EXPRESS

“Reagimi i përsosur” ndjek siluetat në lojën me dritë

Ekspozita “Perfect Reaction” futet në një lloj laboratori në kërkim të vetvetes, realizuar nga një analizë artistike që Fitim Haziri ia bën teknikës së vizatimit si dimension arti. E përdor atë në mënyra jokonvencionale me forma të çrregullta, luan me lëvizjet lineare të lapsit me ngjyrë, inkuadron dhe forma gjeometrike që në disa vepra përsëriten e diku tjetër janë ekskluzive. Krejt këto lëvizje me laps që artisti ka vendosur t’i jetësojë në veprat e tij të bashkuara në “Perfect Reaction”, krijon përshtypjen e një vizualizimi të procesi të mendimit të vetë autorit.

Dy katet e hapësirave të “Shtëpisë së Evropës” në Prishtinë janë rezervuar për botën e tij. Foajeu u bë shtëpi e pikurave e printimeve të tij ndërkaq kati përdhes me hapësirën e destinuar për ekspozim, u ka bërë vend atyre që janë cilësuar si skulptura, e që shpalosen si metaforë e depërtimit në një shkallë më të thellë të mendjes së tij artistike.

Elementi që theksohet në të gjitha veprat e artistit të ri është loja me siluetat e njerëzve që i bën pjesë integrale të veprave duke ua veshur një karakter diskret, i cili lejon observuesin që t’i interpretojë ato sipas këndvështrimit personal.

Në pesë skulpturat të cilat qëndrojnë si struktura që ngjasojnë me korniza interaktive të cilat ekspozojnë vizatimet të mbështetura nga loja me dritë, autori e bën publikun pjesë të ekspozitës jo vetëm si shikues, por u jep dhe mundësinë që të “intervenojnë” duke lëvizur strukturat metalike ku gjenden vizatimet. Kësisoj mundëson manipulimin me dritën dhe projektimin unik që realizohet në tavanin e sallës ekspozuese.

Për vetë artistin ky është një cikël veprash i cili ka buruar nga një këndvështrim i thellë personal ndaj aspekteve rrethanore, e si i tillë rezultoi dhe në një mënyrë ekspozimi të veçantë.

“Ky cikël është rezultat i një pune njëvjeçare e gjysmë, është një cikël vizatimesh ku kam punuar kryesish me siluetat, dhe jam munduar që idenë e instinktit të brendshëm me e nxjerrë si një siluetë të njeriut dhe kështu kemi ardhur dhe deri tek emri ‘Reagimi i përsosur’, pasi që çdo reagim, çdo tentim për me e paraqitë një të vërtetë të idesë që e kam pasur në mendje, shfaqej në mënyrë perfekte, që më pëlqente. Një mënyrë sureale e cila më bënte të ndihesha mirë kur reflektohej imazhi”.

Teknikat që përdor Haziri pasqyrojnë mjeshtërisht identitetin e tij artistik. Në shikim të parë kompozicionet e tij japin përshtypjen e disa veprave ku intervenimi është linear, por në fakt aty artisti krijon kakofoni lëvizjesh të cilat shërbejnë si pasqyrë e mendjes së tij. Ai rrëfen për shikuesit një narrativë e cila dërgon në një udhëtim të nuancuar nga notat surreale, duke kapërcyer realitetin, gjatë soditjes së veprave të tij. Derisa drita qëndron si elementi kryesor i cili dikton paraqitjen e vizatimeve të tij.

Vetë artisti identitetin e tij artistik e sheh si jokonvencional të pakornizuar, duke lëvruar lirshëm me dimensione të ndryshme artistike.

“Jam multidisiplinar në teknika, nuk është që rri rehat vetëm në një teknikë. Tentoj me eksperimentu varësisht nga ideja apo tema. Këto dy vitet e fundit jam më i preokupuar me eksperimentim në pëlhurë, print dhe me lojën me dritë”.

“Figurat njerëzore, të përshkruara në forma dhe pozicione të ndryshme shfaqen si pika qendrore, duke lënë një energji të pashlyeshme të perceptuar në nuancat e kaltra – një simbol i lirisë së pakufishme dhe këndvështrimeve të pafundme”, shkruhet ndër të tjera në konceptin kuratorial të kuratorëve të kësaj ekspozite, Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka.

Ata e kishin nisur bashkëpunimin me Hazirin me idenë që kjo ekspozitë të përmbante dhe vepra të vjetra të realizuara nga ai, krahas atyre të punuara rishtazi.

“Meqenëse është ekspozita e tij e parë personale, jemi preokupuar me idenë se si ta mbërthejmë krejt punën e Fitimit në një ekspozitë ideja e ekspozitës ka qenë inkuadrimi i disa punëve të vjetra si disa piktura dhe grafika, ndërkaq skulpturat e tij dhe vizatimet në to janë të punuara nga Fitimi, për këtë ekspozitë, duke i lidhur bashkë me veprat e mëhershme. Mbi të gjitha ideja e tij është me që shikuesin ta bëjmë pjesë pa e vërejte vizitori, me anë të dritës dhe hijes, vetë vizitori bëhet pjesë e ekspozitës”.

Për Jakën karakteri personal që artisti e ngarkon te veprat e tij ka qenë nxitje e mirë që përmes konceptit kuratorial ato të rezonojnë dhe jashtë personales së artistit.

“Puna e Fitimit është shumë personale e tij, ai punon disa silueta të njerëzve që janë shumë personale për të. Por, mënyra se si kemi punuar unë dhe Laureta në paraqitjen e veprave ë tij, ka qenë ideja e përfshirjes së publikut, me ia dhënë edhe aspektin kolektiv, pasi që Fitimi e vendos vetë publikun si pjesë të instalimit”.

Bota e artistit Fitim Haziri përmes pikturave, printimeve dhe vizatimeve të tij mund të eksplorohet në “Shtëpinë e Evropës” deri më datën 30 prill.