Në kapitullin e ndërlikuar të historisë së Kosovës, të thurur me fijet e luftës dhe të qëndrueshmërisë, një moment transformues erdhi si dritë që përshkon retë e pasigurisë – lajmi për liberalizimin e vizave. Njoftimi monumental jo vetëm që e zhvendosi diskursin mbarëkombëtar, por ofroi edhe një fije shprese që i kapërceu kufijtë e brezave.
Implikimet e këtij zhvillimi u përhapën nëpër komunitete, duke nxitur biseda që kapërcejnë lidhjet familjare, përkatësitë politike dhe prejardhjen socio-ekonomike.
Pjesë e diskutimit të ngjarjes historike u bë edhe festivali ndërkombëtar i posterit “Prishtina 2023”. U mbajt në nëntor të 2023-s dhe për temë pati emigrimin. Aty u kapërcyen kufijtë brenda mureve të Galerisë së Fakultetit të Arteve. Të ekspozuar qenë 95 postierë nga artistë që vijnë prej 20 shteteve të ndryshme të botës. Në mesin e tyre edhe artistë nga Kosova.
Flandra Kelmendi, Marigona Sverka dhe Era Spahiu u paraqitën si rrëfyese të një historie ndryshe. Në frymën, ku ndjenja mbizotëruese anon drejt largimit, këto tri artiste të reja janë të vendosura jo vetëm të qëndrojnë, por edhe të krijojnë një rrëfim vizual mbi rëndësinë e kontributit për atdheun.
“Nuk e shoh veten që do ta lëshoj Kosovën. Jam duke i kryer studimet këtu dhe po mendoj që të avancohem më shumë edhe të kontribuoj për vendin tim. Për arsye avancimi edhe për t’i parë kulturat e tjera normalisht që do të udhëtoj, sepse mendoj që është një gjë shumë e mirë me e gjet edhe inspirimin nga shumë artistë të vendeve të ndryshme të botës, por nuk mund ta shoh veten duke jetuar jashtë Kosovës”, tha Kelmendi.
Në një realitet që po merr këmbët drejt ndryshimit, fokusi shpesh qëndron në kërkimin e mundësive diku tjetër. Tri studentet e dizajnit grafik e drejtuan vëmendjen nga rëndësia e thellë e ndërtimit dhe formësimit të së ardhmes brenda kufijve të Kosovës. Posterat e tyre, me imazhe që provokojnë mendime dhe mesazhe prekëse, qëndrojnë si dëshmi vizuale të fuqisë së artit si një shtysë për ndryshim.
“Do të kthehem në Kosovë”, “Nuk mund ta blesh lumturinë, por mund të blesh biletën kthyese për në Kosovë” dhe “Mendja, zemra, shtëpia”, shkruan në tre posterët e punuar nga Marigona Sverka. Dhe nuk vjen vetëm si mënyrë e shprehjes artistike të saj. Është bindje.
“Kosovën do ta lija vetëm për një kohë të caktuar, dhe atë për disa arsye. Njëra prej arsyeve mund të jetë përfitimi i mundësive të reja të punës, për të eksploruar kultura të reja e më pas këto njohuri e përjetime të reja do t’i shfrytëzoja këtu në Kosovë”, deklaroi Sverka.
Në çdo goditje të dizajnit të saj, në secilin piksel të vendosur me përpikëri, Era Spahiu pëshpërit një të vërtetë të thellë. Edhe ajo vetë thotë se kuptimi i vërtetë i emigrimit nuk qëndron në largim, por në transformim. Jo në kërkimin e mundësive diku tjetër, por në kultivimin e tyre në shtëpi.
“Kurrë më herët nuk e kam menduar me e lënë Kosovën dhe të shkoj për të jetuar jashtë saj për shkak se jam shumë e lidhur këtu me familjen, me shoqërinë dhe mendoj se këtu duhet provuar të kontribuojmë dhe të arrijmë diçka”.
Pesha e një shprese të madhe ka rënë mbi supet e vitit të ri 2024 ende pa ardhur. Gjithandej flitet për lirinë e lëvizjes. Vendet e Perëndimit dhe mundësitë më të mira që ato ofrojnë. Rinia prin me eufori.
Por tri studentet e dizajnit grafik nuk bëjnë vend në atë mes. Flandra Kelmendi ka shpalosur një pikëpamje individualiste në shërbim të një të mire të përgjithshme. Ka thënë se nëse çdonjëri do të mundohej për të mirën e vet, ashtu arrihet në një pikë zhvillimi ku janë edhe vendet e tjera. E ka të vështirë të besojë se është dikush që të paktën një herë nuk ka qenë pjesë e bisedave për ikjen nga Kosova që nga pranvera e vitit 2023, kur u mor vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Po besoj që secilit nga ne të paktën një herë na ka rastisur të bisedojmë me dikë që nuk pretendon të qëndrojë në Kosovë, nuk i duket që ka mundësi të mira. Por unë besoj që secili duhet të niset nga vetja dhe të mundohet të japë kontributin individual dhe kur bëhemi shumë, mund të kemi ndikim më të madh dhe pa dyshim mund të mbërrijmë diçka që na pëlqen te një vend tjetër. Unë shpesh nuk i përkrah ato ide. Mundohem të mendoj më pozitivisht” shtoi tutje Kelmendi.
Në kapitujt që vijojnë do të dëshmohet se si shpaloset premtimi dhe pritjet e ngulitura në vitin 2024. Se a do të jetë në përputhje me shpresën dhe euforinë që përshkoi pjesën më të madhe të vitit që po shkon. Trajektorja e këtij viti transformues nuk do të formësohet vetëm nga vendimet politike, por edhe nga qëndrueshmëria, kreativiteti dhe angazhimi i individëve si Kelmendi, Sverka e Spahiu.