EXPRESS

“Rrnofsh sa malet!” për kujdesin ndaj natyrës

Janë vepra me shumë ngjyra, si rrëfime të bukura. Por përbrenda ngërthejnë histori jo aq të këndshme. Flasin edhe për shkatërrimin. Nga kjo pikë synohet rritja e ndërgjegjësimit për çështjet ekologjike nëpërmjet së parës ngjarje të festivalit, të premten, ku janë bashkuar vepra të dimensioneve të ndryshme, me kombinime ngjyrash e mediumeve të ndryshme.

Në dukje janë kontraste mes njëra-tjetrës, por jo edhe për nga koncepti. Të gjitha vizualizojnë peizazhe në forma të llojllojta: disa më reale e disa me prirje abstrakte. Madje njëra prej veprave – ajo e Agron Blakçorit – edhe e sjell një copë peizazhi brenda Galerisë së Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

“E bukura” e artistit Anton Krasniqi duket tejet imagjinare dhe e largët me realen, sikurse peizazhet e Kosovës. Vepra vaj në pëlhurë, ngjyrat e natyrës, bashkë me efektet që krijon perëndimi i diellit, tërheqin lehtë vëmendjen.

Një copë peizazhi vendoset brenda hapësirës ekspozuese. Prej murit të njërës dhomë ekspozuese, prej dy sa kanë qenë, “buron” një ujëvarë prej najloni. Kjo është pika e parë ku materiali me konceptin bien në kundërshtim. A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur?), pyet Blakçori me titullin e instalacionit.

Kuratorja e ekspozitës “Rrnofsh sa malet”, turkja Övül Durmuşoğlu ka thënë se të gjitha punimet paraqesin peizazhe të bukura dhe që synojnë të hapin pyetje ekologjike për gjendjen e natyrës sot.

“Kur hyjmë brenda këtyre hapësirave kuptojmë se trajtohen shumë keq. Me anë të këtyre vizioneve shumë të bukura që na sjellin artistët, ne do të donim të krijonim prapë atë imazh dhe ta zhvillojmë në mënyra të ndryshme, ta kuptojmë ekologjinë nga një tjetër perspektivë, pasi natyra është shumë e bukur, na jep shumë dhe ne duhet ta trajtojmë më mirë që ajo të vazhdojë të na trajtojë ashtu”.

Presidenti i festivalit, tenori me famë botërore, Ramë Lahaj, në fjalimin e tij të shkurtër ka adresuar falënderime për mbështetësit e festivalit, të cilët i ka vlerësuar si motorë që e gjenerojnë krejt idenë e organizimit.

“Faleminderit shumë që keni ardhur. Sonte nuk do të veçoja askënd, sepse kam një përshtypje dhe një bindje që para Zotit dhe para artit jemi të gjithë të barabartë. Kështu që faleminderit të gjithëve për kontributin”.

Indira Khartallozi, themeluese e organizatës “Sustainability Leadership Kosova”, ka ndarë të dhënat e një prej hulumtimeve që kanë realizuar për malet e Kosovës.

“Filluam tre vjet më parë të kuptojmë se çfarë po ndodh me malet e Kosovës, si mund të kuptojmë më së miri se cili është dëmi që u është shkaktuar atyre në 22 vjetët e kaluar. Kemi mbledhur të dhënat duke përdorur pamjet satelitore, kemi analizuar ato, kemi siguruar se ato janë të sakta. Rezultatet nuk janë shumë premtuese. Gjatë 22 vjetëve të fundit kemi humbur më shumë se 11 hektarë male në Kosovë”.

Punimet e Merita Myderrizi-Malokut, Zana Ramadanit, Vigan Nimanit e Hysni Krasniqit kanë qenë prej atyre që kanë përforcuar mesazhin për jetëgjatësinë e maleve. Kanë ardhur nëpërmjet “Rrnofsh sa malet!”, urimit tradicional që tashmë vjen në një frazë më poetike, por më pak e zëshme.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë deri më 31 korrik, aq sa zgjat edhe festivali.