EXPRESS

“Prenk Jakova” nderon Zeqirja Ballatën me koncert

Ka qenë 80-vjetori i lindjes së kompozitorit të shquar, Zeqirja Ballata, ai që ka bërë bashkë në një koncert nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Ngjarja nisi me performanca të veprave të Ballatës, si: “Marcia”, “Caprice”, “Plaku i maleve” e të tjera. Përveç performancave individuale e në çift, me të cilat publiku pati mundësinë të shihte talentet e rija në piano e në violinë, koncerti vazhdoi edhe me grupe më të mëdha orkestrale. Në formacione ku përfshihej edhe orkestra e harkorëve, frymorëve e pianoja nxënësit sollën edhe disa nga veprat e kompozitorit të shquar italian, Antonio Vivaldi. Për t’i dhënë hijeshi, në fund të koncertit performoi edhe kori i shkollës, i cili erdhi nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit. Harmonia me njëri-tjetrin dhe bukuria vokale ishin një dëshmi e një gjenerate të re muzikantësh.

Jeta Dida-Bujari, drejtoreshë e shkollës, ka thënë se është krenare me interpretimin e nxënësve të shkollës. Ka kujtuar punën dhe përkushtimin e pafundmë të mësimdhënësve, të cilët ndihmuan në organizimin e këtij koncerti.

“Jo krenare, por çdo moment të këtij koncerti e kam përjetuar me një emocion të veçantë duke e ditur punën paraprake që është bërë për ta realizuar këtë koncert. Me të vërtetë është mahnitëse çfarë është bërë në këta muajt e fundit në shkollën e muzikës dhe ju e keni parë që ky koncert me të vërtetë ka shkëlqyer sonte. Nxënësit e shkollës sonë me profesorët e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për të sjellë në skenë një repertor të tillë, i cili ishte mjaft kërkues dhe mjaft i vështirë për këta fëmijë, por ia arritëm. Jam shumë e lumtur që shkolla si shkollë ka iniciativa të vazhdueshme që të realizojë projekte të tilla”.

Me pak fjalë, gëzimin dhe falënderimin për këtë koncert e ka shprehur edhe kompozitori Zeqirja Ballata.

“S’ka se si bëhet më mirë, por aq më tepër se ishim të pranishëm të gjitha brezat, pastaj këngët dhe këngëtarët ishin të shkëlqyeshëm”.

Mësimdhënësja e violinës Shqipe Bajraktari ka thënë se përveç ditëlindjes së Ballatës, koncerti ka si qëllim edhe afirmimin e talenteve të reja të kësaj shkolle. Ka përmendur edhe punën e palodhshme të kolegëve të saj.

“Ideja ka ardhur nga fakti që në shkollën tonë kanë ardhur fytyra të reja si Bardh Dubova, Lirjona Sylejmani pastaj edhe ne si pedagogë duke pasur nxënës, fryte, siç edhe u dëshmuan. Duke qenë se triumfojmë nëpër gara në botë me çmime të para dhe absolute, prandaj kemi ardhur së bashku si staf në një ide që të marrim dhe të bëjmë diçka me tepër se ç’kemi bërë deri më tash”.

Akademik Zeqirja Ballata është kompozitor me opus bashkëkohor prej më shumë se 160 veprash të botuara në Slloveni, Kosovë, Holandë e vende të tjera. Njihet edhe për veprat e tij studimore, fitues i disa çmimeve vendore e ndërkombëtare.