Mbrëmjes së parë me muzikë, në edicionin e katërt të festivalit “Rame Lahaj International Opera Festival” i ka paraprirë ekspozita e artit pamor. Njëjtë sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet hapja e festivalit – me pesë net dedikuar muzikës klasike e aktiviteteve rreth saj – u bë me pikturën. Para koncertit të parë që do të mbahet sonte e që i dedikohet ikonës Nexhmije Pagarausha, ngjashëm veprohet dhe në Galerinë e Fakultetit të Arteve, por këtë radhë aty zënë vend emrat e shquar të artit pamor në Kosovë.
Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Nysret Salihamixhiqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka e Zake Prelvukaj, janë artistët veprat e të cilëve vijnë si pjesë e koleksionit privat të sipërmarrësit kosovar Rasim Mrlaku, në ekspozitën e kuruar nga Arta Agani nën titullin “Athua ëndërr ishe ti”, huazuar prej këngës së grupit të famshëm “Minatori”.
Janë vetëm dyzet e sa sosh nga një koleksion prej qindra të Mrlakut, të cilat me “Athua...” vijnë për herë të parë para publikut e bashkë me to dhe pesha e atyre që i kanë nënshkruar. Mundësia për të parë vepra të piktorëve të këtij kalibri bashkë në të njëjtën kohë është shumë e rrallë, por me intervenimin kuratorial të Arta Aganit individualiteti i secilit vjen në pah.
Misionin që të jetë posedues i veprave artistike nga emra të shquar të pikturës koleksionuesi Mrlaku e kishte nisur dy dekada më parë. Kishte pasur rastin që me shumë prej tyre të njihej dhe nga afër, por ideja e një ekspozite me vepra nga koleksioni i tij kishte qenë gjithmonë e huaj. Deri kur në mes kishte hyrë tenori Rame Lahaj, i cili e bindi atë që të realizonin këtë ekspozitë.
“Koleksionoj piktura tash e 25 vjet dhe kjo ka rrjedhur pak edhe nga familja. Motra është një koleksionuese e pikturave dhe nga aty kam filluar, dhe ndoshta është më shumë ndjenjë e pasion sesa mendim. Pastaj shumicën e piktorëve i kam njohur dhe personalisht, i kam takuar dhe kam marrë piktura nga ta. Por Rama ka qenë faktori që më ka bind me i ekspozu pikturat, sepse në asnjë moment nuk e kam pasur një plan të tillë që të bëj një ekspozitë me pikturat që i kam në posedim”, deklaroi Mrlaku.
Të gjitha veprat e ekspozuara, sipas tij, kanë një mesazh me të cilin mund të bashkëndiejë çdo shqiptar.
“Të gjitha këto piktura dhe këta piktorë kanë elementin nacional në to, dhe secilën pikturë që e sheh besoj që secili shqiptar gjen diçka të veten në to ose nga pjesa e jetës ose nga kujtimet, nga të gjitha ato që ne i përjetojmë”.
Te asnjëra nga veprat e varura në muret e galerisë nuk nevojiten përshkrimet, emrat e autorëve përkatës janë lehtë të identifikueshëm edhe me njohje sipërfaqësore të historisë së artit në Kosovë.
Një fond i tillë veprash mund të konsiderohet dhe si sfidues për çdo kurator kur ndeshet që të nxjerrë një ekspozitë me to. Por kjo nuk ka qenë çështje për kuratoren e ekspozitës, Arta Agani.
“Përzgjedhja ka qenë e lezetshme dhe aspak e vështirë, sepse kemi të bëjmë me kolosët e artit kosovar dhe profesorët që i kam njohur edhe personalisht. Për mua ka qenë kënaqësi e madhe ta bëj këtë përzgjedhje. Për mos me qenë subjektive, ka qenë për mua e rëndësishme ta gjej një koncept rreth të cilit të ndërtohet pastaj edhe ekspozita. Të gjitha këto piktura lidhen me simbole të ndryshme që simbolizojnë dashurinë ose nostalgjinë, emocionet romantike dhe ato simbole, pastaj janë ose lulet, ose krijesat e tjera të ndryshme joreale si te Salihamixhiqi, apo te dritaret e Hamdi Bardhit”.
Sipas saj, kënga “Athua ëndërr ishe ti” nga grupi “Minatori” i përgjigjet mirë atmosferës së krijuar nga pikturat e përzgjedhura. E ekspozita do të jetë e hapur për vizitorë deri më 31 korrik.
“Rame Lahaj International Opera Festival” edicionin e katërt e hap sonte në Sheshin Skënderbeu në kryeqytet në harmoni me uratën e sivjetme të festivalit “T’knoft zemra”.