Duke punuar si ciceron dhe duke e pasur të qartë mungesën e një fletushke a një libërthi udhërrëfyes, Muhamer Hasani i është përveshur punës dhe me entuziazëm ka shkruar veprën “Pristripina”. Por për këtë ka zgjedhur një formë krejt të veçantë. Libri vjen në formë të stripit, me ilustrime të shumta për secilën ngjarje a histori. Të ilustruara janë edhe disa nga monumentet kryesore të këtij qyteti, përfshirë: Sahat kullën, Muzeun Kombëtarë të Prishtinës, Xhaminë e Çarshisë e të tjera. Ka shtuar edhe ca dialogë të natyrës komike duke e bërë librin edhe më tërheqës për lexuesit.
Duke u bazuar në një sërë librash të ndryshëm ku përmendet Prishtina, Hasani jep një sërë shpjegimesh, duke u nisur nga emërtimi i Prishtinës, i lagjeve, dëshmitë për Prishtinën e shekujve XVI-XVII, e të shekujve XIX-XX, shkatërrimin nga zjarret më 1859 dhe 1864, shndërrimin e Xhamisë së Madhe në Kishë nga austriakët, përshkrimin që Pjetër Bogdani e Evlija Çelebiu i bënë këtij qyteti. Duke dashur ta përthekojë të kaluarën dhe mënyrën e jetesës në kohë të moçme, autori tregon diçka edhe nga zakonet përfshirë traditën e të bërit të kafesë, traditën e mikpritjes, zanatin e skifterxhinjve, prodhimin e barutit e të sapunit, kultivimin e hashashit e shumë të dhëna të tjera.
“Mënyra se si i kam zgjedhur rrëfimet për Prishtinën është shumë e thjeshtë: janë vendosur të gjitha ato që i kam gjetur për Prishtinën. Kushdo që e ka përmendur Prishtinën e kam futur brenda librit. Tregimet të cilat i kam renditur në mënyrë kronologjike, fillojnë nga shekulli i XIV e deri në fillim të shekullin XX . Përndryshe ky ka qenë kriter: nëse dikush ka folur për Prishtinë e kam futur në libër. Kaq e thjeshtë”.
“Pristripina” e imponon përqendrimin, sepse nuk është një titull i zakonshëm. Vendimi për ta pagëzuar kështu, ka ardhur si rezultat i përmbajtjes dhe mënyrës se si është realizuar libri.
“Kjo është Prishtina – Pristripina, një strip për Prishtinën në mënyrë që me bë pak më ndryshe siç është edhe vetë libri. Duhet ta ceki se ka monografi për Prishtinën si ajo e të ndjerit Sherafedin Sylejmanit apo zonjës Sanije Gashit të cilat hedhin dritë dhe janë goxha të vlefshme për historitë e Prishtinës. Unë në këtë rast e kam bërë pak më ndryshe sepse ‘Pristripina’ është një rrëfim për historikun e Prishtinës por e treguar pak më ndryshe prej udhëpërshkruesve të huaj, prej gjeografëve apo prej historianëve apo edhe prej klerikëve të ndryshëm që kanë vizituar Prishtinën”, deklaroi Hasani.
Vendimi për ta shkruar në formë të stripit ka qenë i thjeshtë: rënia dhe mungesa e dëshirës për të lexuar.
“Leximi ka rënë jo vetëm te ne. Ai ka pësuar rënie në të gjithë botën dhe për ta nxitur dikë që të lexojë duhet të krijosh diçka goxha të veçantë, interesante dhe ideja ka qenë aty. Nëse do ta shtysh dikë të lexojë, duhet të mendosh diçka më ndryshe, diçka jashtë standardit apo shabllonit me të cilat jemi mësuar deri më tani”.
Njëzet e pesë ilustrimet e këtij libri janë punuar nga Mentor Llapashtica, profesionist i njohur i fushës, ndërsa dizajni është realizuar nga Dardan Luta. Përveç tekstit me dokumentet historike të cilat janë plot me referenca të ndryshme, Hasani është edhe autor i dialogëve të shkurtër komik, ndërsa Luta është ai që i ka shkruar duke ua dhënë natyrën e stripave.
Hasani ka folur edhe për mënyrën se si i ka mbledhur këto shkrime.
“Të gjitha këto çka i kam gjetur janë të publikuara ose të dokumentuara, duke filluar p.sh në shekullin XVI një pelegrin francez Jean Palerne në vitin 1582 i cili në rrugën e tij për në Lindjen e Mesme apo ndryshe për tokat e shenjta, meqenëse asaj kohë ka qenë e domosdoshme me i rënë këndej, me i vizitu këto vende, është ndalë në Prishtinë dhe i përmend këto vende, pastaj vepra e tij është e qasshme. Kjo është pak a shumë mënyra se si kam vepruar”.
“Pristripina” kthehet prapa në kohë edhe te mënyra e jetës së prishtinasve, teksa thekson zanate që ndër vite kishin njohur një zhvillim të hovshëm.
“Në 1477 në rrethinë të Prishtinë kanë qenë pesëmbëdhjetë prona të kultivuesve të skifterëve që po ashtu është goxha interesant. Meqenëse edhe kultivimi i skifterxhinjve është bërë për klasën sunduese, për aristokracinë. Ose për shembull në vitin 1487 del që në Prishtinë është prodhuar baruti. Pastaj më vonë del që në Prishtinë ka pasur përpunues të mëndafshit. Përderisa në pjesën perëndimore të Kosovës, në Pejë është bërë kultivimi dhe në fakt kanë eksportuar fshikëzat e krimbave të mëndafshit, mirëpo në Prishtinë është përpunuar”.
Hasani dëshmon se dashuria e shqiptarëve me kafenë ka një traditë të kahershme.
“Në vitin 1844 në Prishtinë kanë qenë 11 kafeshitës që e bën profesionin e dytë në qytet. Gjatë asaj kohe në Prishtinë vetëm rrobaqepës ka pasur më shumë sesa kafeshitës dhe kjo pak a shumë e tregon atë dashurinë tonë për kafe. Kjo dashurisë siç duket nuk është e rastësishme. Lidhur me këtë dua ta cek se në vitin 2015, dy gazetarë italianë me rastin e vizitës në Kosovë, në Prishtinë e shpallin makiaton e Prishtinës si makiaton më të mirë në botë”.
“Pristripinën” që ka krejt kopje edhe në shqip, Hasani synon ta përkthejë edhe në disa gjuhë me qëllim që t’u hyjë në punë edhe turistëve. Ai thotë se kryeqyteti nuk ka bërë fort për turizëm.
“Në fakt, për një periudhë shumë të shkurtë, Prishtina e ka pasur një zyrë që pastaj është mbyllur. Kjo është pak qesharake, sa edhe tragjike, sepse nuk është diçka për të cilën duhet ndonjë ekspertizë ose ndonjë komplikim. Zyrtarisht Prishtina ka më së shumti turistë në Kosovë mirëpo edhe përkundër këtij fakti, ajo nuk e ka asnjë zyre për turistë. Duhet cekur që për shembull Peja i ka tri sosh, Prizreni e ka një ndërsa Prishtina si kryeqendër nuk e ka asnjë”.
Si njohës i monumenteve, kulturës dhe historisë së Prishtinës, Hasani, i cili punon si ciceron në tyrben e Sulltan Muratit ka thënë se ky qytet di të jetë atraktiv për turistët.
“Në fakt Prishtina është mjaft atraktive edhe pse kur flasim për atraksion, ai është diçka pak edhe relativ, jo domosdoshmërisht janë vetëm ato ndërtesat apo ku ta di unë, që e bëjnë atraktive. Mund të jetë ndoshta edhe gjallëria e qytetit ajo që e bën atraktive dhe në fakt për një gjë të tillë edhe njihet Prishtina”.
Ky libër është dedikim për Prishtinën, sepse sipas autorit, secili ia ka borxh një histori këtij qyteti.