EXPRESS

“Ramë Lahaj & Friends” sjell magjinë e skenave botërore

Sheshi qendror i Prishtinës, të dielën u kthye në skenë të vërtetë operistike. Ishin yjet botërore të operës që i dhanë kuptim të veçantë ngjarjes.

Copëza të pjesëve të operave të famshme botërore si “La Traviata”, “Makbethi”, “Tosca” e “Romeo dhe Zhulieta” kanë qenë gërshetim i së bukurës e madhështores. Mbi të gjitha, pjesëve përrallore që zhysin në rrugëtimin imagjinar mes tingullit, paraqitjes, madje inskenimit aty për aty të ndonjë pjesë edhe me aktrim.

Koncerti “Ramë Lahaj & Friends” dukej aq i largët për të qenë i vërtetë. Kulmuese qe hapja e vetë Festivalit Ndërkombëtar të Operës që mban emrin e tenorit që ka ngjitur skenat madhështore të teatrove botërore.

Magjinë e skenave botërore e ka bërë një kryeqytetin. Mozaikun e programit e ka përmbushur baritoni italian Massimo Cavalletti e sopranoja ukrainase Yulia Suleimanova. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në anën tjetër ka dëshmuar profesionalizmin edhe në një tjetër paraqitje.

Me udhëheqjen e tij, dirigjenti italian, Pier Giorgio Morandi, ka lënë shenjat e traditës operistike në institucionin shtetëror të muzikës klasike, Filharmoninë e Kosovës. Sipas tij, orkestra ka qenë tejet bashkëpunuese, derisa anëtarët e saj të gatshëm për të ndjekur të gjitha traditat italiane operistike.

“Janë muzikantë të rinj, shumë të talentuar. Shpresoj se edhe në të ardhmen do të mund të punojmë sërish së bashku. Ata nuk luajnë operë sepse janë orkestër simfonike, por bëmë punë të jashtëzakonshme së bashku. Ata ishin të gatshëm të ndjekin të gjitha traditat italiane operistike”.

Rrëfimi muzikor ne Filharmoninë e Kosovës ka nisur me prelud nga opera “Carmen” e francezit Bizet. Pjesën e dashur për të, “No puede ser”, të cilën Lahaj e interpreton gjithandej, ia ka shpalosur edhe publikut të tij.

Bashkë me sopranon Suleimanova, Lahaj ka interpretuar pjesën “Parigi o cara” nga opera “La Traviatta” e Giuseppe Verdit. Ka qenë rrëfim emocional, e romantik, përplot emocion e dashuri e cila i përcillet publikut si në një shfaqje të vërtetë opere.

Tenori Ramë Lahaj ka interpretuar edhe kolazh me këngë popullore shqiptare si “Kroi i fshatit tonë”, “Po ti ça i ke than dikuje” dhe “M’ka shku menia me u fejue”. Entuziazmi i publikut dhe dashuria në interpretim është dalluar në kapitullin për këngën shqipe.

Me veprat e Puccinit, Verdit, Rossinit, dhe jo vetëm, publiku prej rreth 3 mijë vetash në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ka eksploruar edhe pjesë të tjera të famshme të interpretuar prej baritonit italian Massimo Cavalletti. Pjesa “Berberi i Sevljës” qe njohja e parë me publikun në Prishtinë. Pjesëmarrjen në koncert e ka vlerësuar si ngjarje të veçantë për të.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu në Prishtinë dhe që kam bashkëpunuar në një ngjarje kaq të veçantë. Uroj vërtet që opera lirike në Kosovë të ketë një teatër të vërtetë. Jemi këtu prej dy ditësh, kemi pasur kënaqësinë dhe rastin të dëgjojmë Ramën të këndojë këto këngë të mrekullueshme të kulturës suaj. Shpresojmë se do të mund të kthehemi dhe të shijojmë më shumë këtë eksperiencë”.

Ylli botëror i operës, Alessandro Safina ka qenë njëri prej kryepersonazheve në skenë. Ka rrëfyer nëpërmjet interpretimit melankolik të pjesës “Parla Piu Piano” dhe atij romantik të “Besame Mucho”.

Interpretimi i tij ka kulmuar me “Luna”, kolonën e famshme zanore të serialit “O Clone”. Për pjesën “Dicitencello Vuje” të italianit Rodolfo Falvoka ndarë skenën me tenorin Lahaj me interpretimin e fuqishëm. Solistët janë bashkuar në përmbyllje të kapitullit të parë të programit muzikor të edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj” me pjesën “Brindisi” nga “La Traviata”.

Në skenë është shfaqur duke bartur broshin me hartën e Kosovës. Ka thënë se veçse është lidhur me publikun në Kosovë.

“Çdoherë që interpretojmë në një qytet për herë të parë, është gjithmonë një emocion i veçantë, publik shumë i bukur. Ata kënduan bashkë me ne dhe më vjen mirë që ata i njohin këto pjesë. Kemi raport shumë të mirë me Ramën dhe shpresojmë se nga kjo të kemi bashkëpunime të tjera”.

Muzikologia e kryetarja e bordit të Operës së Kosovës, e ka vlerësuar si platformë jo të zakonshme formatin e koncertit “Ramë Lahaj & Friends”.

“Në një koncert të hapur, natyrisht se sillen disa prej arieve, romancave më të popullarizuara të literaturës operistike dhe jo vetëm, arie të operave të cilat për një numër të madh të publikut janë të njohura. Janë edhe si një lloj sensibilizimi për ata të cilët nuk i kanë dëgjuar deri më sot duke marrë parasysh që ne tashmë kemi të funksionalizuar edhe institucionin e Operës së Kosovës si një nga mbështetësit kyç të këtij aktiviteti”.

Program po kaq të larmishëm ka paralajmëruar koordinatorja e programit artistik të Festivalit, sopranoja Ulpiana Aliaj.

“Besoj se programi ka pasur një gjithëpërfshirje, ka qenë i larmishëm duke filluar që nga një repertor klasik tradicional, nga opera Tosca, apo të tjerat dhe më pas kaluam në një repertor pak më demokratik që kulmoi me kolazh të punuar mjeshtërisht nga Gerti Druga që u interpretua nga tenori Lahaj”.

Me rrugëtimin operistik, koncerti “Ramë Lahaj & Friends” ka dëshmuar se arti i operës nuk njeh kufizime, pikërisht si motoja e Festivalit – “Operë për Liri”.