EXPRESS

“Prenk Jakova” me brezin e ardhmërisë së muzikës nderon akademik Dhomin

Me vepra vokale e instrumentale është nderuar vepra e kompozitorit të shquar të Kosovës, Rauf Dhomi. Në vitin kur opera e tij “Goca e Kaçanikut”, e para e Kosovës, u dha premierë pas mbi gjysmëshekulli prej kur u kompozua, brezi i ri i muzikantëve të shkollës “Prenk Jakova” u kanë dhënë ritëm veprave të akademik Dhomit.

Kompozitori është nderuar si personalitet që ka lënë gjurmë në artin e kulturën e vendit. Në repertor kanë qenë edhe veprat e kompozitorëve të shquar botërorë me të cilat janë sfiduar talentët e rinj si pasardhës të skenës së muzikës klasike në vend.

Është koncert tradicional ai që e organizon shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në kryeqytet. Ashtu edhe dedikimi që adresohet nëpërmjet programit. Por sivjet vjen edhe si turne në qytetet e Kosovës e të Shqipërisë.

Drejtoresha e shkollës “Prenk Jakova”, Jeta Dida-Bujari, para nisjes së koncertit ka ndarë mirënjohje për akademikun e kompozitorin Rauf Dhomi. Me mirënjohje është nderuar profesoresha e pianos Lejla Pula. Loja e saj është vlerësuar karakteristike për ndjeshmërinë, tingullin e thellë e virtuozitetin.

Interpretimi i një vepre - “Lacrimosa” e Mozartit – ka qenë forma me të cilën është kujtuar profesori Bajar Berisha, i cili vdiq në fillim të këtij viti. Është thënë se kjo pjesë nga “Requiem” kishte qenë shumë e dashur për dirigjentin Berisha.

Veprat “Rondo” dhe “Të falemi o dhe” kanë qenë një shembull i prezantimit të punës së kompozitorit Dhomi në repertorin operistik shqiptar.

Si soliste ka interpretuar Elsa Gashi në piano. Bashkë me orkestrën kanë luajtur kohën e parë të “Koncertit Nr. 1” për piano dhe orkestër të Bachut.

Pianistja Elsa Gashi, që kishte ndjekur mësimet në klasën e profesoreshës Lejla Pula, ka thënë se kjo vepër ka qenë sfiduese për nivelin e tyre.

“Kam interpretuar koncertin e Bachut në D-mol që nuk është prej koncerteve të lehta. Është jashtëzakonisht i vështirë për moshën tonë, por së bashku ia kemi dalë mirë”.

Profesoresha Lejla Pula ka thënë se për një pedagog lumturia më e madhe është të shohë rezultatin e punës së tyre tek ish-studentët.

“Sivjet mbushi plot 43 vjet në këtë profesion, të shkollimit dhe ngritjes së kuadrove pianistike në Kosovë. Jam shumë e lumtur, për një pedagog nuk ka lumturi më të madhe se të shohë rezultatin e punës së vet dhe të ish-studentëve. Unë gëzohem shumë me suksesin e sotëm të Elsa Gashit, që është një pianiste e re shumë e talentuar, mirëpo e cila e ka përpara karrierën koncertale”.

Solistja tjetër ka qenë violinistja Aiola Bajrami, e cila ka interpretuar koncertin “Four Season” për violinë dhe orkestër të italianit Antonio Vivaldi.

Koncertin e ka dirigjuar Lirjona Sylejmani, profesoreshë në shkollën “Prenk Jakova” e asistent-dirigjente e Orkestrës së Forcës së Sigurisë të Kosovës, në bashkëpunim me profesorin e kësaj shkolle, Fatbardh Dubovci.

Sylejmani ka thënë se qysh në fillim të vitit kanë qenë të informuar se koncerti sivjet i kushtohet kompozitorit Dhomi. Qysh atëkohë kishin nisur provat e përgatitjet për programin.

“Në fillim të vitit kemi qenë të informuar se ky koncert do t’i kushtohet kompozitorit Rauf Dhomi. Ai ka vepra mjaft komplekse që është e vështirë t’i përballojë një orkestër dhe kor i një shkolle të mesme. Ne jemi munduar të zgjedhim dy vepra. Sa i përket veprave serioze jemi munduar t’i sfidojmë nxënësit pasi janë nxënës të mrekullueshëm, me super talent, shumë punëtorë dhe pozitivë”.

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” do të mbajë koncert edhe në Gjakovë në sallën koncertale të shkollës “Prenk Jakova” më datë 13, ndërsa dy ditë më pas në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Më 16 maj e hap festivalin “GjiroKlasika” në Gjirokastër në teatrin “Zihni Sako”.

Nxënësit e shkollës “Prenk Jakova” tok me mësimdhënësit, përherë kanë qenë adresa numër një për mbajtjen gjallë të skenës së muzikës në vend. Shumica prej emrave të shquar kanë dalë prej aty. Mungesa e objektit, premtimet disavjeçare për ta bërë këtë shkollë me objekt të vetin, janë tjetër histori. Profesionalizmi që shfaq “Prenk Jakova” në skenë është kontrasti i kushteve të shkollës të vendosur “përkohësisht” në kthinat e një objekti tjetër shkollor.