Çmimi “Rrëqebulli i Argjendtë” këtë vit ka mbetur në vendin që e dhuron. Vepra për ansambël e titulluar “Wet Dreams”, kompozuar prej Ylli Daklanit, fitoi edicionin e tretë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë. Për të nuk mjaftoi vetëm Çmimi i jurisë. Në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, të premten mbrëma, mori edhe Çmimin e publikut. Është hera e parë që “Rrëqebullin...” e merr një kompozitor nga Kosova, por Dakalani e kishte nisur mbarë me Garën, qysh në edicionin e parë më 2019, në të cilën mori Çmimin e publikut.
Sivjet, për Çmimin kryesor në finale u futën katër vepra, nga 19 që kanë konkurruar, që u luajtën në mbrëmjen finale nga “Nouvel Esemble Contemporan”.
Christos Ntovas e Konstatinos Chaliasas nga Greqia dhe Jetmir Zaganjori nga Shqipëria ishin emrat e tre finalistëve të tjerë. Koncerti kulmoi me veprën e Ylli Daklanit, të cilit nuk iu desh shumë kohë që në skenë të ngjitet edhe për të marrë Çmimin. Ndërmjetësimi i vetëm qe paraqitja e ansamblit NEC në bashkëpunim me studentët e “DAMcademy”.
“Besoj që po e vini re sa kemi nevojë për të tilla eksperienca. Sonte me të gjitha veprat, jo veç me këtë që fitoi, po besoj që do të dilni nga këtu me një tjetër energji, me një mendje, me një shpirt tjetër. Kjo s’është bërë vetëm nga vepra ime, por është bërë edhe nga veprat e tjera që ishin në kompeticion, e edhe nga vepra e fundit. Kështu që faleminderit shumë organizatorëve, muzikantëve dhe të gjithëve që po na i bëni ëndrrat realitet”.
Antoine Françoise, Susanne Peters e Gregory Charette ka qenë treshja e jurisë. Pos tyre, veprat iu nënshtruan edhe vlerësimit të publikut, që në përbërje ka pasur edhe muzikantë me karrierë shumëvjeçare e të tillë që e njohin dhe e duan atë.
Vendimi për fituesin e kësaj gare, juria ka thënë se nuk ka qenë i lehtë.
“Është gjithmonë e vështirë që të zgjedhësh, sepse muzika nuk është garë sportesh, nuk duam fitues. Kur je duke marrë një vendim që të zgjedhësh më të mirin, shumë fakte të duhen për të zgjedhur. Ai është një kompozitor shumë i ri. Ne, kur kemi mbërritur këtu, disa instrumente në Kosovë nuk kanë ekzistuar. Kur ata i shihnin na lusnin që t’i fusnim në pjesët e tyre dhe pjesa ndryshonte paksa. Dhe kjo është më e mira, kur ne shohim se muzika është jetë për dikë. Këto janë të gjitha arsyet që ne kemi vendosur që t’ia japim atij çmimin”
Në publik ka qenë Lirije Halili-Koshi, njëherësh edhe profesoreshë e Daklanit.
“Çka të them për festivalin ‘DAM’. Edhe Evropa po flet për të. Dikur isha edhe vetë pjesëmarrëse me Korin, tani janë këta studentë. Dikur e kisha Ylli Daklanin nxënës, kështu që nuk është për t’u befasuar shumë për çmimin e publikut dhe të jurisë, sepse ai filloi si 9 vjeç kompozimin pikërisht tek unë, e pastaj edhe te kompozitorët e tjerë me nam. Dua të them që kjo nuk është rastësi. Ylli ka filluar që në fëmijëri të kompozojë”
Rrugëtimi njëjavor i edicionit të tretë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit solli para publikut vepra më ndryshe krahasuar me koncertet e festivalet e tjera.
“Zakonisht asnjëri nga aktivitetet e sidomos të këtij lloji, të rralla në të gjithë Ballkanin, nuk janë pak sfiduese. Por që përfundime si këto natyrisht që na bëjnë të ndihemi shumë mirë. Sot edhe shumë krenarë, sepse si rezultat i votës së jurisë, e edhe të publikut për herë të parë deri tek edicioni i tretë, shpërblimi i audiencës dhe ai kryesor iu nda një kompozitori tonë të ri, shumë premtues, siç është Ylli Daklani”, deklaroi Rreze Kryeziu-Breznica.
Një mbrëmje e veçantë në kuadër të këtij organizimi ishte edhe koncerti i 7 prillit. Aty u paraqit “Nouvel Ensemble Contemporain” bashkë me 15 studentë nga Kosova. Kanë qenë pesë vepra në program, e shumë më shumë stile, kapërcime e teknika interpretimi.
Nën dirigjimin e Antoine Françoise, koncerti ka zbërthyer esencën e muzikës së re dhe bashkëpunimi i muzikantëve të rinj vendorë ka qenë mundësi e mirë për hapjen e kapitujve të rinj në muzikë.
“Në ditën e parë na kanë parë duke na pyetur se kush jemi ne dhe ditët në vazhdim na kanë dëgjuar dhe i kemi provuar bashkë instrumentet. Në pesë ditë, dy platforma të ndryshme janë bërë një. Kjo është ajo çfarë ka fuqi të bëjë muzika. Kështu që jam shumë i lumtur të jemi këtu me muzikën dhe të shoh kënaqësinë që ajo u jep njerëzve këtu. Shpresoj që kjo të ndihmojë që kjo lloj muzike të jetojë edhe këtu. Por kur shoh të rinjtë jam goxha i sigurt se do të jetojë”.
Krejt punën në Kosovë dhe përgjegjësinë e të qenit pjesë e jurisë, Susanne Peters ka thënë se ia ka lehtësuar mikpritja.
“Jam ndier shumë e mirëseardhur. Të gjithë janë shumë të dashur. Studentët janë shumë entuziastë, të emocionuar dhe kuriozë për çdo gjë. Të gjithë të presin mirë dhe mund të flasësh çdo gjë me të gjithë që takohesh, qoftë edhe për herë të parë”.
Pesëmbëdhjetëshja, për një javë – sa kanë zgjatur sivjet aktivitetet e Garës së Kompozitorëve të Ballkanit – ka qenë pjesëmarrëse e “DAMcademy – Shkolla për Muzikën e Re”.
“’DAMcademy’ ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe e veçantë. Kemi pasur rastin të performojmë me artistë të kalibrit botëror, siç janë këta që u prezantuan sot. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. Ishte me të vërtetë një sfidë e veçantë, shkaku që ka qenë hera e parë që kemi performuar në një mënyrë të tillë. Por e veçanta ka qenë që puna ekipore ka qenë shumë e mirë”, tha Rigon Begolli.
Edicioni i tretë i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit është mbajtur nga data 1 prill deri më 7 prill edhe kur është shpallur fituesi. Gara organizohet çdo dy vjet dhe edicioni i radhës do të mbahet më 2025-tën.