E vizualizuar në piktura shumëngjyrëshe, Prishtina e dikurshme ka zbarkuar në atë të sotmen. Krejt kjo veprave të artistit Ramiz Krajkova, i cili me anë të ekspozitës së tij personale të hapur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë ka sjellë atë se si ai e ka parë qytetin ndër vite.
Me një mënyrë krejt realiste, ekspozita “Prishtina ime” me ngjyra të buta e njëkohësisht të tilla që ngjasojnë shumë me ngrohtësinë që përçon natyra veprat duken edhe si fotografi.
“Unë këtu kam shfaqur nga zemra të gjitha këto punime, sepse këtu jam lindur dhe shkolluar dhe këtu kam punuar. Gjatë gjithë jetës më kanë pëlqyer shtëpitë e vjetra që i kam parë nëpër gazeta. E dua të vjetrën, e dua atë që është antike dhe mundohem gjithnjë ta shpreh me ngjyra dhe duart e mia, sepse kjo është pasuri jo vetëm e imja, por edhe e shtetit. Çdo shtet mundohet që sadopak me anë të trashëgimisë që e konsideroj madhështore të prezantohet para turistëve të huaj dhe para botës”.
Krejt asaj që ekspozita e sjell para publikut i parapriu performanca e balerinave të grupit “Mjellma” e ajo me kitarë e Bashkim Galicës. Edhe ambienti ishte i atillë që pos pikturave që transmetojnë vjetërsinë sjell edhe dy a tri elemente të vjetra të qytetit, mes tyre një djep.
Ndër të pranishmit, në hapje të ekspozitës qenë akterë të njohur të kulturës dhe artit në Kosovë. Midis tyre edhe Shefki Stublla.
“Piktori Ramiz Krajkova i ka vendosur në pikturat e tij për të mos u harruar kurrë. Që në fillim po them se piktorët dhe poetët e mirëfilltë nuk vdesin kurrë sepse kanë si avokat veprat e tyre artistike edhe kur ata fizikisht nuk gjenden mes nesh. Piktori Ramiz Krajkova me pikturat e tij është koherent me kohën, është parimor, është I lidhur ngushtë e në përputhje të plotë me kohën, duke mos rënë kurrë në kundërshtim me vetën dhe gjithnjë duke iu përmbajtur stilit të vetë pikturimit të qenies njeri dhe objektit të natyrës. Kjo më bëri që t’i dua veprat e tij artistike, e sidomos për ato piktura që janë pjesë e biografisë së Prishtinës, zejtare, agrare dhe natyrale”.
Mustafë Halili, që tekstin kritik të tij për këtë ekspozitë e mbyll duke thënë “Ramizi është ylberi i Prishtines”, ka shtuar se ekspozita e Krajkovës është vlerë e shtuar për vendin.
“Për pikturën reale të Ramiz Krajkovës, që iu përkushtua trashëgimisë kulturore të Prishtinës, e kam vështirë të shprehem në këto pak rreshta, sepse Ramiz Krajkova është i kamur me tërë shekullin e tij të punës artistike e që e kaloi nëpër koluaret e Prishtinës, qytetit të tij të lindjes dhe kryeqytetit të Kosovës. Këtë pasuri mendore e arriti duke e hulumtuar trashëgiminë tonë kulturore, duke bluar në mendjen e tij i preokupuar emocionalisht nga brendësia, ku me vrushkuj ngjyrash brumosi idenë për ta sjellë në pëlhurë. Ai motiv e ka Prishtinën”.
Ramiz Krajkova mes tjerash qe edhe redaktor i kulturës në Pallatin e Rinisë deri në pension.