Vitet e ’90-a në Kosovë nuk kanë qenë aspak të lehta për shqiptarët. Është periudha e shënuar prej demonstratave, përndjekjeve, arrestimeve, gjendjes së jashtëzakonshme me të cilat përballeshin shqiptarët deri te lufta dhe pasojat e saj.
Por syri i fotografit Afrim Hajrullahu kishte arritur të shihte diçka përtej kësaj. Ishte futur nëpër rrugicat dhe pjesën ku zhvillohej përditshmëria e prishtinasve. Kishte arritur të kapte diçka nga gjallëria e atyre viteve, që pak njerëz e përmendin e edhe më pak e njohin. Fëmijët e viteve ‘90 në objektivin e Afrim Hajrullahut shihen duke luajtur nëpër mëhallë, nëpër parqe lodrash, duke shkarravitur nëpër mure apo edhe duke bartur drunj me mushka, a duke shitur e duke pirë cigare. Përveç tjerash, këto fotografi janë edhe dëshmi e kulturës, traditave, mënyrës së jetesës së atyre viteve, si edhe arkitekturës dhe urbanizmit të Prishtinës së asaj kohe.
Ka qenë mjeshtëria për të kapur të përditshmen, ajo që i ka lënë më së shumti përshtypje publicistit Shkëlzen Maliqi, i cili gjithashtu është personazh i njërës prej fotografive të Hajrullahut.
“Disa ditë para ekspozitës ku i kam parë këto fotografi, por ndryshe është përshtypja në ekran e ndryshe kështu edhe të aranzhuara mirë. Janë fotografi të viteve ’90, por pak ma ndryshe prej atyre që jemi mësuar t’i shohim me shumicë rreth protestave e atyre ngjarjeve dramatike që kanë ndodhë në ato kohëra. Ndërkaq Afrim Hajrullahu në atë kohe, ndër të tjera, ka pasur edhe një prirje për ta regjistruar jetën e përditshme, në skutat, në skajet e Prishtinës, te Prishtina e Vjetër, aty ku ka ndodh jeta e vërtetë. Jo vetëm lagjet e Prishtinës së vjetër, por edhe do ngjarje që i kemi pasë bërë si protesta kulturore apo shtëpitë shkolla”.
Skulptori, njëherësh kritiku i artit, Skënder Boshtrakaj, është ndalur te krijimi në bardhezi i fotografive dhe tek ekskluziviteti i tyre. Sipas tij, fotografia bardhezi është bërë pjesë e identitetit të Hajrullahut.
“Së pari kur ka filluar fotografia me ngjyra me hy në jetën tonë ka qenë një frikë e madhe që fotografia bardhezi do të hupet në rëndësi po del prej tregu e të tjera. Them unë që fotografia me ngjyra, asaj bardhezi ia rriti ekskluzivitetin. Ashtu siç ka qenë droja kur ka dalë kitara elektrike e rockut, droja se çfarë ndodh me kitarën akustike. Nuk e hoqi prej dorës së artistit, por ia shtoi ekskluzivitetin. Në të njëjtën mënyrë them edhe për fotografinë e Afrimit, fotografin bardhezi, tash është bë një pjesë e letërnjoftimit të tij si shprehje, mos të hyjmë tash shumë në interpretim të teknikave e ndjeshmërisë së tij e të asaj që e bën mjeshtër të vërtetë jo vetëm nivel kombëtar”, ka thënë Boshtrakaj.
Përjetime unike e kthim në kohë e ka përshkruar ekspozitën Adrian Berisha, DJ e punonjës i kulturës. Ai ka thënë të ketë dëgjuar histori të ndryshme lidhur me këto vite, porse kjo ekspozitë është dëshmia e vërtetë.
“Përshtypje e jashtëzakonshme për shkak se unë jam i lindur pikërisht në vitin 1990 e këtu kemi të bëjmë kryesisht me vitet e ‘90-a në qytetin e Prishtinës. Gjatë gjithë kohës, në jetën time kam dëgjuar histori të ndryshme për vitet ‘90, si nga familjarë, si nga miq të ndryshëm se qysh kanë jetuar shqiptarët kryesisht në atë periudhë kohore. Një lloj diversiteti i jashtëzakonshëm, duke marrë parasysh që jeta është përbërë nga halle të ndryshme dhe ka qenë diçka e jashtëzakonshme me i përmendë, p.sh kurrizin e viteve ‘90-të e pamje të ndryshme, ku po vërehet që ka qenë një gjendje jo aq e mirë ekonomike e shqiptarëve në atë kohë. Nganjëherë na mbesin vetëm kujtime dhe është shumë e rëndësishme si medium që me na dhënë një pamje të tillë, ku në e shohim se si kanë jetuar në vitet ‘90-të”, është shprehur Berisha.
Ekspozita “Prishtina në vitet e 90-ta” do të qëndrojë e hapur edhe gjatë muajit maj.