EXPRESS

“Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokajt”

Arti ka fuqinë të transmetojë ndjenjën e madhështisë tek individi qoftë nëpërmjet emrit të artistit, por sidomos nga puna e tij. Pikërisht me një ndjenjë të tillë frymon edhe emri i artistit Gjelosh Gjokaj. Prapa tij qëndron një veprimtari kolosale, si për nga rëndësia ashtu dhe për nga vëllimi dhe roli historik. Secila vepër i ngjan një libri të gjatë që do përqendrim e motiv të pastër për t’u kuptuar. Njësoj, po si një libër, mbase dhe një monografi figurative, është dhe ekspozita e titulluar “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokajt” e kuruar nga Shkëlzen Maliqi, e hapur të mërkurën pasdite në Galerinë Kombëtare të Kosovës. 

E organizuar në 90-vjetorin e lindjes së mjeshtrit Gjokaj, i cili vdiq në shtatorin e vitit 2016, një e tillë me motivin e njëjtë i kishte paraprirë edhe në Tiranë, në prill të vitit të kaluar, por me një fond dukshëm më të vogël të veprave të ekspozuara.

Në Prishtinë vepra e Gjokajt – aty ku dikur i kishte vënë themelet e një lëmi artistik siç është grafika – u rikthye me ekspozitën retrospektive e cila përmban 25 vepra nga koleksioni privat i Sead Gjokajt, i njohur jo vetëm si admirues i punës së të ndjerit dhe i afërm i tij, si dhe 18 vepra prej fondit të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Dy katet e Galerisë janë mbuluar me afro pesëdhjetë vepra të Gjokajt, secila pasqyrë më vete e periudhave të ndryshme të një karriere shtatëdekadëshe.

Vepra më e vjetër e artistit në këtë ekspozitë është ajo e vitit 1961, ndërkaq më e reja ka 2012-n si vit të jetësimit. Fillet e veprimtarisë së tij artistike veçohen për nga qasja emblematike që ai u jep pikturave e grafikave të tij.

Kuratori i ekspozitës, i cili kishte pasur rastin që gjatë viteve ‘80 të shoqërohej me artistin, veprimtarinë e tij e lidh dhe me përjetimet e vetë Gjokajt.

“Gjatë qëndrimit në Itali më shumë [Gjelosh Gjokaj] ka punuar me subjekte narrative me ndodhi të luftës. Ai ka pasur shumë përjetime traumatike si fëmijë. Nga okupimi italian, gjerman, bile në oborrin e shtëpisë së tij e ka parë një skenë të tmerrshme kur janë pushkatuar disa ushtarë gjermanë dhe ai si fëmijë tregon se si e ka përjetuar sikur një ëndërr. Andaj në këtë periudhë të veprimtarisë së tij ka shumë koka me gozhda të futura, ushtarë të vdekur. Ka qenë një periudhë kur është marrë shumë me këto” .

Vepra te shkallët për në katin e dytë të Galerisë – e veçuar nga të tjerat – me titullin “Vajza me zog”,  ishte bërë vepra e parë e koleksionit prej 81 sosh të Sead Gjokajt. Ia kishte dhuruar vetë maestroja.

“Kjo është njëra prej ekspozitave më të mëdha edhe për nga ana kuantitative njëjtë dhe për nga ana kualitative kur bëhet fjalë për ekspozitë retrospektive të Gjelosh Gjokajt. Sa u përket veprave, gjithmonë kam ardhur deri tek ato nëpërmjet njerëzve me të cilët ai është shoqëruar, njerëzit më kanë njoftuar, përherë kam marrë pjesë edhe në ankande. Para së gjithash, për mua një ngjarje e tillë është emotive, kënaqësi kur shoh kaq shumë vepra të tij në një vend”.

Krahas fletushkave të ekspozitave të dikurshme të artistit në GKK, po në katin e dytë zë vend dhe një kryevepër e tij. Madhështore, “Kënga për Kadinjaçën” 5 me 1.8 metra e vitit 1981 vjen si një elegji plot ngjyra e detaje për një të kaluar të trishtë. Si rezultat i përmasave të jashtëzakonshme dhe ekspozimi i saj qe i tillë.

Në të njëjtin pozicion, në katin e parë gjendet e varur dhe kryevepra “Sofra” e vitit 1978, pjesë e koleksionit të GKK-së.

Për kalendarin artistik të 2024-s, është e sigurt se ekspozita do ta zërë vendin në krye të ngjarjeve.

Edhe pse i ftuar në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca para se të merrte fjalën i pari  ka thënë se do të kishte dëshirë që të ishte i ftuar në cilësi tjetër: në atë të një studiuesi modest të artit.

“Kam qenë shumë i ri kur e kam parë pikturën e parë të Gjelosh Gjokajt, i kisha diku 19 vjet, ishte piktura ‘Rrëmbimi i Evropës’ e vitit 1980, në akuatintë. Edhe për mua ishte tronditje e madhe duke qenë se kisha hyrë të studioja pak artin botëror dhe t’i njihja gjigandët e pikturës botërore. Në fillim kjo pikturë m’u duk sikur të ishte e Marc Chagallit, edhe kur e kuptova që është e Gjeloshit thashë më vete se edhe ne e paskemi Chagallin tonë”.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i pranishëm në hapje të ekspozitës, ka thënë se me artistin bashkëvendës ishte takuar së pari herë pikërisht në Prishtinë, në vitin 2000, kur Gjeloshaj po studionte.

“Me veprën e Gjeloshit të gjithë krenohemi, por një simbolikë tjetër, e cila kur më ftoi ambasadori që të jem sot në Prishtinë në saje të festimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi dhe ditëlindjes së Gjeloshit, pranova me kënaqësi që t’i gërshetojmë ato, sepse pikërisht në këtë mënyrë mendoj se gërshetojmë shumë vlera që kemi të përbashkëta të dyja shtetet dhe të përçojmë bashkëpunimin e mirë që ka Mali i Zi me Kosovën dhe që do të vazhdojë ta ketë”.

Publiku i dendur në numër qe dëshmi e respektit dhe admirimit që gëzon figura e Gjelosh Gjokajt. Me praninë e madhe rikujtohet kontributi i tij në artin modern të botës shqiptare, veçanërisht në Kosovë.

“Gjelosh Gjokaj i njohur si maestro është figura kryesore kulturore që lidh Malin e Zi dhe Kosovën, është quajtur dhe Picasso i Ballkanit, dhe ekspozita do ta tregojë së përse. Me këtë ne po shënojmë ditëlindjen e artistit dhe përvjetorin e pavarësisë së Malit të Zi. Në Mal të Zi ne kemi shprehjen ‘I përjetshëm qoftë Mali i Zi’, unë do të shtoja e përjetshme qoftë miqësia e Malit të Zi me Kosovën”.

“Rrugëtimin modernist të Gjelosh Gjokajt” publiku do të mund ta përjetojë në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 7 korrik.