Me tingujt pianistikë të Alberta Tronit, veprat e Beethovenit, Brahms e Ravelit, kanë bërë jehonë në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Troni me lojën mjeshtërore të saj e ka bërë koncertin të kulmojë me interpretimin solo të të dyja veprave.
Pjesë nga Franz Listz dhe Astor Piazzola kanë qenë veprat serioze e virtuoze me të cilat pianistja e ka bërë vendimtare lojën e saj që korrespondon me dedikimin e festivalit.
Baritoni tajlandez i skenave operistike botërore, Saran Suebsantiwongse, ka gërshetuar lojën melankolike e harmonike për vepra që rrallë janë dëgjuar në skenën klasike në vend. Për herë të parë u ka dhënë zë në Prishtinë. Programin e ka konsideruar të vështirë sa i përket teknikës e muzikalitetit.
“Kur po diskutonim se çfarë do të interpretonim së bashku, zgjodha pjesë nga tri periudha, për shembull Beethovenin nga periudha klasike, Brahmsin nga romantizmi dhe Ravelin nga romantizmi i vonshëm. Tri kohë të ndryshme i kemi bërë bashkë me pianisten Alberta Troni. Ne kurrë nuk jemi takuar më parë dhe normalisht se një gjë e tillë ka qenë disi sfiduese. Kemi punuar për disa ditë para koncertit. Ishte program i vështirë por ia dolëm goxha mirë së bashku. Mendoj se doli një mbrëmje e suksesshme”.
Baritoni nga Tajlanda gjatë qëndrimit në Prishtinë të martën ka mbajtur masterklasë me studentët e Fakultetit të Arteve, gjë që ka rezultuar me marrëveshje ndërmjet tij dhe institucionit. Ai është shprehur se zërat e bukur të këngëtarëve të rinj vijnë biologjikisht, por edhe si rrjedhojë e ndikimit të kulturës.
“Fillimisht isha shumë i impresionuar me kualitetin e zërave të tyre. Mendoj se biologjikisht njerëzit nga Kosova kanë zëra kaq të bukur, të fuqishëm. Por gjithashtu ka të bëjë edhe me kulturën, siç është muzika folklorike, vendi që inspiron njerëzit të jenë të ndjeshëm , të bëjnë art me zërin. Janë të vetëdijshëm për këtë kualitet dhe me të shkëlqejnë. Përveç e kam kuptuar se kanë zëra të bukur, si askund në botë, ata janë studentë që kanë përvojë në këndim”.
Profesoresha Alberta Troni e ka vlerësuar përzgjedhje filozofike programin që Suebsantiwongse e kishte kuruar për ta luajtur në Kosovë. Për dy pikat e saj solo ka thënë se janë vepra mjaft të dashura për të e me shumë kërkesa interpretative.
“Këto janë vepra me kërkesa mjaft të larta teknike pianistike. Duan koncentrim, përkushtim, punë të madhe, hulumtim në tingull, në ngjyrë, në filozofi, në psikologji. Sepse arti muzikor është art dëgjimi, mjaft i komplikuar, i ndjeshëm, delikat. Në fund shpërfaq shpirtin e secilit, të brendshmen, intuitën e artistit”.
Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, ka thënë se ndihet e lumtur që publiku ka pasur rast të përjetojë çaste të magjishme të muzikës klasike nëpërmjet lojës në piano e ngjyrave vokalistike.
“Me një ngjyrë jashtëzakonisht të bukur si bariton na ka përcjellë porosi nga tre kompozitorë të famshëm të historisë së muzikës klasike. Këto kanë qenë vepra që ma merr mendja që publiku për herë të parë ka pasur mundësi t’i dëgjojë. Po ashtu profesoresha Alberta Troni është munduar të na sjellë një vepër premierë të Piazzolas. Ishte e bukur edhe me motivet e Listzit. Kishte laramani dhe atmosferë të bukur sonte. Ajo është veçantia e secilës mbrëmje, secila ka sharmë dhe bukuri të veçantë”.
Pianistja Melisa Ibrahimi ka veçuar lojën solo të pianistes Alberta Troni, në klasën e së cilës edhe kishte ndjekur studimet.
“Sonte ka qenë një koncert shumë i mirë, i uroj të gjithë për këtë edicion, posaçërisht profesoreshës. Ka pasur disa pjesë solo të cilat i ka zotëruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka qenë çdo gjë e jashtëzakonshme dhe shumë e mirë. Edhe programi i zgjedhur në përgjithësi për koncertin ka qenë mjaft i vështirë për nga ana teknike muzikale”.
“Chopin Piano Fest” sjell opusin shqiptar dhe atë botëror për piano në koncertin e radhës, të premten me pianistin Kosti Deti në të njëjtën adresë.