EXPRESS

"Green Queen", projekti që synon ta bëjë Prishtinën me "Kullë të Eiffeilit"

Sa qytete në botë identifikohen nga një objekt arkitektonik? Kush mund ta mendojë Parisin pa Kullën e Ajfelit apo New Yorkun pa Statujën e Lirisë?

Cili objekt është pikë referimi në Prishtinë?

Në përpjekje për të ndërtuar identitetin kulturor dhe arkitektural të kryeqytetit, një grup arkitektësh e ka iniciuar ndërtimin e “Green Queen”.

Projekti për shndërrimin e oxhakut të Termokosit, në simbol të vetëdijes mjedisore, u prezantua në ambiente të Komunës së Prishtinës.

Arkitekti Visar Geci thotë se kjo ide ka zënë fill para 1 viti e gjysmë dhe shpjegon ndërhyrjet që parashihen të bëhen, raporton KOHA.

“Green Queen” është konceptuar në formën e një objekti simbol të vetëdijes mjedisore. Prishtina viteve të fundit është radhitur në krye të listës së Indeksit Botëror të Cilësisë së Ajrit, duke lënë pas ndotësit më famëkeq.

Geci thotë se ende nuk ka parallogaritje për koston e këtij projekti, ndërsa sipas

zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, buxheti për këtë projekt do të ndahet vitin e ardhshëm.

Sipas projektit, oxhaku ekzistues i ngrohtores së qytetit që shihet nga hyrjet kryesore të Prishtinës, do të përthekohet nga një konstruksion çeliku në formën e një veshjeje mbretërore si simbol i madhështisë dhe rëndësisë.

Në bazament të konstruksionit do të mbillen bimë ngjitëse, gjethet e të cilave do të rriten me kalimin e kohës për të mbuluar tërë sipërfaqen e oxhakut.

Kësisoj Prishtina do ta fitojë një pikë të re referimi, që ndryshon çdo vit, duke u bërë gjithnjë e më e gjelbëruar me kalimin e viteve.