Lyudmila Makey, gazetarja nga Ukraina, rreth një muaj më parë ishte larguar nga vendi i saj për shkak të rrezikut që ndiente si gazetare.
Prapa ka lënë luftën. Por çdo lajm jo i mirë nga atje ia ngjall përsëri ankthin. Nën organizimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe TriptoAlbania, ajo me ekipet e mediave kosovare me kureshtjen më të madhe ka ndjekur udhëtimin drejt bukurive të Shqipërisë.
“Nuk kisha qenë kurrë më parë në Kosovë, por lufta më solli këtu. Në fakt, agresioni në shkallë të gjerë i Rusisë kundër Ukrainës. U detyrova të largohesha për shkak të rrezikut që më priste si ukrainase dhe si gazetare. Më 17 prill udhëtova për në Prishtinë. Dhe e dini çka, në zemrën time ndjeva një ngrohje shpirtërore. Më erdhi një buzëqeshje në fytyrën time, dhe ndjeva se sa shumë njerëzit më mbështesin dhe gëzoheshin sinqerisht për mua. Më kanë intervistuar mediat e Kosovës pothuajse çdo ditë, pyesnin për luftën, për popullin dhe familjen time. Të nesërmen kur dola në qytet, njerëzit filluan të më njihnin, të më përshëndesnin dhe të më pyesnin për familjen time. Kjo mbështetje është shumë e rëndësishme për mua. Shpesh nuk mund t’i mbaj as lotët”, tha Makey.
Në Kosovë thotë se e ka gjetur paqen dhe sigurinë që ia mohon çdo lajm jo i mirë që vjen nga Ukraina. Këtë situatë thotë se po ia bën më të lehtë mikpritja e miqve të rinj dhe përcjellja e aktiviteteve kulturore në kryeqytet.
“Çdo ditë për mua është ditë paqeje këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Por ka një luftë në vendin tim. Unë e filloj çdo ditë me leximin e lajmeve. Dhe atje përsëri Rusia po vazhdon bombardimin e qyteteve të Ukrainës. Prishtina më priti mua me njerëz të mrekullueshëm që më ndihmuan në gjithçka. Më pëlqejnë monumentet historike, muzetë e mrekullueshëm historikë dhe veçmas më pëlqejnë koncertet e Filharmonisë së Kosovës”, tha ajo.
Gazetarja ukrainase shpreson që çdo ditë të jetë e fundit për luftën në vendin e saj. Ajo thotë se do të udhëtojë në vendin e saj me kujtimet e mira nga këtu dhe shpreson të kthehet përsëri për pushime me miqtë e saj nga Ukraina.
“U jam jashtëzakonisht mirënjohës miqve dhe kolegëve të mi nga Kosova, ose më mirë kolegëve të mi që janë bërë miqtë e mi që po më ndihmojnë të zbuloj këtë vend mikpritës. Gazetarët më pyetën nëse mund t'i rekomandoja këto vende për turistët ukrainas? Sigurisht! Jam gati! Do të jem shumë e lumtur kur miqtë e mi, të njohurit dhe të panjohurit e mi ukrainas të vijnë këtu. Por deri tash bashkatdhetarët e mi nuk duan të pushojnë. Gjëja më e rëndësishme për ne është fitorja në këtë luftë, dhe paqja të vijë më shpejt, pastaj do të kemi kohë për ndërtimin e vendit dhe shërimin e plagëve të luftës”, tha Makey.
Shoqërimi me gazetarët kosovarë ia kanë kthyer buzëqeshjen dhe e kanë bërë të mësoj disa fjalë në gjuhën shqipe. Eksplorimi i historisë së kësaj zone e ka bërë të kuptojë edhe për lidhjen e Shqipërisë me Ukrainën.
“Shqipëria është sërish një tokë me një histori jashtëzakonisht të vjetër. Kjo histori tregon se si populli i Shqipërisë aspironte lirinë dhe lidh edhe popujt tanë. Ukrainasit e kanë dashur gjithmonë lirinë dhe shqiptarët e kanë dashur lirinë dhe sot ndiejmë mbështetjen tuaj. Në Vlorë qëndruam buzë detit teksa perëndonte dielli, ishte një bisedë e rastësishme me njerëz të mirë që e dinë se çfarë është një festë dhe që vlerësojnë paqen dhe rehatinë. Unë dua që të ketë sa më shumë vende të tilla në botë. Isha e habitur nga mënyra se si gazetarët kosovarë dolën në skenë gjatë koncertit, tashmë ishte mbrëmje dhe ata u prezantuan me publikun, ata i përshëndetën me duartrokitje aq të sinqerta sa thashë me veten “Pikërisht kështu duket lumturia””.
“Ajo çfarë u them miqve, kolegëve dhe të njohurve të mi këtu në Kosovë dhe Shqipëri është: “Mos harroni se në shtetin evropian, në Ukrainë është duke u zhvilluar një luftë”. E kuptoj që psikologjia njerëzore është e rregulluar aq shumë sa mësohesh me lajmet e këqija. Jeni mësuar të lexoni çdo ditë për vdekje, bombardime, por këto janë gjëra të tmerrshme që nuk duhet të ndodhin dhe Ukraina sot është një goditje për të gjithë Evropën dhe jam i sigurt se vetëm falë mbështetjes sonë, mbështetjes suaj ne mund ta zmbrapsim Rusinë në vendin e vet, sepse agresioni nuk duhet të ndodhë në botën moderne e të qytetëruar”.
Lyudmila Makey edhe për gjashtë muaj do ta ushtrojë profesionin e saj nga Prishtina në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë”.