EXPRESS

Promovohet libri ilustrues, homazh për arkeologen Edi Shukriu

Në një nderim të përzemërt për arkeologen e ndjerë Edi Shukriu, Kaltrina Igrishta dhe Eliza Shala kanë realizuar një libër unik me ilustrime të titulluar “Edi, Labirinti Dardan dhe Porta e Tukanës”. Me rrëfimin e sjellë nga Igrishta dhe ilustrimet e Shalës, ky libër jo vetëm që përkujton veprën e arkeologes së parë në Kosovë, por ndërthur figurat mitologjike në rrëfimin dhe dialogun e saj, duke krijuar një përzierje mbresëlënëse të historisë. Nata e promovimit të librit mblodhi njerëz që e kishin njohur personalisht atë. Së bashku kujtuan një personalitet të shquar që la gjurmë të pashlyeshme në fushën e arkeologjisë dhe, përtej kësaj, shkëlqeu në fushën e artit dhe të poezisë.

Shukriu, e cila u nda nga jeta më 17 janar të këtij viti, u kujtua si një person shumëdimensional dhe profesionist, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si për botën akademike ashtu edhe për artin. Si arkeologia e parë në Kosovë, ajo ishte pioniere në eksplorimin e vendeve historike, duke zbuluar artefakte të fshehura dhe duke hedhur dritë mbi trashëgiminë e pasur kulturore.

Rrugëtimi emocional i Kaltrina Igrishtës gjatë krijimit të librit tregon edhe për thellësinë e lidhjes së saj me profesoreshën Shukriu. Ajo ka treguar se gjatë punës ka luftuar me vetëdyshimin dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie. Ka theksuar se fakti që zgjodhi të mos e botonte librin derisa të ndiente një ndjenjë përmbushjeje flet shumë për përkushtimin dhe respektin e saj.

“Në çdo fjalë që e kam shkruar fillimisht e kam menduar se a do ta pranonte profesoresha Edi këtë fjalë ose rastet kur kam fshirë krejt çka kam shkruar për disa herë me radhë dhe më është dashur që të shkruaj përsëri, sepse ka pasur raste kur nuk jam ndier e përmbushur me storien ku Edi është personazh. Në fund e kam ditur se ky format sado i vogël që është do ta kënaqë atë dhe shpresoj që është e kënaqur”.

Lidhja midis saj dhe Edi Shukriut ndriçohet edhe më tej nga zbulimi i mbesës së Shukriut, Valtida Shukriu. Ajo ka treguar se pas vdekjes së Shkuriut ka hasur në diplomën e Igrishtës mbi tavolinën e punës. Ka thënë se ky projekt i fal emocione të mëdha dhe krenari për hallën e saj.

“Unë sot kam ardhur nga Prizreni, sepse sonte zemra e Edit feston dhe këtë festë ia ka dhuruar Kaltrina së bashku me Elizën. Kaltrina, studente e Edit, të cilën unë nuk e kam takuar deri më tash, por Kaltrinën e njoha me emër dhe mbiemër nga arkiva e Edit. Edi në janar kaloi në amshim dhe mua ma la amanet arkivin dhe punën e saj dhe një moment pasi u mora me të gjitha shkova te tavolina e Edit dhe e pashë një diplomë, ishte diploma e Kaltrinës dhe Edi kishte ruajtur shumë diploma të studentëve të dalluar”.

“Labirinti Dardan” si një prej gjetjeve të saj është një monument, të cilit Shukriu ia ka dedikuar një pjesë të madhe të kohës dhe përkushtimit të saj. Për këtë arsye autoret pos në titull, “Labirinti Dardan” – zbuluar si monument epigrafik nga Edi Shukriu më 1988 – vjen edhe si pjesë thelbësore e rrëfimit të librit.

Libri komik, një punë e Igrishtës dhe Shalës, shërben si një urë që lidh trashëgiminë arkeologjike të Shukriut me një audiencë më të gjerë, duke siguruar që ndikimi i saj të vazhdojë të jetë i pranishëm.

“Po ndihem shumë e përmbushur që kam mundur së paku një pjesë artistike ta bëj për një njeri si ajo, që edhe arkeologjinë e ka bërë art. Sonte njëmend zemrat e secilit që e njohën Edin festojnë dhe nuk di si ta përshkruaj, është ndjenjë shumë e thellë, një ndjenjë që shumë pak njerëz ta dhurojnë. Që ta kesh muzë dikë jo çdoherë i takon pritshmëritë e tua dhe unë muzë e kam pasur Edin prej kur kam qenë fëmijë. Kur kemi folur së bashku dhe ai moment ka qenë shumë i rëndësishëm në formimin tim”.

Ilustrimet nëpërmjet të cilave shpaloset rrëfimi mbresëlënës për arkeologen e parë në Kosovë ia kanë sjellë ilustrueses Eliza Shala një kuptim më të thellë të figurës së Edi Shukriut. Ndërthurja e këndvështrimeve të ndryshme, siç ilustrohet nga përfshirja e Shalës në krijimin e librit, shpesh rezulton në një portretizim më të pasur dhe më të nuancuar.

Shala ka theksuar se projekti është realizuar në kuadër të thirrjes nga “Artpolis”.

“Projekti ka filluar kur e kemi parë një thirrje nga ‘Arpolis’ dhe kemi aplikuar duke menduar se kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë që ta krijojmë një libër komik, diçka që çdoherë kemi pasur dëshirë të bëjmë. Ne jemi fanse të librave komikë dhe i koleksionojmë. Kaltrina e ka shkruar storien dhe unë i kam bërë ilustrimet, gjë që ka qenë sfiduese duke marrë parasysh që nuk është se kemi pasur përvojë në një gjë të tillë. Po shpresoj që e kemi arritur qëllimin që e kemi pasur”.

“Edi, Labirinti Dardan dhe Porta e Tukanës” nuk është në shitje derisa autoret kanë thënë se i mirëpresin ata që duan të kontribuojnë për ribotimin e librit.