EXPRESS

Prishtina e mjeshtrit të grafiteve dhe shenja në Kohë

Nja një orë para zenitit, në mur ia shkrep me sprej të hirtë dhe shpejt skica nis e merr formë. Kështu fillojnë e dallohen edhe shkronjat që formojnë emrin e tij artistik – Sade. Ai është fjalëpakë kur nis punën, nuk pranon që biseda me të bëhet kur është në hapat e parë të një vepre.

E enjtja e fundit e marsit mjeshtrin e grafiteve, Nicolas Colombani, e ka gjetur në ambientet e KOHËS. Bufeja e redaksisë për hiç më pak se shtatë orë është shndërruar në atelie të tij. Rezultati final qe grafiti në 42 metra katrorë, në dy faqe muri. Mesazhin e lë për fund: “Trust in the Truth!” tërthorazi vjen edhe si një dhuratë në një ditë me peshë për gazetën “KOHA Ditore”, e cila festoi 27-vjetorin më 31 mars.

Sade One ose thjesht Sade është Nicolas Colombani, artist multidimensional nga Zvicra, biografia e të cilit është e gjatë, po ashtu edhe lista e veprave të tij. Udhëtimin me grafitin do ta niste në moshën 14-vjeçare në Paris për të eksperimentuar tutje dhe me dimensione të tjera, të cilat kanë ndërtuar karrierën e tij afër katër dekadash. Do të shpërngulej nga Franca për në Zvicër në vitin 1989, ku u bë njëri prej artistëve të parë të grafitit në ketë vend duke lënë gjurmë në rrugë, trena dhe galeri të ndryshme arti. Ai ndryshe shquhet si themelues i skenës së grafitit në shtetin helvetik.

Kosova për të është një kapitull i hapur rreth tre vjet më parë. I impresionuar nga mikpritja dhe energjia pozitive që, sipas tij, e karakterizojnë vendin, ka disa projekte konkrete. Realizmi i grafitit në KOHËS është një mundësi për ta parë nga afër mënyrën si i jep formë artit të tij.

Me tipografi origjinale të krijuar nga vetë artisti, ai mbulon pjesën dërrmuese të murit fillimisht duke vijëzuar shkronja. Si proces ngjason me një performancë artistike, përtej aktit të vizatimit e ngjyrimit me bojëra. Murali ia jep mundësinë e shpërfaqjes së identitetit personal artistik. Kjo është edhe filozofia e artit të tij.

“Grafiti ka të bëjë shumë me identitetin personal të artistit, ka të bëjë me shkronjat dhe zakonisht bëjmë skica, por nganjëherë edhe improvizojmë. Procesi dallon nga mënyra se si i qasesh veprës në tërësi. Për shembull, në rast se shkruan grafit në rrugë ose në ndonjë tren, duhet të jesh i shpejtë, por kur ke më shumë kohë në dispozicion, ke kohë edhe të mendosh të zgjedhësh ngjyrat me kujdes. Personalisht kam dëshirë që para se ta filloj një punë ta nis me një skicë, sepse shkronjat janë tipografi dhe aty ka rregulla dhe duhet të jenë proporcionale”.

Disa figura krah emrit të tij në grafit marrin formë teksa ngjasojnë herë si buzë e herë si trupa të papërcaktuar. Kësisoj ai përfshin dhe detajin e komikes në to. Në shikim të parë, hiperbola është element që përshkruan mirë këtë vepër, nisur nga stilistika që ai vendos të përdorë dhe zmadhimi i çdo detaji, si në dukje njëjtë edhe në mesazh.

Gjatë procesit të formimit të siluetave parësore të objekteve në grafit, artisti bën hartëzimin e çdo detaji që do ta ndërtojë grafitin. E pas këtij procesi fillon me hijezimet kryesore që i bën me të kaltër. Fillon me subjektin kryesor: emrin e tij artistik. Pastaj u jep frymën e parë edhe reve, të cilat gjithashtu janë detaj që e dallojnë punën e tij.

Pulsin e adhuruesve të artit të grafiteve në Kosovë, Sade e kishte matur pak vjet më parë, kur realizoi një vepër në Gjakovë. Ka tre vjet që ai është njohur me Kosovën dhe vizitës së parë këtu do t’i paraprinte një takim me një mik kosovar në Shqipëri, i cili do të insistonte me ngulm që ai ta vizitonte Kosovën. Që atëherë gjatë tre vjetëve do të rikthehej dhjetëra herë.

“Mund të them që kam rënë në dashuri me këtë vend. Për tre vjet kam bërë afro 20 vajtje-ardhje. Kam takuar njerëz shumë të mirë. Është e mahnitshme, të gjithë me flasin shqip dhe është shumë e mrekullueshme se sa shumë të rinj ka këtu”.

Por, për Sade One, Prishtina tani duket të jetë një stacion që nuk po i shqitet dot, pasi që bashkë me mikun e tij ka plane konkrete që synojnë t’i shërbejnë skenës alternative të artit në Kosovë.

“Bashkë me mikun tim Barlet Gega po punojmë në një platformë artistike, e cila do të quhet ‘Pellg’ për artistët e Ballkanit dhe natyrisht do të jetë ndihmesë për artistët nga Kosova që të depërtojnë jashtë vendit. Ju keni një kulturë të madhe, një energji të freskët, ndryshe nga vendi prej nga vij. Kam përshtypjen se ju e keni në dorë të ardhmen tuaj”.

Përveç platformës “Pellg”, e cila pritet të lansohet gjatë javëve në vazhdim, ai synon që artistëve të rinj në Kosovë që kanë afinitet me teknikën e grafitit t’u ofrojë mbështetje me masterklasë.

Teksa vendos detaje zbukuruese në grafitin për KOHËN, si hijezimet që krijojnë iluzionin e dimensionit dhe pikat që e bëjnë atë të duket sikur shndrit, ai thotë se synon që emrin e Kosovës ta bëjë të njohur jashtë vendit. Thekson përparësitë që ofron ajo për artistët.

“Unë flas ndërkohë me miqtë e mi artistë nga vende të ndryshme si Franca e Anglia dhe u tregoj se Prishtina do të jetë Berlini i ardhshëm në Evropë. Para 25 vjetësh Berlini ka qenë një vend ku ke mundur të marrësh atelie shumë më lehtë se në vendet e tjera dhe e njëjta gjendje është edhe këtu. Njerëzit duhet të njihen me mundësitë që ofron ky vend”.

Kosova, e cila siç e konfirmon ai, e ka pritur mirë dhe ia ka ofruar atij lirinë artistike për artin që zanafillën e ka tek ilegaliteti. Tash arti i dikurshëm i rrugës është subkulturë. Prishtina me “Meeting Of Styles” dhe Ferizaj me “MuralFest” janë shndërruar në pikëtakime emrash të njohur si puna e Sades. Të dyja ngjarjet fuqizojnë muralet e grafitet si gjuhë universale që tejkalon kufijtë.

“Energjia këtu është shumë e mirë, ndihem shumë i sigurt, ndihem rehat, njerëzit janë shumë të sjellshëm. Nuk është e njëjta gjë në vendin prej nga vij unë. Ka shumë zemër në çfarëdo që bëni dhe kjo më emocionon shumë pasi që shumë vende evropiane momentalisht janë shumë më të ftohta, më vetjake, ndërsa këtu nuk e ndiej atë, së paku nga koha që kam kaluar këtu”.

Gjuhën e artit të rrugës Sade One nisi ta mësonte qysh i ri.

“Në moshën 14- vjeçare zbulova grafitin, kisha mundësinë që të shkoja në New York dhe ta shihja, u impresionova shumë por nuk e kuptoja mirë, por pastaj në Paris ishte gjenerata e parë e artistëve të grafitit dhe më kujtohet teksa shihja punët e tyre dhe aty kisha vendosur që unë do të bëhesha artist i grafitit. Si në çdo fillim, edhe unë isha i ngathët, por ishte një nisje e një trendi në Paris, ishim pak në numër, por prej atëherë ky numër vazhdon e rritet”.

Sipas tij, kjo teknikë e të shprehurit nëpërmjet artit është mënyrë jetese, me plot sfida, por që në këmbim ka lirinë maksimale

“Është mënyrë jetese, sepse për shembull kur gjenerata ime ka filluar të merret me grafitin, ne nuk e kemi menduar kurrë që do të merremi profesionalisht me të, nuk e kam menduar se do të më shërbente diçka përveç përmbushjes shpirtërore. Tash është ndryshe, është shumë më i popullarizuar. Por, prapëseprapë grafiti është një art që sjell telashe më shumë sesa benefite. Shumë herë ndodh që të ndiqesh nga njerëzit, gjobitesh, në shumë vende është veprimtari ilegale. Por, lirinë që ta jep është e mrekullueshme, nuk pyet askënd, vetëm krijon”.

Procesi i krijimit të veprës duket të jetë po aq i rëndësishëm se vetë vepra e finalizuar. Për të ajo dallon shumë nga puna e tij si dizajner grafik, e cila kërkon përpikëri dhe ka tjetër natyrë. Në grafit thotë se ndihet i lirë duke thyer të gjithë kufijtë e mundshëm.

“Kur dua të punoj një grafit vetëm dal dhe e bëj. Nuk pyes askënd dhe është interesante, sepse kanë kaluar 30 vjet dhe ende e bëj me shume qejf. Është momenti kur shkyçem nga bota totalisht dhe grafiti zakonisht ka përmasa të mëdha dhe krijohet përshtypja se je duke punuar brenda një flluske nga e cila asgjë nga jashtë nuk mund të ndikojë”.

Pas përfundimit të rrugës akademike me master në komunikim, do të angazhohej si dizajner grafik në projekte të ndryshme dhe më pas udhëhoqi anën artistike të shumë projekteve nga fusha të ndryshme si moda e kinematografia.

E kaluara e tij me dizajnin grafik vazhdon të mbetet edhe sot një element me ndikim në punën e tij. Përtej dizajnit dhe punës në kanavacë e grafite, veprimtaria e tij zgjerohet edhe në prodhimin e filmit. “Five Thirteen” i vitit 2010 në Los Angeles ka qenë edhe një përvojë tjetër që e ndihmoi atë në formimin e stilit të tij, i cili tani shfaqet si një dyzim i kulturës së rrugës dhe botës së dizajnit që bashkërisht luajnë me kodet e komunikimit. Në krijimtarinë e tij janë dhe pikturat dhe skulpturat, të cilat sërish përkojnë me stilin e tij në grafite. Ato janë ekspozuar nëpër galeri të ndryshme në Evropë.

“Me është dashur kohë që të kaloja në dimensione të tjera pasi që jam munduar të bëj diçka origjinale, jo vetëm ta realizoj në kanavacë atë që e punoj njëjtë edhe në murale. Dhe kështu kam krijuar disa skulptura, të cilat luajnë me dimensionin. Ideja është që të duket sikur grafiti po del nga muri duke marrë tjetër dimension. Esenca vjen nga grafiti, por shkon përtej saj. Për mua grafiti u takon rrugëve, jo galerive të artit” .

Pas shtatë orëve punë Sade bëhet gati për detajet e fundit në veprën e tij në mbi 40 metra katrorë. Krahas nënshkrimit të tij në të majtë të grafitit, në cepin tjetër jetëson me ngjyrë të zezë “KOHA”. Vëmendjen me të parë grafitin shumëngjyrësh e merr flluska e mesazhit – propozuar nga kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi – që bart moton domethënëse mbi të cilën ndërtohet etika e punës së mediumit e këtë mesazh artisti e lë në Kosovë.... në KOHË dhe për të.