate.